Të trija partitë e mëdha në Shqipëri, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim po luftojnë shumë gjatë ditëve të fundit, me fjalë dhe jo aq shumë me vota, për të nxjerrë atë që në sytë e opinionit publik duhet të shpallet si fitues i zgjedhjeve të së dielës.
Rezultati është gjithsesi, gri. Në rastin më të mirë, secila palë mund të pretendojë fitoren po aq sa të meditojë edhe për dobësitë e veta elektorale.
Statistikat japin një panoramë shumë, shumë të paqartë. P.sh, koalicioni i majtë ka fituar shumicën dërrmuese të votave popullore, por Partia Socialiste më vete ka marrë efektivisht më pak vota se sa në zgjedhjet e vitit 2011.
Tashmë që KQZ ka raportuar afro 98 për qind të votave të proporcionalit, rezulton se PS ka marrë 25.1 për qind të totalit të votave, ndërkohë që në vitin 2011, kur ajo qe në opozitë, pati marrë 27.5 për qind të votave. Kjo është një diferencë e konsiderueshme që bie ndesh me pretendimin e kryeministrit Rama për rritje të mbështetjes popullore për qeverinë e tij dhe për reformat e tij. Por situata është pak më e komplikuar. Sistemi zgjedhor aktual favorizon në llogaritje partitë që konkurrojnë brenda koalicioneve. Kjo do të thotë që Edi Rama dhe Sali Berisha, në marrëveshjen e tyre politike të vitit 2008, krijuan një sistem që detyron të gjitha partitë e veta të bashkohen me njërin prej tyre nëse duan që votat e tyre të vlejnë në ndarjen e mandateve për këshilltarë bashkish apo për deputetë. Kjo njihet si sistemi duopolist i politikës shqiptare, apo përpjekjet e PD dhe PS për të shmangur konkurrencën.
Për shembull: Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut tw dielwn mori 1,141 vota në bashkinë e re Mirditë dhe ajo do të marrë një këshilltar në këshillin bashkiak me 21 anëtarë. Por, Partia Demokratike, e cila ka marrë 1,049 vota, efektivisht më pak se sa PBDNJ, do të marrë dy këshilltarë. Madje, Partia Uniteti Kombëtar, e cila garon në bllokun e majtë, do të marrë një anëtar pavarësisht se ka marrë vetëm 306 vota.
Pra, nëse shohim proporcionalin në rënie të Partisë Socialiste në krahasim me vitin 2011, duhet të kemi parasysh se kjo rënie nuk është domosdoshmërisht rënie e mbështetjes për këtë parti, por mund të jetë manovër politike. Ndodh shumë shpesh në politikën shqiptare që partitë e mëdha përpiqen të maksimizojnë përfitimet elektorale duke ndarë votat me aleatët e vet, të cilët, shumë shpesh, nuk janë parti të mirëfillta politike, por më shumë emra të sajuar nga partia mëmë. Kjo është njohur në Shqipëri si Sistemi i Dushkut.
Partia Demokratike, e cila udhëheq koalicionin humbës, ka marrë gjithashtu më pak vota se më 2011. PD ka marrë 20.2 për qind të votave këto zgjedhje, nga 20.5 për qind që pati marrë në vitin 2011. Kjo është një rënie e papërfillshme, nëse llogaritet që PD është në opozitë që nga viti 2013.
Në këtë pikë, mund të thuhet se të dy partitë kryesore të vendit kanë dalë të humbura përballë vetes së vet në krahasim me katër vite më parë. Vetëm se ndërsa për Partinë Socialiste mund të thuhet se rënia në proporcional mund të jetë strategji elektorale, për Partinë Demokratike, çështja është më e komplikuar. Gjëja tjetër që vlen të theksohet është që Partia Socialiste ka qenë një parti shumë e qëndrueshme përgjatë kohës, pavarësisht se në rënie në zgjedhjet vendore. Votuesit socialistë kanë tashmë namin, për mirë apo për keq, si votues të bindur të partisë, në ditë të mira po në ditë të këqija, pa ndonjë reflektim të fortë mbi cilësinë e qeverisjes apo opozitarizmit të kësaj partie. Janë ndryshe votuesit e PD-së. Kjo parti ka nevojë të djersisë më shumë se sa partia Socialiste për të bindur mbështetësit e vet që të dalin në votime.
Të voglat fitojnë zgjedhjet vendore
Për shkak se numri i kandidatëve konkurrues në zgjedhjet vendore ka qenë shumë herë më i madh se sa në zgjedhjet për pushtetin qendror, partitë e vogla kanë qenë në gjendje të fitojnë më shumë vota në këto zgjedhje. Por kjo nuk do të thotë ndonjë gjë për zgjedhjet parlamentare, kur zakonisht, partitë e mëdha arrijnë të rekuperojnë një pjesë të asaj që në zgjedhje vendore fitohet nga partitë e vogla. Konkretisht, në zgjedhjet e vitit 2011, tre partitë kryesore, PS, PD dhe LSI, morën më pak se 55 për qind të votave, ndërsa ato që klasifikohen si parti të vogla, morën 45 për qind. Më 2013, votat për partitë e vogla u tkurrën në mënyrë drastike. Ato morën sëbashku 18.7 për qind të votave.
Ajo që ka ndryshuar në zgjedhjet e vitit 2015 është që partitë e vogla, ndonëse kanë marrë 36 për qind të të gjitha votave, rezultojnë humbëse në krahasim me vitin 2011. Pra: PS dhe PD kanë pësuar një humbje të lehtë, partitë e vogla kanë humbur ndjeshëm dhe e vetmja parti që është rritur ndjeshëm është LSI. Kjo parti është rritur nga 7.3 për qind në gati 17 për qind. Dhe, në kushtet kur dy partitë e mëdha kanë pësuar rënie të lehtë, konkluzioni mund të jetë që LSI të ketë mbledhur votat që më 2011 i shkonin partive të vogla.
