• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 5, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Fjalor i paradokseve (II)

by Fatos Tarifa
16/09/2024 13:54
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Gazeta Dita ka nisur dje botimin e “paradokseve” që sociologu dhe intelektuali i njohur publik, Fatos Tarifa, ka definuar në një prej librave të tij të fundit, titulluar Fjalor i paradokseve (botim i Onufrit). Redaksia e Ditës ka lejen e autorit për t’i riprodhuar paradokset që shpjegohen në këtë libër në faqet e saj, integralisht dhe në rend alfabetik, siç janë botuar nga vetë autori, për t’ua bërë ato të njohura një publiku sa më të gjerë. Dje publikuam shkronjën A dhe disa fragmente nga parathënia që Prof. Tarifa ka shkruar për këtë libër. Sot po vijojmë me paradokset e renditura në shkronjat B dhe DH.

 

Nga Fatos Tarifa

B-DH

B

BARAZI. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën të, çka do të thotë se askush nuk është e s’mund të jetë i përjashtuar nga detyrimi për të zbatuar ligjin.

BAROK. Një ndër dy llojet e seksit. Seksi klasik është romantik, refleksiv, serioz, emocional, “moral”, misterioz, spontan, i fokusuar te një person i veçantë dhe konvencionalisht feminin. Seksi barok është pop, i gjallë, eksperimentues, “amoral”, anonim, i qëllimshëm, i fokusuar te ndjesia për hir të ndjesisë dhe konvencionalisht maskulin.

BASHKËBISEDIM. E gjejmë në tri forma: si dialog (kur dy njerëz shkëmbejnë mendime), si dualog (kur dy njerëz flasin me njëri-tjetrin por nuk komunikojnë), si monolog (kur gjithnjë flet i njëjti njeri, ndërsa tjetri vetëm dëgjon, ose bën sikur dëgjon).

BASHKIMI EUROPIAN. Një projekt dhe një eksperiment madhështor i inxhinierisë sociale për të realizuar një integrim të plotë ekonomik e politik të të gjithë shteteve europianë, pa lejuar asnjërin prej tyre të dominojë mbi të tjerët. Disa euroentuziastë e konsiderojnë Bashkimin Europian si një lloj qytetërimi të ri, që gjoja i ka shpëtuar “botës hobesiane” të anarkisë dhe sot jeton në një “botë kantiane” paqeje, në një botë “post-historike”, “post-Westfaliane”, “post-moderne”, në të cilën interesat kombëtare partikulariste të shteteve dhe politika e forcës ua kanë lënë vendin së drejtës ndërkombëtare, institucioneve supranacionale dhe “sovranitetit në ortakësi”. Disa, madje, e konsiderojnë BE-në si një “model” për mënyrën se si do të duhej të organizohej bota në shekullin e 21-të, ose si një “laborator për të ardhmen e mbarë njerëzimit”. Ky vizion, të cilin për herë të parë e gjejmë te Viktor Hygo, i cili fliste për “Shtetet e Bashkuara të Europës”, sado i iluminuar që është, nuk ka gjasa të materializohet në një Europë, i cila, pavarësisht paqes së gjatë dhe prosperitetit të arritur qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, vuan një krizë strukturore, një krizë legjitimiteti dhe ipso facto dëshmon deficitin demokratik të Bashkimit Europian. Nëse integrimi europian nuk thellohet në drejtim të federalizimit të Europës (siç mendonte George Washington 230 vite më parë dhe siç argumenton Anthony Giddens në ditët tona, pesha dhe roli i BE-së në ekonominë dhe në politikën globale do të bien përballë Amerikës, Kinës dhe fuqive të tjera që po ngrihen dhe vetë Bashkimi Europian mund të shpërbëhet.

BEATLES (The). Askush nuk ka qenë e s’mund të jetë si ata. The Beatles e ndryshuan peizazhin kulturor të Amerikës dhe ndikuan te rinia amerikane më shumë sesa kushdo nga idhujt e mëparshëm të saj. Idioma e muzikës së tyre—liri, dashuri, kënaqësi—ndryshoi shumëçka. Për ta do të flitet edhe pas njëmijë vitesh.

BEQAR. Dikush që ende nuk ka vendosur të martohet. Benedict: “Kur thoja se do të vdisja beqar, nuk mendoja se do të rroja deri sa të martohesha” (Shekspir, Shumë zhurmë për asgjë).

BESË. Premtim për të cilin flasin më shumë ata që nuk e mbajnë.

BESIM. Arma më e fortë për të arritur atë që duam.

BRANDO (Marlon). Pothuajse gjithçka që ai bëri ishte revolucionare. Asnjë aktor tjetër nuk ka qenë origjinal si ai.

