Nga Ben Andoni
Protesta e “Flamingove” në Tiranë arriti të kalojë me sukses në ditët e fundit pragun e 40 ditëve, ndërkohë që energjia më e madhe po shkon për ta shuar atë dhe mbi të gjitha për ta degjilimituar. Simbolika me Flamingot dhe përcjellja e gjatë e ndjeshmërisë qytetare, nga njëra anë; ashtu si edhe akti i tërheqjes zvarrë të protestuesit në Zvërnec do mbahen mënd gjatë për gjuhën e ashpër të fuqisë dhe mungesën e madhe të empatisë prej statusquo-së Rama. Të mendosh përballë protestuesve është pushteti i një partie të Majtë, e cila duhej të ishte mburojë për të Pambrojturit, Pronat dhe Transparencën. Duket se tashmë fillimi është harruar, njësoj si shkaku i nisjes së protestës së Novi Sadit (vdekja e qytetarëve nga një aksident) dhe, dhjetë vite më parë dhe ai i Maqedonisë së Veriut. Teksa, vëmendja e madhe mbetet tek vazhdimi i protestës, ku zbehja e autoritetit dhe legjitimitetit të disa individëve, po kthehet në një pengesë jo të vogël. Duket se me këtë zbehje të protestës shqiptare më shumë punë do kenë antropologët sesa studiuesit e politikës dhe vetë pushtetarët. Është e vërtetë se protestat në Ballkan shpesh e kanë tërhequr interesin e antropologëve dhe etnografëve, madje shumë më tepër sesa ata të shkencëtarëve të politikës. Qysh në kohën e Edith Durhamit, ndër troje tona. Si parim, antropologët gjejnë dhe vëzhgojnë sisteme kulturore mbijetese dhe shpërfaqje individualitetesh, kurse politologët merren me udhët e tranzicionit demokratik dhe stadeve të ndryshme të tij. Përmes këtyre ndryshimeve, politologët kërkojnë shenja moderne demokracie dhe novacione për format e drejtimit, mundësinë e zgjedhjeve të lira dhe aspekte demokratike. Paçka se, autokratët janë e mbeten sërish aty, ashtu si qeverisja hibride dhe autokratike mbetet po aty. I gjithë Ballkani e ka këtë peizazh në qendrat e veta: Podgoricë, Beograd, Tiranë, Prishtinë, Shkup. Ndaj, po merr fuqi puna e antropologëve që kupton sesi masa e përshtat boshllëkun jo të vogël mes protestës dhe idesë së ndryshimit. Në rastin e Tiranës, dashuria për revolucionin që përsëritet shpesh është e tejkaluar dhe e rrezikshme. Po të kujtosh sloganet e ngjashme me ato të pas Luftës së Dytë, kohë kur do ndërtonim Shqipërinë e Re (!), nuk duhet të harrohet se bash ato na çuan në zgrip të ekzistencës, ndërsa shumë intelektualë i eliminuan, thjesht se besonin një vend normal. Protesta e “Flamingove” nuk mundi (të paktën deri tani) të bëhej dot Lëvizje, jo thjesht prej protagonistëve të shumtë por dhe një të vërtete të madhe që është parë në të gjithë Ballkanin: Duhet një lloj centralizimi, logjistikë, financim dhe mbi të gjitha një strukturë komunikimi që të jetë e harmonizuar dhe jo kaotike si deri më tani. Shembulli vjen nga fryma e protestave të gjata, t’mbajtura në Rumani, Bullgari, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, ku potenciali i tyre që u përshkallëzua deri në forma radikale nuk ia doli\del para një makine shtetërore agresive. Ironia është se: Perëndimi politik nga larg i këqyri të gjitha këto, mu ashtu si po bën me “Flamingot” si forma shpërthyese ekzotike, kundër padrejtësisë dhe korrupsionit por jo që t’i marrë parasysh.
“Flamingot” i treguan Ramës dhe shpurës së tij se shumë gjëra nuk shkojnë duke nisur nga vetë ai, qoftë në mënyrën sesi një lider i majtë sillet me pasuritë e vendit, si e trajton dhe interpreton mjedisin, por dhe detyrimet e vendit që duhen në bazë të integrimit. Paradoksalisht, në vend të një reagimi dhe Mea Culpa (të paktën), në ditët e fundit, kemi një kënaqësi jo vetëm ndaj shthurjes disi të protestës, por edhe kënaqësisë së konstatimit se ndryshimi është ende herët të ndodhë. Kjo është një çështje që antropologët mund ta trajtojnë për vendet e dala nga komunizmi, si yni: si një konfuzion mental dhe paqartësi ideore. Zyrtarët e sotëm shqiptarë i kanë shtuar protestës edhe ndikimin e madh të huaj, Do të mjaftonte një prononcim i njërit prej nismëtarëve më të angazhuar Arben Kola, ku ai citohet duke thënë për mediat: “Ka grupe greke dhe serbe në protestë, do t’i nxjerrim me emra” që kryeministri të merrte revansh. Pak orë para kësaj, Ministri i Brendshëm kumtoi largimin dhe shpalljen non-grata për një personazh që është përfolur për lidhje me Iranin. Lista është e gjatë, por ajo që të shqetëson është tashmë hibridizimi i goditjeve dhe mënyra sesi shikohet tashmë goditja ndaj bizneseve dhe apeleve që po bëhen për koncertin e Kanye Ëest (e tepruar ardhja e tij në vendin tonë, por kjo është temë tjetër).
