Gazeta Dita ka nisur botimin e “paradokseve” që sociologu dhe intelektuali i njohur publik, Fatos Tarifa, ka definuar në një prej librave të tij të fundit, titulluar Fjalor i paradokseve (botim i Onufrit). Redaksia e Ditës ka lejen e autorit për t’i riprodhuar paradokset që shpjegohen në këtë libër në faqet e saj, integralisht dhe në rend alfabetik, siç janë botuar nga vetë autori, për t’ua bërë ato të njohura një publiku sa më të gjerë. Sot po vijojmë me paradokset e renditura në shkronjat G dhe I.
Nga Fatos Tarifa
G – I
GËNJESHTËR. Të gënjesh është njerëzore (To lie is human). Të gjitha qeniet njerëzore gënjejnë. Diogjeni, filozofi i lashtë grek, edhe pse tërë jetën e kaloi duke kërkuar një njeri të ndershëm, i cili të mos gënjente, vdiq pa gjetur dot një të tillë.
GLOBALIZIM. Një proces historik që shënon një transformim rrënjësor të kushteve hapësinore të organizimit shoqëror të njerëzimit. Pavarësisht ideologjive antiglobalizuese dhe kritikave të shumta që i bëhen sot këtij procesi, “globalizimi i bën mallrat më të lirë, njerëzit më të lirë, ekonomitë më të forta dhe kulturat më të pasura” (Niall Ferguson). Globalizimi mund të konsiderohet, pra, një lajm i mirë për këdo.
GREQISHT. Çdo gjë që unë nuk e kuptoj (It’s Greek to me).
GRUA. Askush nuk e ka thënë më bukur sesa Marilyn Monroe: “Një ndër gjërat më të mira që më ka ndodhur në jetë është se jam grua. Kështu duhet të ndihen të gjitha gratë”.
GJ
GJAKMARRJE. Një dukuri shoqërore shumë e lashtë dhe tepër komplekse. Per Weber-in, gjakmarrja është një institucion universal. Ajo ka ekzistuar te të gjithë popujt dhe në të gjitha kulturat, ndërsa ruajtja e rendit përmes institucionit të policisë është një dukuri kryesisht moderne dhe perëndimore. Shoqëritë perëndimore, sipas tij, kanë kaluar nga gjakmarrja te pushteti policor dhe, prandaj, këta dy institucione—gjakmarrja dhe forca policore—mund të kuptohen si skajet ekstreme të një linje zhvillimi. Weber erdhi në përfundimin e rëndësishëm se, gjakmarrja mbetet e vetmja mënyrë për mbrojtjen e sigurisë personale në ato shoqëri që nuk kanë një aparat të integruar për administrimin e legjitimuar të forcës.
GJENI. Gjeniut i falen veset individuale dhe gabimet njerëzore. Marksi ishte një njeri i vështirë, por i madh. Sartri ishte akoma më i vështirë, por gjithashtu i madh. Dostojevski ishte një njeri shumë i vështirë, por një kolos i vërtetë në letërsi. Hemingueji gjithashtu ishte shumë i vështirë si njeri, veçanërisht me gratë, por kush mund të matet me të për nga gjenia letrare?
GJIROKASTËR. Një qytet i ndërtuar i tëri mbi gurë, me gurë dhe nën gurë. Nëse ky qytet nuk do të ekzistonte realisht, mendja njerëzore nuk do të mund ta përfytyronte dot.
GJUHA. Origjina shoqërore e njeriut dhe, njëherësh, shpikja më e përsosur e tij.
GJUMI. Një vdekje e përditshme, pa të cilën nuk do të kishim jetë të nesërmen.
H
HABITUS. Habitusi ynë ka të bëjë me kulturën dhe vetë kultura, siç thoshte John Stuart Mill, ka të bëjë me jetën e ndjenjave (life of feelings), me eksperiencat e brendshme dhe me perceptimet subjective që nuk kanë vend në botën utilitare të marrëdhënieve ekonomike. Të gjitha këto, në kushtet e modernitetit, ndryshojnë, duke krijuar, nëse përdor një shprehje të Giddens-it, një “luftë civile” mes kulturës dhe shoqërisë.
HAPËSIRË. Gjithnjë e mjaftueshme nëse dimë ta shfrytëzojmë, edhe pse shumica e njerëzve ankohen për mungesën e saj.
HAVEL (Vaclav). Me përjashtim, ndoshta, të Franc Kafkës, unë nuk di ndonjë shkrimtar tjetër modern, filozofia politike e të cilit, në traditën e humanizmit europian, të ketë qenë, ose të jetë më frymëzuese sesa ajo e Havelit. Mënyra më e mirë për ta portretizuar atë, është ajo e një heroi kafkian të kohës sonë, një zë i fuqishëm që na thërret të gjithëve të kthehemi në strehën e përbashkët të humanitetit tonë dhe që e grish Europën të njohë shpirtin e saj kulturor. Haveli është, ndoshta, i vetmi shkrimtar, të cilin e bëri të madh jo arti i tij, por politika e tij.
HESHTJE. Heshtja nuk ekziston në botën e të gjallëve, prandaj edhe s’mund ta dimë se ç’është.
HIGJENË. Qytetërim.
