Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit solli dje në kujtesë fjalimin e diktatorit Enver Hoxha më 6 shkurt të vitit 1967 që nënshkroi një periudhë të vështirë për besimin fetar në Shqipëri. Nga fjalimi famëkeq i diktatorit komunist Enver Hoxha, mbajtur më 6 shkurt 1967, nisi etapa më tragjike e një populli të tërë, atij shqiptar. Siç tregoi më vonë historia, komunizmi ateist edukoi një brez të tërë pa ndërgjegje, pra me ideale çnjerëzore, me mungesën e respektin për personin për lirinë e tjetrit. Nga diktatura e ideologjisë komuniste, u persekutua kleri në përgjithësi e asaj katolikë në veçanti, u shkatërruan Tempuj e Hyjit, u ndalua liria e besimit fetar, e së bashku me këtë u shkatërruan edhe vlerat e vërteta të traditës shqiptare, e kështu u vendosen themelet e një ferri të vërtetë. Nëse viti 1967, kur u ndalua feja në Shqipëri, do kishte një kalendar të veçantë për ngjarjet që sollën këtë vendim, dita e tij e parë, do të ishte 6 shkurti. Më 6 shkurt, Enver Hoxha mbajti një fjalim që, sipas shumë studiuesve, i hapi rrugën shpalljes së Shqipërisë vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë. Kjo ligjërisht ndodhi më 13 nëntor 1967, kur me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor u shfuqizuan të gjitha dekretet që aprovonin veprimtarinë fetare në vend, megjithatë kur vjen puna te ndalimi i fesë në Shqipëri, data që përmendet më shpesh është 6 shkurti 1967.
Diktatori Enver Hoxha shpalli “Revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë dhe pushtetit”, i cili pasoi me një fushatë të egër kundër fesë dhe klerit. Pas këtij fjalimi, regjimi filloi një valë terrori, duke shkatërruar më shumë se 2 mijë objekte të kultit dhe duke persekutuar besimtarët dhe klerikët e të gjitha feve. Përmes këtij fjalimi, Hoxha nisi luftën kundër ashtuquajturës “ideologjia fetare” dhe “zakonisht propagandës”, e cila çoi në persekutimin masiv të klerit dhe komunitetit fetar, deri në shpalljen e Shqipërisë si vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë, me një ligj të miratuar më 13 nëntor 1967. Lufta kundër fesë ka pasur pasoja tragjike për klerikët dhe besimtarët shqiptarë, shumë prej të cilëve u vranë ose u torturuan në burgje dhe kampe. Pas 6 shkurtit 1967, mbyllja e kishave dhe xhamive u intensifikua, dhe deri në vitin 1971, mbi 2000 objekte fetare u shkatërruan. Ky moment është një ndër ata që tregon qëndrimin radikal të regjimit komunist dhe është pjesë e një periudhe shumë të errët të historisë shqiptare. Në Kodin Penal të 1977-ës, ushtrimi i fesë dënohej me ligj me nenin 55. Më 11 prill 1967 dekreti nr. 4263 i Presidiumit të Kuvendit Popullor me propozimin e qeverisë shtetëzoi të gjitha pronat e komuniteteve fetare përpos ndërtesave ku kishin të vendosura selitë. Komunitetet fetare vazhduan ligjërisht aktivitetin e tyre deri më 13 nëntor të atij viti, kur me dekretin nr. 4337 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me propozim të qeverisë, shfuqizohen të gjitha statutet e komuniteteve fetare dhe ligji hyn në fuqi menjëherë.
