Nga Agron Gjekmarkaj
Nuk dihet sa pranë të vërtetës historike është një fakt, pjesë një eseje të Ismail Kadaresë mbi rolin e Enver Hoxhës në themelimin e PKSH-së dhe futjen e tij në histori, por me simbolikë të gjetur mbetet ajo.
Të përmbledhur, shkrimtari i madh pak a shumë e përshkruan kështu: Koço Tashko ishte nisur për në mbledhjen themeluese, por i mungonte edhe një person shoqërues, udhës takon Enverin të veshur si dendi me cilindër e shkop mode…pasi shkëmbejnë disa fjalë, i thotë “Enver jam duke shkuar në mbledhjen e themelimit të partisë komuniste, por mungon filani…a vjen ti?….Enveri pa menduar gjatë i thotë jo brë, ç’më duhen mua këto punë…dhe pasi bën ca hapa disi i penduar kthehet dhe i thotë “po vi ..s’kam ndonjë gjë për të bërë sot” ..dhe me këtë hap u nis të rrënonte Shqipërinë, vijon Kadare.
Nuk e dimë të vërtetën dhe mund të rrëshqasim në kufijtë e abuzimit, por e kemi të drejtën të mendojmë një bisedë të ngjashme mes Argita Berishës dhe Lulzim Bashës në vitin 2004, kur projektohej KOPI. E ngrata vajzë ta ketë menduar Berishën në PD ta zëvendësojë Basha, pa mundimin, privacionet, investimin, dhe betejat e së parit, paçka se vizionet familjare të pushtetit i shkojnë më tepër për shtat një pashallëku se një shoqë- rie demokratike.?!
Zor ta ketë pasur këtë kurajë apo për më tepër të ketë menduar që brenda një dite i shoqi do të sulmonte Kryetarin e PD-së dhe vjehrri do ta mbronte me të njëjtin patos të përmbysur?! Lulzim Basha, pasi e udhëhoqi Partinë Demokratike drejt një humbjeje të paimagjinueshme më 25 qershor, po kaq paimagjinueshëm udhëhoqi veten drejt “fitores” në krye të PD-së më 22 korrik. Mbi rrënojat e PD-së kalcifikoi karrigen dhe buzëqeshjen e vet të pakushtëzuar nga rrethanat.
Një “fitore” pa nder, e cila do të mbahet mend gjatë si shenja e dekadencës pa kthim të kësaj force politike. Njëkohësisht kjo ngjarje është përkufizimi dhe fizionomia e vet Lulzim Bashës. Njeriu është vepra e vet. Këto janë veprat e Lulit. Marrëveshja, listat, fushata, mosdorëheqja, farsa zgjedhore janë veprime të ndërtuara mbi koncepte e shije. Njeriu është koncept dhe shije mbi të gjitha.
Mbi PD-në kanë vërshuar lumë akuzat qysh në ditët e para të themelimit të saj. Nuk ia kanë kursyer as ato për genocid e terrorizëm. E kanë mbështetur në vitin 1997 burra e gra, të cilat në vend të sendeve të tualetit fusnin në çantë pistoleta e automatikë, të cilët shyqyr që nuk i shkrehën kurrë, se mbi shqiptarë do të binte harxhi i tyre, por ama besonin dhe ne të tyren donin të mbronin diçka që po u rrezikohej. Të tjerë e urrenin për vdekje për arsye ideologjike e krahinore.
Gjithsesi PD nuk mëshirohej, nuk ishte objekt barsaletash dhe talljeje. Me të duheshin bërë mirë llogaritë. Personalisht unë kam respekt për Sali Berishën dhe kjo vlen për dje, sot dhe nesër. Pak ditë më parë, në një shkrim drejtuar atij, i kërkoja të kthehej jo si Kryetar (ndonëse sot, duke parë tokën që ka djegur vetë, ngjan i vetmi që mund ta shpëtojë PD-në nga shuarja, paçka se nuk e sjell në pushtet, por seriozitetin mbase ia kthente), por si figurë karizmatike për t’i shlyer asaj partie një borxh të madh që ia ka, për t’i dhënë një herë të vetme një garë të vërtetë, të lirë dhe të ndershme. Përfaqësimi është dialektike jo dhuratë, jo objekt që shitet dhe blihet. Qytetarët i kanë të mprehta shqisat për ta kuptuar këtë.
