Gazeta Dita ka nisur botimin e “paradokseve” që sociologu dhe intelektuali i njohur publik, Fatos Tarifa, ka definuar në një prej librave të tij të fundit, titulluar Fjalor i paradokseve (botim i Onufrit). Redaksia e Ditës ka lejen e autorit për t’i riprodhuar paradokset që shpjegohen në këtë libër në faqet e saj, integralisht dhe në rend alfabetik, siç janë botuar nga vetë autori, për t’ua bërë ato të njohura një publiku sa më të gjerë. Sot po vijojmë me paradokset e renditura në shkronjat O deri në Q.
Nga Fatos Tarifa
O – Q
O
OBJEKTIVITET SHKENCOR. Në shkencë nuk është e pamundur të marrësh një rrugë të gabuar, por seduktive dhe politikisht oportune. Por, nëse jemi të ndershëm me veten tonë, si shkencëtarë, dhe kemi vullnetin të ndjekim të vërtetën kudo që e shohim atë, duke përdorur të gjitha faktet që kemi në dispozicion, të padeformuar nga retorika dhe nga autoriteti, të ekzaminuar në mënyrë kurajoze e skrupuloze dhe të verifikuar në masën më të madhe të mundshme, pavarësisht se ku na çojnë këta fakte, atëherë mund të themi se kemi marrë rrugën e drejtë.
OBSESION. Marrëzi. Rrezik.
OPTIMIST. Realist përtej së arsyeshmes.
ORIGJINAL. Mendimi i grekëve të lashtë. Çdo mendim tjetër e ka origjinën e vet tek ata. Alfred North Whitehead dhe Bertrand Russell mendonin se e tërë tradita filozofike europiane s’është gjë tjetër veçse “një sërë shënimesh mbi Platonin”. Idealizmi i Hegeli gjendet te Patoni. Kanti mori nga Platoni kategoritë, ndërsa Wittgenstein atomizmin logjik.
P
PARAJA. Një shpikje e hershme e njerëzimit që shpjegon gjithë historinë e dhunshme të zhvillimit të tij.
PASION INTELEKTUAL. Pasionet intelektuale, kur bëhen pasione shpirtërorë të vërtetë, janë si dashuritë që provojmë gjatë jetës, prej të cilave asnjëra nuk e shuan dot krejtësisht kujtimin, çiltërsinë dhe magjinë e premier amour.
PASURI. Vlera dhe dobia e saj përcaktohen nga ai që e posedon atë. Më mirë një njeri i varfër, sesa një i pasur që s’është njeri. Nderi dhe emri i mirë kanë më shumë rëndësi sesa tërë pasuria e një njeriu të pandershëm dhe që s’gëzon respektin e askujt.
PEMË. E dhimbshme të shohësh një të prerë. Shenjë e dhunës njerëzore mbi natyrën.
PËRFUNDIM. Nuk ka të tillë.
PËRKUFIZIM. Kufizim.
PËRSHTATJE. Bashkëjetesë.
PËRRALLË. “Nuk ka përralla më të bukura sesa ato që krijon vetë jeta” (Andersen).
PIKTURË. Kritikët e artit, si rregull, çmojnë më shumë ato piktura që nuk na pëlqejnë e që nuk i kuptojmë, madje, shumë herë, ato që nuk i kuptojnë as ata vetë.
PLEQËRI. Pleqëria nuk ka të bëjë me vdekjen, as me moshën, por me jetën. Nuk plaket, ose plaket më vonë ai njeri që përgatitet për pleqërinë kur është i ri. Nëse nuk përgatitesh për këtë në rini, kur bëhesh 70 vjeç, 35-vjeçari brenda teje do të të pyesë: “Ç’ndodhi me mua”? Njeriu luan, punon, krijon, dashuron, është i lumtur dhe vuan në çdo moshë. George Bernard Shaw thoshte se “ne nuk pushojmë së luajturi sepse plakemi; ne plakemi sepse pushojmë së luajturi”.
POET. Si rregull, një njeri i varfër dhe i dashuruar.
POEZI. Poezia ka të bëjë me të vërteta universale, në dallim nga historia, e cila merret me fakte dhe ngjarje të veçanta e të përkohshme, pa mundur që të thotë të vërtetën për to.
POLIGAMI. Ne, Homo sapiens, jemi pasardhës të pararendësve tanë primatë (protohumanë) hiperseksualë dhe gjenetikisht të programuar për të qenë poligamë. Instinktet seksuale si te burrat dhe te gratë, si dhe sjellja jonë seksuale janë rrjedhojë—dhe dëshmi—e promiskuitetit që ka karakterizuar sjelljen seksuale gjatë mijëvjeçarëve në të cilët ka evoluar specia jonë njerëzore. Edhe nëse disa prej nesh arrijnë të ngrihen mbi këtë aspekt të natyrës sonë, impulset e parandërgjegjshëm mbeten origjina jonë biologjike. Forca e vullnetit, e shoqëruar nga një ndjenjë e fortë faji, frike, ose turpi mund të sigurojë njëfarë kontrolli mbi këto nxitje dhe impulse, por, edhe kur arrijmë t’i kontrollojmë këta impulse, ata refuzojnë të injorohen. Mensch kann tun was er will, er kann aber nicht wollen was we will—“Njeriu mund të zgjedhë se çfarë do që të bëjë, por jo se çfarë ai do” (Schopenhauer).