FJALIMI
Enver Hoxha mbajti një fjalim në mbledhjen e përbashkët të organizatave-bazë të Partisë të Minierës së Qymyrgurit të Kërrabës, uzinës «Enver», kooperativës bujqësore “Vilhelm Pik”, Repartit Ushtarak nr. 5009 dhe Universitetit të Tiranës. Në këtë fjalim kërkonte ndryshime rrënjësore në rendin e deriatëhershëm në ushtri, në burokraci dhe luftimin e zakoneve prapanike, por duke qenë që në këto zakone, komunizmi dhe Hoxha përfshinin edhe fenë, fjalët e thëna rreth saj, siç tregojnë ngjarjet e mëpasshme, u morën si urdhër i prerë kundër fesë. Ky ishte synimi dhe mesazhi i tyre duke qenë që brenda vitit, feja u ndalua me dekret; në Kushtetutën e vitit 1976 u sanksionua se “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor” dhe së fundi, në Kodin Penal të 1977-ës, ushtrimi i fesë dënohej me ligj me nenin 55. Çështja e fesë del që në fillim të atij fjalimi rreth 14 mijë fjalësh kur Enver Hoxha pyet: “Si mund të quhet në pozita pararojë ajo organizatë-bazë partie e Portit në Durrës dhe si mund të quhet në pozita revolucionare ai punëtor i këtij porti që ditën punon mirë, dallohet, bile edhe lavdërohet, kurse në mbrëmje në shtëpi bën ikona kishe dhe i shet në mëngjes në besimtarë privatë?”. Këtë dhe “zakone të tjera prapanike”, sipas Hoxhës, gjithë Partia dhe vendi duhen ngritur në këmbë që “t’i djegin me zjarr”. Fjalimi u botua të nesërmen, më 7 shkurt në gazetën “Zëri i Popullit”. Reagimi qe i menjëhershëm. Një ditë më vonë, më 8 shkurt, gazeta “Zëri i Popullit” boton nismën e nxënësve të gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës që kërkonin mbylljen e kishave e të xhamive, duke qenë se pjesë e rrafshit kulturor që duhej revolucionarizuar ishte edhe prania e fesë sipas fjalimit që ndoqën. Më pas, u mbajtën fjalime të tjera kundër fesë më 17 dhe 23 shkurt. Tashmë, feja, kleri, objektet e kultit u vunë nën sulm dhe pasojat qenë shkatërruese në rrafsh njerëzor, kulturor dhe shpirtëror. Më 15 shkurt, dyert e institucioneve fetare u gdhinë të mbushura me fletë-rrufe me kërcënime për kë do të donte t’i hapte se do të shkonin para përgjegjësisë.
URDHËRESA
Vendimi për të prishur kultet fetare u mor nga një urdhëresë me shënimin “tepër sekrete”, e datës 27 shkurt 1967 (Partia e Punës e Shqipërisë Komiteti Qëndror, Nr. 133 prot. “Tepër–sekret, Tiranë, më 27.II. 1967; Komiteteve të Partisë së Rretheve) e nënshkruar në fund nga sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha. Fillimisht shkatërrimet u morën përsipër nga organizatat e Rinisë të PPSH dhe e para që filloi shkatërrimin ishte rinia e Durrësit. Nga shkurti 1967 deri në vitin 1971, u prishën një numër i madh objektesh kulti. Ky numër mendohet që arrin gjithsej 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj. Dëshira për të treguar revolucionarizmin e kërkuar nga Hoxha në fjalimin e shkurtit, verboi masat të cilat, në ethet e shkatërrimit, përbuzën edhe vlerat kulturore e arkitektonike të këtyre ndërtesave, para të cilave edhe pushtuesit tregohen të kujdesshëm. Në vitin 1967, u hodh në erë me dinamit kisha e madhe e Vaut të Dejës, e cila tregohet në foto, pranë së cilës, në kishën e vjetër, sipas Marin Barletit, Gjergj Kastrioti kishte pranuar sakramentin e martesës. Një nga kishat monumentale që u shkatërruan ishte dhe e Shën Gjergjit në Korçë, në vitin 1971.
Shumë objekte fetare u transformuan në mjedise me qëllime të tjera të fushës shoqërore apo ekonomike. Pati edhe raste kur vlerat e tyre u ruajtën nga ndërhyrjet e zgjuara të arkitektëve që iu ishin ngarkuar punimet, por vetëm në disa raste dhe gjithmonë fshehtas. Me zë të lartë, nuk mund të thuhej asgjë që kishte të bënte me besimin dhe praktikat fetare. Komunizmi në Shqipëri, e kishte shpallur Zotin të paligjshëm. Ndonëse ishte bërë një studim për ruajtjen e kishave dhe xhamive të vjetra me vlera të trashëgimisë e të kulturës, Kisha e Shën Marisë në Vaun e Dejës edhe pse nuk funksiononte si e tillë, e mbrojtur nga shteti si Monument Kulture, u hodh në erë më 30 maj 1969. Kisha ishte i vetmi monument i arkitekturës romano-gotike në viset shqiptare; në këtë vazhdë ka pasur edhe dëmtime të tjera objektesh fetare me vlera të rralla. U dëmtua Xhamia e Kavajës, e Peqinit, minaret e fundit të shekullit të XIV në Berat, Elbasan dhe Durrës. Po ashtu Xhamisë Selimie në Lezhë iu shemb minarja, struktura e së cilës më 1981 u përdor për të ngritur mauzoleun e Skënderbeut.