Në tërësi, duhet të theksohet se proporcionali për pushtetin vendor nuk është shumë domethënës për peshën elektorale të partive.
Pyetja e madhe pra është nëse votat e LSI në këto zgjedhje do të rezultojnë si votat e qëndrueshme të një partie të madhe apo do të rikthehen te partitë e mëdha duke iu nënshtruar fluktuacionit tipik të votave të partive të vogla në zgjedhjet vendore. Për ta mësuar këtë, do të duhet të presim vitin 2017, gjithmonë nëse nuk do të kemi zgjedhje të parakohëshme.
PS përgatitet për duel me LSI?
Koalicioni i djathtë i udhëhequr nga Partia Demokratike ka marrë rezultatin më të dobët në historinë e vet, kjo ndodhi edhe për shkak se koalicioni qeverisës është shtuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit me disa parti si PDIU dhe FRD ndërkohë që koalicioni i djathtë është tkurrur në 15 parti. Arsyeja se pse koalicioni qeverisës është shtuar, pavarësisht se kishte sakaq maxhorancë të cilësuar në parlament, duket se lidhet me dëshirën e PS për të pozicionuar veten më mirë përballë LSI në zgjedhjet e ardhëshme. Aleatët brenda koalicionit qeverisës janë dukshëm më shumë aleatë të PS se sa të LSI dhe rrjedhimisht vlen të shohim se si qëndrojnë këto vota për një përballje të mundshme:
Në zgjedhjet e së dielës së shkuar, PS dhe aleatët e tjerë përveç LSI morën 47.1 për qind të votave. Nga ana tjetër, Partia Socialiste duket se disponon edhe një numër votash, të cilët përbëhen nga një pjesë e popullsisë që vendosi të bojkotojë zgjedhjet e së dielës ose që qe indiferente ndaj tyre. Situata e ardhëshme zgjedhore është e vështirë të llogaritet në bazë të votave të vitit 2015, por dukshëm, në rast se koalicioni opozitar mbetet kaq i dobët, të gjithë skenarët janë të mundshëm për vitin 2017. LSI mund të fuqizohet më shumë, por mundet edhe të zëvendësohet si një anëtar i koalicionit të majtë nga një numër aleatësh më të vegjël.
Gjatë procesit të ndarjes së vendit në njësi të reja administrative, u argumentua se një nga faktorët pas ndarjes në shumë zona qe pozicionimi i PS, LSI dhe PDIU për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por fakti është që LSI humbi disa nga betejat më kyçe si në Pogradec, Lezhë, Selenicë e Mallakastër në përballjet për kryetar, sugjeron që një përballje për zgjedhje parlamentare mund të mos rezultojë po aq e suksesshme sa proporcionali i zgjedhjeve vendore për këtë parti.
Konkluzioni i përgjithshëm është që në zgjedhjet për pushtetin vendor, disa beteja kyçe dhe “publicitare” dmth që përbëjnë bazë për t’u krenuar, janë më të rëndësishme se sa rezultati i përgjithshëm. Partia Demokratike, me performancën thellësisht negative në përballjet për kryetar në Elbasan, Durrës, Fier e Vlorë, mund të konsiderohet si humbëse e madhe e këtyre zgjedhjeve. Në ato raste kur kandidatët e të djathtës fituan, apo konkurruan me dinjitet, si në rastin e Pogradecit, Mallakastrës, Lezhës apo Beratit, këto duhet të shihen më shumë si dobësi të krahut të majtë se sa fitore të krahut të djathtë.
Vetë kryetari i demokratëve Lulzim Basha, është humbës personal i zgjedhjeve për shkak se në zgjedhjet në bashkinë ekzistuese Tiranë, kandidati i tij Halim Kosova mori më pak se 100 mijë vota, nga 125 mijë vota që pati marrë Basha kur u zgjodh kryetar në vitin 2011. D.m.th, nëse banorët e Tiranës e vlerësuan apo jo Bashën si kryetar bashkie dhe si kryetar opozite, shifrat janë të qarta: ai është humbës.
Ndërrimi i krahut sjell fat të keq
Ndërsa për partitë e mëdha shifrat mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, për disa parti të vogla ato janë shumë të qarta. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka humbur tri të katërtat e elektoratit të vet përgjatë katër viteve të fundit. Këto zgjedhje, ajo fitoi më pak se 15 mijë vota ose 0.9 për qind të totalit të votave, nga 41 mijë që pati fituar në zgjedhjet e vitit 2011.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, e cila së fundmi ndërroi krah politik, mori 59 mijë vota këto zgjedhje nga 63 mijë që pati marrë në zgjedhjet e vitit 2011. Por ky nuk është problemi i vetëm. PDIU ka humbur gjysmat e votave të veta në qarqet Vlorë, Durrës dhe Fier, ndërsa ka pësuar rritje të ndjeshme në pjesë të tjera të vendit, të cilat duket se nuk janë vota tradicionale të kësaj partie.
Edhe kalimi majtas i partisë Fryma e Re Demokratike nuk duket se ka funksionuar mirë. Partia e ish – presidentit Bamir Topi ka marrë 29 mijë vota këtë herë, ose vetëm 1.9 për qind, nga 32 mijë vota që pati marrë më 2013, kur konkurroi jashtë koalicioneve të mëdha. Në Tiranë, ku është edhe baza kryesore e kësaj partie, votat për Topin kanë rënë nga 10 mijë në 8 mijë. / BIRN