BRAIN DRAIN. Humbja e njerëzve të talentuar e me përvojë është po aq serioze, në terma afatgjatë, sa edhe rrjedhja e parave jashtë vendit. Athina nuk e mori kurrë veten nga ikja e “trurit” të saj në Aleksandri, në kohën e sundimit të Ptolemeut, kur një numër i madh intelektualësh e lanë qendrën e dikurshme të kulturës, të artit e të filozofisë greke për t’u bërë pjesë e atmosferës intelektuale shumë më atraktive të Aleksandrisë. Kostandinopoja, ndonëse u rindërtua menjëherë nga turqit, nuk e mori më lidershipin e saj kulturor e shkencor pas emigrimit masiv të intelektualëve të saj në Europë, çka ndikoi mjaft në rigjallërimin kulturor të Europës, në zhvillimin shkencor e humanist të saj dhe, më vonë, në Rilindjen Europiane.

BURG. Vendi më i natyrshëm për kriminelët, politikanët dhe vetë juristët (Shekspir: “The first thing we do, let’s kill all the lawyers”, Henry IV).

BUTËSI. Një cilësi që e çmoj më shumë te njerëzit me karakter të fortë.

BUZËQESHJE. Buzëqeshja më e bukur është ajo e syve; kjo mund të quhej syqeshje.

 

D

DASHURI. Diçka që e japim jo për të marrë, por për të dhënë. Në dashuri, ashtu si dhe në politikë, në më të shumtën e rasteve fjalët dhe veprat nuk janë e njëjta gjë. Ajo çfarë themi për dashurinë, ose në emër të saj, nuk është gjithnjë e njëjtë me atë që bëjmë për të, ose në emër të saj.

DEMOKRACI. Një sistem politik që nuk i mundëson askujt të bëhet më i fuqishëm sesa populli. Fatkeqësisht, deri më sot, përveçse në teori, një sistem i tillë ende nuk është provuar se mund të ekzistojë realisht.

DEMOKRACI EUROPIANE. Bashkimi Europian nuk përfaqëson një demokraci parlamentare. Parlamenti Europian nuk krijon një qeveri europiane demokratike.

DËSHIRË. I’ve a mind to build a new world, want to play? Unë dua të ndërtoj një botë të re, dëshiron të bashkohesh edhe ti me mua? (Nikki Giovanni, A Very Simple Wish).

DET. Një botë e lirë, pa kufij, si çdo të dëshiroja të ishte bota në të cilën jetojmë. (Njeriu-peshk i Anaksimandrit).

DIJE. Dija është kujtesë sociale, një lidhje me të shkuarën; por ajo është edhe shpresë sociale, një investim për të ardhmen. Aftësia për të krijuar dije dhe për ta përdorur atë është një karakteristikë adaptuese e çdo qenieje njerëzore dhe e çdo organizimi shoqëror. Është përmes dijes që ne, si qenie humane, riprodhojmë vetveten dhe përsosemi përherë e më shumë, si individë dhe si shoqëri. Prodhimi i dijes është i pakufizuar dhe aksesi ndaj saj duhet të jetë universal. Unë nuk besoj se ka gjëra, të cilat do të ishte më mirë të mos i dinim, ose gjëra, që duhet t’i dinë vetëm disa njerëz, njëlloj siç nuk besoj se ka pikëpamje, të cilat nuk duhen shprehur. Sa më shumë ide dhe sa më shumë informacion që ne prodhojmë, aq më të mëdha janë mundësitë që të marrim vendime të drejta për të përmirësuar kushtet e ekzistencës, të mirëqenies e të përsosjes sonë si individë dhe si shoqëri.

DIMËR. E vetmja stinë që ndahet në dy vite, si një liqen i ftohtë që ndahet me kufi mes dy shtetesh.

DITËLINDJE. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse njerëzit i festojnë ditëlindjet e tyre. Në fakt, kjo është një sjellje irracionale.

TË DREJTA NJERËZORE. Njerëzit kanë identitete unike, që krijohen biologjikisht, shoqërisht e kulturalisht. Të drejtat e njeriut burojnë pikërisht nga kjo premisë, që njerëzit, pavarësisht dallimeve mes tyre, kanë të përbashkët një gjë esenciale—humanitetin—të qenët qenie njerëzore dhe të pasurit e aspiratave njerëzore. Këto të drejta janë “humane” sepse të gjitha qeniet njerëzore i kanë ato—njëlloj dhe në të njëjtën masë—për shkak të humanitetit të tyre, pavarësisht seksit, racës, moshës, pozitës shoqërore, klasës së cilës i përkasin, origjinës ose përkatësisë etnike, pavarësisht nëse janë të varfër ose të pasur, pavarësisht profesionit, talentit, meritave, fesë, ideologjisë ose përkatësive të tjera. Për shkak se kanë të bëjnë me humanitetin e çdo individi, të drejtat e njeriut janë universale; ato janë të patjetërsueshme e të padhunueshme. Këto të drejta nuk mund të transferohen, të mos i njihen, t’i mohohen, t’i hiqen ose t’i rrëmbehen askujt, as kur njerëzit nuk arrijnë dot që t’i ushtrojnë realisht ato.

