Dy të diplomuar në Harvard kanë dalë fitues të zgjedhjeve parlamentare në Bullgari. Formimi i qeverisë së re do të jetë i vështirë.
“Ne do të hyjmë në dialog për negociatat e koalicionit me të gjitha partitë, përveç GERB-it [partia e ish-kryeministrit Boiko Borisov] dhe DPS-së [partia e pakicës turke]”, tha Kiril Petkov në mbrëmjen e 14 tetorit 2021 në televizionin shtetëror bullgar. Sipas të gjitha parashikimeve dhe rezultateve paraprake, Petkov dhe kolegu i tij, Asen Vasilev, arritën një fitore befasuese në zgjedhjet parlamentare dhe tani janë kandidatët më premtues për postin e kryeministrit.
“Partnerët tanë të natyrshëm janë Bullgaria Demokratike, BSP [Partia Socialiste Bullgare; shënimi i redaktorit] dhe ‘Ka një popull të tillë’. Qëllimet dhe parimet themelore të tyre janë në përputhje me tonat: të luftojmë korrupsionin dhe të zëvendësojmë prokurorin e përgjithshëm si fillim i funksionimit të sistemit gjyqësor”, vazhdoi Petkov. Antikorrupsioni dhe reforma në drejtësi ishin në fokus të fushatës zgjedhore të partisë së Petkovit dhe Vasilevit, “Ne vazhdojmë ndryshimin”.
“Djemtë nga Harvardi”, siç i quajnë dy menaxherët e biznesit për shkak të vendit të studimit, kishin qenë pjesë e qeverisë tranzitore pas zgjedhjeve të prillit 2021. Në verë ata morën në dorë dy partitë e vogla “Volt” dhe “Klasa e mesme europiane” dhe krijuan aleancën “Ne vazhdojmë ndryshimin”. Për të themeluar dhe ndërtuar partinë e tyre, nuk mjaftoi koha deri në zgjedhjet e 14 nëntorit 2021.
Kiril Petkow dhe Assen Wassilew, fitues të zgjedhjeve dhe themelues të Aleancës: “Vazhdojmë ndryshimin”
“Ata nuk kanë mëkate politike dhe rrezatojnë energji, vrull dhe kurajë për ndryshim”, thotë për DW, Vesela Çrneva, Drejtore e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, EFCR, në Sofje. Ish-kryeministri Boiko Borisov e komentoi humbjen e tij të përsëritur: “Të gjithë e kanë mbajtur tashmë arkivolin tim, por unë jam i lumtur që jam gjallë”.
Tre zgjedhje, tre fitues
Zgjedhjet e së dielës ishin të tretat zgjedhje parlamentare të këtij viti. Në prill, GERB-i i Borissovit, nuk arriti të formonte një qeverinë, sepse partitë e tjera refuzuan. Në korrik, populistët e “Ka një popull të tillë” besonin se mund të qeverisnin pa një partner koalicioni, por pa sukses.
As Petkov dhe Vasilev nuk do ta kenë të lehtë të formojnë qeveri. Sepse votuesit bullgarë kanë votuar edhe një herë kundër rikthimit të Boiko Borisovit në pushtet – por sërish nuk kanë dhënë një shumicë të qartë qeveritare. “Ne vazhdojmë ndryshimin” mund të krijojë qeveri vetëm me një koalicion prej katër partish. Vesela Çerneva, megjithatë, beson se deri në krishtlindje do të jetë formuar një qeveri: “Do të jetë një koalicion heterogjen, por për çështjet më të rëndësishme – korrupsioni, drejtësia, buxheti dhe menaxhimi i koronës – ato nuk janë shumë larg njëra tjetrës. Dhe ndërsa tre partitë e tjera janë dobësuar ndjeshëm nga këto zgjedhje, Petkov dhe Vasilev, demonstruan gatishmërinë e tyre për kompromis në mbrëmjen e zgjedhjeve, për shembull kur bëhet fjalë për caktimin e posteve.
Tendencat fashiste
Por as “Ne vazhdojmë ndryshimin” dhe as “Ka një popull të tillë” nuk kanë struktura të qëndrueshme partiake. “Ata duhet t’i ndërtojnë ato në të gjithë vendin – dhe në të njëjtën kohë të zbatojnë programin e tyre të reformës. Nuk do të jetë një detyrë e lehtë,” thotë Vesela Çerneva për DW. “GERB dhe DPS, nga ana tjetër, janë ende të forta në nivel rajonal, edhe për shkak të lidhjeve të tyre me biznesin, ky është kapitali i tyre.” Kjo shihet edhe në rezultatet e tjera të zgjedhjeve të këtij viti: Ndërsa rezultatet e të ashtuquajturave “parti protestuese” pësuan në çdo zgjedhje deri në 100 për qind luhatje, socialistët, DPS dhe partia GERB e Borisovit mbetën konstante. Aparatet e tyre partiake nuk mund të mobilizojnë shumicën – por sigurisht që kanë potencialin për të bllokuar.
Euforia për fituesit befasues të zgjedhjeve vështirë se mund të fshehë disa zhvillime shqetësuese. Me më pak se 40 përqind, pjesëmarrja në votime ra në nivelin më të ulët historik. Parvan Simeonov, drejtor i institutit të sondazheve Gallup International Balkans, thotë për DW: “Ka një përzierje mes lodhjes dhe indiferencës – dhe rreziku i tendencave fashiste është real.” Sa real ishte rezultati i partisë ultranacionaliste dhe ekstremiste të djathtë “Rilindja”, e cila sipas parashikimeve deri në pesë për qind. “Hyrja e nacionalistëve në parlament është sigurisht e pakëndshme, por në shkallë pan-evropiane mbështetja e tyre është ende e ulët,” tha Vesela Çerneva për DW.
Balotazhi për presidentin përmbyll vitin e zgjedhjeve
Ndërkohë, siç pritej, presidenti aktual Rumen Radew fitoi zgjedhjet presidenciale të mbajtura në të njëjtën kohë. Meqenëse, sipas të gjitha gjasave, ai nuk ka mundur të arrijë shumicën absolute të parashikuar në kushtetutë, do të ketë një balotazh. Rivali më i fortë i Radevit, Anastas Gerxhikov, rektori i Universitetit të Sofjes, i cili u mbështet nga partia GERB e Borisovit, arriti një sukses të respektueshëm. Në votimin e dytë, të dy konkurrojnë për një shumicë të thjeshtë.
Megjithëse Radew ka shanse të mira, studiuesi Parvan Simeonov nuk e konsideron të sigurt fitoren e tij: “Kjo varet nga mbështetja e partive të tjera si DPS, BSP, Bullgaria Demokratike dhe “Ka një popull të tillë”. Nëse Gerxhikov kërkon mbështetje prej tyre, mund të jetë e vështirë për Radevin.” Zgjedhjet do të mbahen më 21 nëntor 2021 – votimi i pestë i këtij viti në Bullgari.