Mbrëmjen e 12 qershorit 1967, pak orë para se besimtarët të niseshin për të festuar si çdo vit festën në kishën e Shna Ndout, dy batalione kishin rrethuar me artileri të rëndë gjithë zonën përreth kishës me një rreze prej 4 kilometrash, për të ndaluar pelegrinazhin e përvitshëm. Gjatë asaj nate, të nesërmen, e ditët në vazhdim, filluan qitjet e artilerisë me mortaja e topa. Vendi u përcaktua si zonë ushtarake dhe shtigjet ku kalonin besimtarët u mbyllën. Në mitologjinë e PPSH-së shtypja e rreptë dhe e shpejtë e fesë u portretizua sikur gëzoi mbështetje të gjerë popullore. Duke dashur të fshihej çdo gjurmë e trashëgimisë fetare, u nis të këshilloheshin prindërit për emrat që duhej t’u vinin fëmijëve. U botuan lista zyrtare me emra ‘ilir’, por njerëzit i injoruan deri kur më 23 shtator 1975 me dekret u përcaktua që të gjithë fëmijëve t’u viheshin emra jofetarë.
PERSEKUTIMI
Megjithëse shtypjet kundër fesë kishin filluar prej vitit 1945, sidomos kalvari i Kishës Katolike e udhëheqësve të saj kishte qenë tepër i egër gjatë dy dekadave pas ardhjes së komunistëve në fuqi. Megjithëse rrethanat e numri i të përndjekurve nga regjimi komunist, shumë prej tyre klerikë katolikë shqiptarë por edhe të dy feve të tjera, myslimanë dhe ortodoksë, u vranë ose vdiqën nën tortura të pa-imagjinueshme nëpër burgjet e kampet komuniste të regjimit hoxhist, nga viti 1945-1960. Më shumë se një e katërta humbën jetën të vrarë në ekzekutime, ose tortura.
Mbi 40 për qind u burgosën dhe u internuan. As pjesa e mbetur nuk bëri një jetë të qetë. Praktikisht jeta e të gjithëve u trondit nga diktatura dhe pak, shumë pak, arritën ta shihnin ringjalljen e fesë në Shqipëri. Pjetër Pepa sjell në librin “Dosja e diktaturës”, shifrat e përndjekjes që, në një formë apo tjetër, shkatërroi gjithë klerin katolik. Numri i klerikëve të vrarë ose të vdekur nëpër burgje e kampe përqendrimi – katolikë, myslimanë e ortodoksë — nën torturat më ç’njerëzore gjatë asaj periudhe, ndoshta nuk do të dihet kurrë. Një fjalim antikomunist që mbajti kleriku mysliman Hafiz Sabri Koçi bëri që ai të burgosej për më shumë se 20 vjet. Prifti katolik Shtjefen Kurti u pushkatua për pagëzimin e fëmijëve pasi ai kishte kaluar tashmë 20 vjet në burg, ndërsa një tjetër klerik mysliman, Hafiz Ali Kraja, e takoi djalin e tij për herë të parë në moshën pesë vjeçare përmes hekurave të një qelie në burgun ku u mbajt për dy dekada. Vuajtjet e këtyre burrave ishin një rezultat i luftës së zhvilluar ndaj klerikëve të të gjitha feve nga Partia e Punës e udhëhequr nga Hoxha nën sloganin “Feja është opiumi i popullit” – një citim i adaptuar nga shkrimet e filozofit komunist Karl Marks. Kështu më 19 shkurt 1967 u ndalua kremtimi i Meshës së Shenjtë i orës 10 në Katedralen e Shkodrës. Françeskanët shkodranë morën urdhrin të zbraznin Kuvendin e Gjuhadolit, duke mbartur gjithë ç’kishin në Kuvendin e Arrës së Madhe.