HIPERKULTURË. Një kulturë që lëviz shumë shpejt për të qenë humanisht e dobishme. Në jetët tona sundohemi nga pushteti i së tashmes, nga pushteti i një së tashmeje insistuese që nuk njeh asnjë dimension tjetër kohor. Në një shoqëri të tillë pak gjëra zgjasin, ose mendohet se duhej të kishin jetëgjatësi. Në të kundërt, ne rrethohemi nga një fluks i pandërprerë dhe, për rrjedhojë, duket se nuk ka vend për një përkushtim pasionant, përsa kohë që nuk ka asgjë të përhershme së cilës t’i përkushtohemi.
HIPOKRIT. Sa herë që një shkrimtar lavdëron veprën e një shkrimtari tjetër, ai tregohet hipokrit.
HOLLANDA. Askund nuk ndihesh më i lirë sesa në Hollandë.
HUMANITET. Humaniteti nënkupton ndërvarësinë e qenieve njerëzore si të tilla dhe dinjitetin njerëzor të çdo individi.
HUMANITETET. Humanitetet janë ruajtësit e trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Përmes tyre njohim, çmojmë dhe shijojmë thesarët e paçmuar që përmbajnë artet, letërsia, historia, filozofia.
HUMANIZËM. Humanizmi afirmon aftësitë dhe përgjegjësitë tona, si individë, në raport me veten dhe me shoqërinë, duke informuar e frymëzuar te çdo njëri nga ne parimet e një jete etike të shëndetshme, të jetuar mirë, të lumtur e të dobishme.
I
IDEAL. Një dër fjalët më të shpërdoruara.
IDEOLOGJI. Tipar esencial i çdo ideologjie është se të vërtetën që duhet zbuluar ajo e konsideron të njohur e të pranuar qysh më parë. Çdo ideologji evidenton dhe propagandon ata fakte empirikë që mbështesin kredon apo dogmën e saj, duke nënvlerësuar ose mohuar në mënyrë absolute çdo evidencë tjetër empirike që e vë në pikëpyetje, ose e përgënjeshtron këtë kredo. Ky proces seleksionimi mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, madje edhe kur faktet empirikë që e kundërshtojnë një doktrinë ideologjike të caktuar bëhen një realitet që s’mund të mohohet. Projeksioni ideologjik vjen në kundërshtim me çdo kërkim të mirëfilltë empirik dhe me çdo formë të arsyetuari kritik që përpiqet të provojë hipoteza, ose të vlerësojë prova empirike të ndryshme apo të kundërta nga ato të pranuara “universalisht”, të cilat mund të çojnë në revizionimin, ose në heqjen dorë nga supozimet e pranuara më parë.
IDENTITET PERSONAL. Askush nga ne nuk e di se cilët jemi derisa zbulojmë dhe kuptojmë se çfarë mund të bëhemi. Brenda secilit prej nesh fshihet individi që ne ende s’jemi bërë.
IMAGJINATË. Një mënyrë të planifikuari. Pa aftësinë për të imagjinuar ne do të humbisnim mundësi të panumërta në jetë. Edhe pse ne nuk mund të bëjmë çdo gjë, imagjinata mund të bëhet nxitje për çdo gjë.
INDIVID. John Lock e shihte individin si pronar të trupit të vet (një formë e pronës private), që mund të përdoret, shkëmbehet (në martesë), shitet (në prostitucion), ose ndryshohet (kozmetikisht, atletikisht ose transseksualisht) nga një subjekt human, që duhet të jetë aq “i lirë” sa dhe tregu.
INTERES PUBLIK. Interesi publik ka të bëjë me disa të mira universale që besohet se i shërbejnë çdo anëtari të shoqërisë. Në fakt, ne s’mund të dimë se cilat të mira janë të këtij lloji. Jeremy Bentham mendonte se kriteri më i mirë për përcaktimin e tyre është ai i “së mirës më të madhe për pjesën më të madhe të popullsisë” (the greatest good for the greatest number), kriter në bazë të të cilit ai besonte se mund të arrihet çdo marrëveshje mes njerëzve. Një kriter i tillë, sidoqoftë, nuk pranohet universalisht.
INTERNET. Pjesë integrale e jetës në shoqërinë e sotme, një hapësirë në të cilën individi komunikon, mëson, punon dhe luan. Kufiri që ndan jetën tonë fizike nga ajo digjitale po bëhet gjithnjë e më i padukshëm. Ndërsa përdorimi i Internetit mundëson angazhimin shoqërisht të shumë individëve, ai, gjithashtu, krijon, më shumë individë të izoluar nga shoqëria, pasi e pakëson dukshëm kohën që individi kalon me familjen e tij dhe i dobëson lidhjet e tij shoqërore, ndërkohë që rrit vetminë dhe depresionin te shumë njerëz. Për mirë ose për keq, bota e sotme dhe jetët tona janë digjitalizuar në një mënyrë të tillë që s’mund të ketë kthim prapa.
INTIMITET. Raporti që krijon çdonjëri nga ne me veten e vet. Që të mund të bëhesh intim në marrëdhënie me dikë tjetër, duhet më parë të guxosh të bëhesh intim me veten tënde.
INJORANCË. Refuzimi për të mësuar atë çka ti beson se e di.
ITALIAN. Gjithnjë do të ketë italianë, edhe sikur të mos mbetet këmbë njeriu në planetin tonë.