DREJTËSI. Drejtësia është e mira supreme; padrejtësia, e keqja më e madhe. Por drejtësia nuk është sinonim i ligjit. Gjykatat vendosin në përputhje me ligjin; ato nuk vendosin drejtësinë. Një shtet ligjor duhet të jetë edhe një shtet i së drejtës. Pas çdo ligji duhet të ketë drejtësi. Drejtësia duhet të jetë synimi më i lartë i ligjit. Rrjedhimisht, natyra dhe suksesi i çdo sistemi ligjor vlerësohen e maten me shkallën e besnikërisë së tij ndaj idealit universal të drejtësisë.

DRITË. Gjithçka që shohim dhe, për këtë arsye, burimi i parë i çdo gjëje që njohim.

DYSHIM. Gjithnjë më i mirë sesa besimi i verbër.

DH

DHUNË. Pavarësisht llojit të saj, dhuna kthehet gjithnjë mbi atë që e nis dhe e ushtron.

DHURATË. Nuk është çmimi që e përcakton vlerën e saj, por mendimi që e shoqëron atë dhe njeriu që e jep. Një dhuratë, sado e shtrenjtë, nuk ka vlerë nëse ajo nuk përmban një mendim të bukur.

Next Post
Britania e Madhe i “hap derën” një marrëveshje për emigrantët me Shqipërinë, si ajo me Italinë

Britania e Madhe i “hap derën” një marrëveshje për emigrantët me Shqipërinë, si ajo me Italinë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Kryetari i komanduar i PD bën biznes me Vangjush Dakon!”, Salianji: Berisha më ka thënë se…

“Berisha nuk duhet ta godasë politikisht Salianjin, një tjetër ndarje do ishte e rrezikshme për PD”

December 5, 2025
“Paguajmë sa qimet e kokës për…!”/ Habit Strazimiri: Shteti ka rënë, armiku ka në dorë sekretet tona

Takimet e Salianjit, Strazimiri: Vibrim i mirë në PD, nga ana tjetër një “kufomë” pa debat…

December 5, 2025
Ja sa u dënua secili prej të akuzuarve/ GJKKO jep vendimin për grupin e Habilajt

Ja sa u dënua secili prej të akuzuarve/ GJKKO jep vendimin për grupin e Habilajt

December 5, 2025
Lideri i Çeçenisë, “moskokëçarës” dhe me tone të ashpra: Gati për luftë me Europën nëse Putin jep urdhrin

Lideri i Çeçenisë, “moskokëçarës” dhe me tone të ashpra: Gati për luftë me Europën nëse Putin jep urdhrin

December 5, 2025
Bashkëmoshatari i tij e vrau me thikë në Durrës/ Në bankën e adoleshentit të ndjerë vendosen lule

Bashkëmoshatari i tij e vrau me thikë në Durrës/ Në bankën e adoleshentit të ndjerë vendosen lule

December 5, 2025
“S’jemi grup armiqësor”/ I riu demokrat që iu bashkua Foltores së Salianjit, i përgjigjet Berishës: PD të ristrukturohet

“S’jemi grup armiqësor”/ I riu demokrat që iu bashkua Foltores së Salianjit, i përgjigjet Berishës: PD të ristrukturohet

December 5, 2025
FOTOT/ Nga Yuri Kim te Alexander Arvizu, ja si duken sot diplomatët amerikanë që shërbyen në Shqipëri. Të pranishëm për festën e 113-vjetorit të Pavarësisë në..

FOTOT/ Nga Yuri Kim te Alexander Arvizu, ja si duken sot diplomatët amerikanë që shërbyen në Shqipëri. Të pranishëm për festën e 113-vjetorit të Pavarësisë në..

December 5, 2025
Ish-Presidenti Meta kërkon sërish lirinë, kërkesa shqyrtohet të premten nga gjyqtarja Irena Gjoka

Shtyhet për 22 dhjetor seanca e gjykimit për ish-presidentin Ilir Meta/Urdhërohet SPAK që t’i japë fashikujt e dosjes

December 5, 2025
Milaim Zeka, gazetari i njohur nga Kosova paraqitet në SPAK (VIDEO)

Milaim Zeka, gazetari i njohur nga Kosova paraqitet në SPAK (VIDEO)

December 5, 2025
Seanca në GJKKO për Ilir Metën.. Ja çfarë deklaroi një nga mbrojtësit e ish-presidentit (VIDEO)

Seanca në GJKKO për Ilir Metën.. Ja çfarë deklaroi një nga mbrojtësit e ish-presidentit (VIDEO)

December 5, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In