Pas një kontrolli të rreptë të sigurimit, u mbyll edhe Argjipeshkvia katolike. Njëkohësisht nisën mbledhjet komuniste nëpër lagje për demaskimin e klerit, ndër të cilat u dha sinjali i sulmit për mbylljen e të gjitha Kishave. Më 4 mars u mbyll Kisha katedrale e Shkodrës e mbas saj, njëri pas tjetrit, të gjithë tempujt e Zotit. E fundmja u mbyll Kisha e fshatit Delbinisht, ku fshatarët rezistuan derisa nisën arrestimet. Të Premten e Madhe të Pashkëve të vitit 1967 qeveria komuniste e Tiranës i ngarkoi mbi shpinë Kishës katolike shqiptare Kryqin e Krishtit Pati edhe meshtarë si Atë Pjetër Meshkalla, jezuit e intelektual shqiptar, që morën guximin ta shpallnin haptas të vërtetën mbi diktaturën komuniste, anti-shqiptare, anti-demokratike, duke u bërë shembull për qëndrimin që duhet të mbajë çdo shqiptar përballë mashtrimit e gënjeshtrës qeveritare në çdo kohë.
PASOJAT
Për regjimin festat fetare, pagëzimet, martesat, synetllëqet, etj. u konsideruan “zakone prapanike”. Ndër argumentet që përdoreshin për të shkurajuar ushtrimet e këtyre festave dhe se sa e dëmshme është feja lidhej me shpenzimet e festave fetare, dita që merrej pushim dhe humbja e ditës së punë, flijimi ritualor i një kafshe si humbje materiale e kotë. Në fillim të viteve ’60 nisi prishja, rrënimi apo lënia pasdore ose tjetërsimi i funksionit të objekteve të kultit, e gjitha kjo në mënyrë arbitrare duke shpërfillur si ligjet e pronës apo të të parëve të fesë e besimtarëve që drejtonin a kryenin ritet fetare. Objektet e kultit shndërroheshin në magazina plehu (Xhamia e Laknasit, Tiranë), kazerma ushtarake (Kisha e Gurit të Zi, Shkodër), magazina shtetërore (disa kisha e xhamia nëpër Shkodër) apo vatra kulturore. U shkatërrua monumenti i vetëm i arkitekturës romano-gotike. Me shpërthime eksplozivi, tanke dhe ndërmarrje të pajisura me mjete të rënda, u shkatërruan 2172 faltore, prej të cilave: 740 xhami, 609 kisha ortodokse, 158 kisha katolike e 530 teqe. Pasoi një valë shkatërrimesh jo vetëm e objekteve fetare dhe ndërtesave të tyre, por edhe e kodikëve, dokumenteve e librave fetarë, duke mos kursyer as ndërtesat që për vlerat e tyre ishin shpallur monumente kulture, duke i sjellë kështu fondit të kulturës kombëtare një dëm të pallogaritshëm.
Pas nismës për revolucion shkurtin e 1967, më 13 nëntor të atij viti me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor u shfuqizuan të gjitha dekretet që aprovonin veprimtarinë fetare në vend, dhe Shqipëria u shpall shteti i parë dhe i vetëm ateist në botë, që ndalonte çdo shprehje të fesë. Masat kundër fesë kulmuan me hapjen e Muzeut Ateist në Shkodër më 9 qershor 1973 dhe në Kushtetutën e 1976 ku u sanksionua se “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor” dhe ushtrimi i fesë dënohej me ligj me nenin 55 të Kodit Penal. Përkundër teorisë marksiste që gruaja nuk mund të ishte e pavarur pa pavarësi financiare, “emancipimi i gruas” nga shteti shqiptar e kaloi atë nga “kryerja e punëve të shtëpisë pa pagesë” që Lenini e quante “skllavëri shtëpiake”, në “kryerjen e punëve shtetërore pa pagesë” ndër punët e aksioneve vullnetare që Katherine Wardy e ka farkëtuar me termin “paternalizëm shtetëror”. Studiuesi Pjetër Pepa në librin e tij “Dosja e diktaturës” hap diskutimin nëse ajo që ndodhi me klerin, konkretisht klerin katolik, gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ishte gjenocid sipas kuptimit që ky i fundit është “krimi që synon të shfarosë, me metoda të organizuara, një grup etnik apo fetar”. Dhe pas këtij diskutimi autori sjell, në mënyrë të përmbledhur, disa të dhëna rreth përndjekjes që përjetuan anëtarët e klerit katolik përgjatë atij kalvari gjysmëshekullor, të cilat po i publikojmë më poshtë, për të nderuar edhe një herë këta njerëz që vuajtën padrejtësisht vetëm për shkak të besimit dhe angazhimit të tyre fetar. “Nga të gjithë ata që diktatura gjeti gjallë rezulton se: Janë pushkatuar 29 klerikë (13%). Janë vrarë ndër tortura 29 klerikë (13%). Janë burgosur dhe internuar 93 klerikë (41%).