Natyrisht Berisha s’ka asnjë arsye të më dëgjojë mua dhe të tjerë si unë, por unë dhe të tjerë si unë kemi të drejtë të gjykojmë fjalët dhe veprimet e tij politike. Berisha nuk bëri asgjë për të kënaqur iluzionistët gjenuinë. Koha, kjo nënë e dashur gjykimesh, do na e lëshojë llafin në bëri mirë apo keq. Ai ndërmjet zgjedhjes së tij të dështuar që quhet Lulzim Basha dhe reflektimit mbi përbuzjen popullore që Basha mori, zgjodhi të mbështesë zgjedhjen e vet fatkeqe. Me atë rezultat, me gjithsa i ndodhi PDsë, Lulzim Basha nuk do të mbahej dot në këmbë.
Atij ia huazoi patericat Sali Berisha, ndaj lideri historik ka peshën e vet në “triumfin” e djeshëm të Lulzim Bashës siç do ta ketë në të tjera “suksese”! Duket si xhentilesë alegorike më shumë se bindje qasja e Shkullakut “se Berisha s’ka kujt t’i flasë”. Berisha në fakt s’do të flasë për zgjedhje që flet qartë, një oportunizëm ndoshta komod ky. Kjo ishte mënyra e tij për të ndihmuar Bashën. Muajt në vijim do na zbulojnë më tepër për shtysat dhe kontekstin.
Ndërsa dje Berisha foli, por si jurist ama, për çështje statuti pikërisht ai që në ligjërimin e vet termin “moral” e përdor më dendur nga gjithkush. Të bashkohemi rreth Kryetarit të ri, tha. Paradoks, retorikë apo impotencë, ai e di më mirë të vërtetën. Ndonëse me njëfarë pikëllimi duhet thënë se Sali Berisha dhe Lulzim Basha që dje si Don Kishoti dhe Sanço Pança pa fisnikërinë e dy kalorësve të sajuar mesjetarë u nisën drejt funeralit pa kthim të PD-së, duke tradhtuar jo thjesht të djathtën, se ajo është mësuar me tradhti, po çdo frymë opozitare në vend.
Fjalimet e tyre në shtator në parlamentin e ri do të ngjajnë me skeçet e estradave popullore në komunizëm. Opozita duket si aleati më i madh i Qeverisë. Degradimi i saj është një tragjedi e etikës publike. Pa asnjë vrasje ndërgjegjeje për katastrofën elektorale, i gëzuar për “fitoren e hidhur”, Basha foli për bashkim, sikur përçarjen, ndarjen apo çarjen t’ia ketë shkaktuar era, shiu apo vapa djegagur e korrikut e jo ai vetë! Të bëhej burrë së paku! Të thoshte i largova dhe s’i dua më për disa arsye. Le të dukej pak trim. Gënjeshtër, cinizëm dhe hipokrizi shfaqi, veç kaq.
Atë që di të bëjë më mirë. Basha fitore reale të vetën ka pikërisht gjendjen që sot ka PD. Ai këta paska projektuar. Një parti që kur të humbasë herën tjetër të bëhet një garë për jetë a vdekje se kush e ngushëllon më tepër Kryetarin e zymtuar nga disfata me lëng boronice, petulla me mjaltë, bozë e kajmak. Grida apo Eduardi, Aldo apo Xhemali, Tritani apo Edmondi, këta kandidatë për kalorës të Republikës së Re?! Aty s’do ketë më vend as për pipëtimën e mizave.
Ndaj Lulzim Basha realisht nuk ka asnjë lloj mërzie apo marazi. Ai buzëqesh sepse PD për të është një peshqesh që do ta hajë dalëngadalë a do ta shesë me çmim të arsyeshëm. Me idealistët ai zgërdhihet sa u kthen shpinën. I sapo “kurorëzuar” për së dyti, Basha humbi Tomor Alizotin, prurjen e re më cilësore në PD të katër viteve të fundit, pinjoll i një familjeje të madhe e të persekutuar, i shkolluar fort më mirë se Luli vetë, megjithëse këta të fundit tani i quan “bllokmenë”, por fitoi Jemin Gjanën me zinxhirin e tij prej ari varur në qafë plot hijeshi që shkëlqeu gjatë gjithë procesit të brendshëm elektoral si hajmali për epokën e re.
Në librin e tij të vitit 1970, “Ikja, Zëri dhe Besnikëria”, Albert Hirshman ndante veç tre opsione që njerëzit kanë për t’iu përgjigjur pakënaqësisë ndaj organizatave, kompanive dhe shteteve: “Ata mund të largohen, të kërkojnë ndryshimin, ose t’i dorëzohen realitetit dhe të bëhen palë me pushtetin”. Mbetet për t’u parë se si do të veprojnë zërat e shumtë kundër Kryetarit të ri Fringo. Në cilat shtigje do kalojnë? Çfarë joshjesh do refuzojnë ose pranojnë?! Nga votimet e diktaturës ende gjëmojnë në veshë vargjet e një kënge “një mijë herë na e ndrite ballin/një mijë herë jetën ta falim”! Të na rroç o Lul!