POLITIKAN. Gënjeshtar profesionist. Sokrati thoshte: “Unë isha shumë i ndershëm për të qenë një politikan dhe të jetoja si i tillë”.
PREMTIM. Që qytetarët t’i votojnë, politikanët duhet që t’u bëjnë premtime. Kurrë nuk mund të ndodhë që një politikan, që kërkon votën e qytetarëve, të mos premtojë asgjë, pra edhe të mos gënjejë. Lie or Lose! (Gënje ose humb!). Politikanët u thonë qytetarëve ato gjëra që këta të fundit duan të dëgjojnë, ashtu si një burrë i thotë një gruaje se duket bukur me veshjen e re që ka blerë dhe asaj i pëlqen t’i dëgjojë këto fjalë prej tij, edhe nëse dyshon në sinqeritetin, madje edhe në luajalitetin e tij.
PRIFT. Kurrë nuk e kam kuptuar se ç’është një prift. Përse janë të dobishëm priftërinjtë? Volteri thoshte: “Njerëzit kurrë nuk do të jenë të lirë derisa me zorrët e priftit të fundit të varet edhe mbreti i fundit” (Poésies Diverses, 1875).
PROBLEM. Nëse dimë ta formulojmë, mund edhe t’i gjejmë zgjidhje.
PROFESOR. Titull që në Shqipëri e ka humbur kuptimin e vet. Shumë njerëz e mbajnë, fare pak janë ata që e meritojnë.
PROGRES. Progresi është gjithmonë si një pilgrimazh: dy hapa para, një hap prapa. Kur bëjnë një hap prapa, njerëzit harrojnë dy hapat që kanë bërë përpara.
PROGRES INTELEKTUAL. Karl Popper mendonte se progresi intelektual realizohet përmes krijimit të urave mes kornizave konceptuale dhe paradigmave të ndryshme. Anthony Giddens beson se progresi në fushën e mendimit realizohet përmes një dialogu të vazhdueshëm, në luftë me ato paragjykime që i ndajnë dhe i armiqësojnë palët me njëra-tjetrën.
PROGRES SHOQËROR. Progresi shoqëror bazohet në dije. Ai nënkupton zgjerimin e pushtetit të njeriut mbi natyrën dhe ipso facto zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve njohëse e transformuese të njeriut. Këto prerogativa marrin vlerën e tyre sidomos kur i shërbejnë zgjerimit të dimensioneve të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor të çdo individi.
PROGRES TEKNOLOGJIK. Progresi teknologjik e ka rritur së tepërmi shkallën e lirisë së individit, por ai përmban gjithnjë e më shumë edhe rrezikun që individi të bëhet pre, ose viktimë e pasojave të padëshirueshme që prodhon ai. Ulrich Beck vinte në dukje se trajektorja e zhvillimit teknologjik na shpie nga një shoqëri moderne, në një shoqëri të rrezikut (risk society), pasi zhvillimi shkencor e teknologjik shoqërohet nga nënprodukte të padëshirueshme e të rrezikshme. Këto të fundit janë çmimi që shoqëria paguan për modernizimin e saj, madje një çmim shumë i lartë, pasi rreziqet e modernitetit—ngrohja globale, ndotja e mjedisit apo kontaminimi nuklear—rrezikojnë tashmë vetë ekzistencën e formës humane të jetës.
PROPAGANDË. Mashtrim, edhe nëse mbështetet në premisa relativisht të vërteta.
PRONË. Një pasuri që mund ta vësh lehtë, por edhe mund ta humbasësh lehtë. E vetmja pronë që mbetet përherë jotja është ajo që e ndan me miqtë e tu të vërtetë.
PROZË. E folura e përditshme. Çdonjëri nga ne është një prozator. Monsieur Jourdain: “Il y a plus de quarante ans que je dis de la prose, sans que j’en susse rien” (Molière, Le Bourgeois gentilhomme, 1670).
Q
E QESHURA. E qeshura është distanca më e shkurtër mes dy njerëzve dhe, si e tillë, ajo s’ka vend më të natyrshëm sesa në dashuri. Woody Allen është, ndoshta, shkrimtari dhe artisti që na ka dhënë kombinimin më të këndshëm e më harmonik të seksit me të qeshurën me trajtimin prej tij të seksit si surrealist dhe të pasur me humor.
QYTETËRIM. Të gjithë qytetërimet janë sinkronikë, si enët komunikuese; ata japin e marrin mes njëri tjetrit, shkëmbejnë, bashkëjetojnë, adaptohen dhe transformohen nën ndikimin e qytetërimeve të tjerë.