Kanë kaluar ndër kriza mendore deri në çmendinë 6 klerikë (3%). Janë arratisur ose nuk janë lejuar të kthehen në atdhe 35 klerikë (15%). Janë përjashtuar nga shërbimi 19 klerikë (8%)”. Pjesa e mbetur, prej 15 klerikësh, 7 për qind e klerit, janë ndarë nga jeta në ankth e dhimbje.
TRAGJEDIA
Por cilat ishin fatet tragjike të klerikëve, të vrarë, me apo pa gjyq. Haptas apo fshehtas. Të parët dhe të fundit. Në Tiranë a në Shkodër… “I pari, patër Lekë Luli, vrarë tradhtisht në Bytyç të Tropojës nga djali i Bajraktarit, Jaho Salihi, më 16 korrik 1944. I fundit me vendim gjyqi, D. Mikel Beltoja më 10 shkurt 1974 do të përfundonte nga altari në morgun e studentëve të fakultetit të mjekësisë. Me gjyq, do të pushkatohej i pari në Tiranë, D.Lazër Shantoja më 5 mars 1945; ndërsa në Shkodër D.Ndre Zadeja tri javë më pas, më 25 mars. Me metodat djallëzore të vrasjeve të fshehta apo helmatisjeve, i pari do të mbytej Papa Pandi, me kokën mbi gjoks, fushave të Korçës, në vitin 1946 ndërsa i fundit Imz. Ernest Maria Çoba më 1980 në Tiranë dhe D. Lazer Jubani më 1982 Shkodër”. Mes tyre, shkruan autori, dhe me mënyra nga më të larmishmet, pothuajse gjithë të tjerët. Pepa vazhdon të përshkruajë çfarë ndodhi gjatë atyre viteve, skenarët që ndërtoi ish-Sigurimi për të eliminuar klerin, nga armët nëpër kisha te organizatat terroriste. Nuk u kursye as trashëgimia kulturore e ruajtur në institucionet e fesë katolike.
“Seminare, shkolla, teatro, shtypshkronja e biblioteka, pra gjithçka ishte krijuar e trashëguar prej qindra vitesh, u asgjësua në pak kohë. Elita më e shquar e katolicizmit shqiptar u shfaros. Bilanci është rrëqethës: Nga 4 ipeshkvijtë ekzistues, 3 u mbytën në torturat çnjerëzore, i katërti nën ankthin e izolimit, të hetimeve dhe të pushkatimeve. 7 shkrimtarët më të mëdhenj të katolicizmit shqiptar u zhdukën mizorisht: At Vinçenc Prendushi, Dom Ndre Zadeja, At Benardin Palaj, Dom Nikoll Gazulli, Patër Anton Harapi, Dom Lazër Shantoja e At Gjon Shllaku. Të shtatë u torturuan siç nuk mund të përshkruhet. E ky ishte vetëm fillimi. Sapo kishte nisur ajo tragjedi e masakër që, siç do të shprehej z.Sami Repishti: “Për katolikët shqiptarë nuk merr kuptimin e vërtetë e të plotë nëse nuk pohohet publikisht nga të gjithë e me bindje se nga 94 famullitarë të rregullt e 93 ndihmës-gjatë viteve 1944-49, u vranë, u torturuan e u burgosën 7 ipeshkëv, 4 monsinjorë, 56 famullitarë, 30 etër françeskanë, 13 etër jezuitë, 10 seminaristë etj”.Pra, vazhdon zoti Repishti, “Tortura nuk ka kuptimin e plotë në qoftë se nuk kujtohen fjalët që tha në burg Pandi Kristo: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj, vetëm sepse kanë qenë katolikë. Ata po, kanë të drejtë të ankohen”. Autori përmend më pas torturat çnjerëzore që klerikë të ndryshëm, të rinj dhe të moshuar, kanë përjetuar në qelitë e komunizmit, disa aq të egra, sa u morën jetën klerikëve dhe e mbyll këtë kapitull me dëshmitë e zyrtarëve komunistë në gjyq apo pjesë nga raportet që zbulojnë sesi klerikët janë torturuar ose vrarë pa gjyq dhe pa faj.