Kineasti i madh amerikan Oliver Stone e tregoi të gjithë strukturën e Euromaidanit në Ukrainë në vitin 2014, ku grupime të ndryshme duke nisur nga profashistë dhe lloj-lloj grupimesh kërkonin protagonizmin. Përmes filmave: “Ukraina on fire” (Ukraina në zjarr, 2016) dhe “Revealing of Ukraina” (Zbulimi i Ukrainës,2019), realizuar nga Igor Lopatonok dhe me intervistat e Oliver Stone me figura si Vladimir Putin dhe Viktor Janukoviç, zbuluan shumë gjëra për antropologjinë e protestave të sotme. Paçka vrasjeve që ndodhën, ku viktima ishin edhe protestues ashtu edhe oficerë policie, ai arriti të këmbëngulë se agjitatorë të palëve të treta të jashtme të sjellë nga fraksione pro-perëndimore qëlluan mbi turmat për të maksimizuar kaosin dhe për të detyruar Janukoviç të largohej.
Tashmë kjo është arkivuar në histori, ashtu si një vit më vonë protesta në Maqedoni e Veriut dhe ajo në Bullgari dhe kjo që po ndodh me intervale në Serbi. Ajo që protestuesit në Shqipëri duhet të kuptojnë është se po merremi me pasojat, ndërsa shkaqet janë shumë më të thella, ku ndër të parat mbesin padrejtësia, prapambetja dhe informaliteti dhe mbi të gjitha hapësira ku fuqitë po luajnë për interesa të tyre. Kjo sot të bën ta kuptosh realitetin në protestë dhe peshën mbi të, ku dashuria për ndryshimin dhe demaskimin e padrejtësive nuk po e bën dot ndryshimin politik dhe mbi të gjitha as nuk e lëviz dot. Duket sikur regjimet politike si në Tiranë, në Shkup dhe sidomos në Beograd i mirëpresin protestat sepse i kthejnë në interes dhe përfundimet mbesin krejt të njëjtat, ku asgjë nuk ndryshon. Në Tiranë thjesht i tulati autoritetet, ndërkohë që Rama mundi të maste edhe se cilët nga të tijët mund ta përballonin peshën.
Këtu hyn antropologjia, ku pushteti i sotëm po punon me taktikën e zvarritjes, ose të ashtuquajturin paradoksi i “Ndryshimit Pa Ndryshim” çka të bën të kuptosh se vërtetë protestuesve u lejohet ta shprehin frustrimin dhe zemërimin e akumuluar kundër korrupsionit, por pa rrëzuar në të vërtetë rrjetet e patronazhit të rrënjosura thellë të shtetit. Kësaj i shtohet “Politika e nostalgjisë”, ku antropologët kanë fushë të madhe nga kjo protestë të gjejnë motivin e dështimit të premtimeve demokratike dhe sensin e një ndjenjë të përhapur të së ardhmes së vjedhur. Shumë nga sloganet e paraqesin hapur këtë. Duket se ka një nostalgji të vazhdueshme të fshehur për sigurinë shoqërore të ish- shtetit socialist. Por, mbi të gjitha “Flamingot” do t’i ndihmojnë antropologët për deshifrimin e metaforave të memeve të jashtëzakonshme, si edhe shumësinë e ankesave që po i zënë vendin njëra-tjetrës në protestë dhe që kanë prekur identitetin e shqiptarit të sotëm. Pikërisht në këtë lëmë, për kujtesën, ka një minierë studimi për Revolucionin jo me ngjyrat e forta por ato rozë të Flamingove. Atë që njerëzit e politikës e shikojnë shumë ftohtë dhe me cinizëm me shpresën se: Ashtu si nisi do të mbarojë. Dhe, kanë pse të kënaqen, arritën të kalojnë dhe këtë dallgë, që desh i përmbysi…Anipse për antropologët “Flamingot” do të thonë shumë për shqiptarin e ri, ai që do të përballojë trandjet e një bote, e cila nuk di më të qetësohet. (Homo Albanicus)











