Pesë javë pas fillimit të turneut më të madh të futbollit në histori, ka ardhur koha për ditën që miliarda njerëz anembanë botës kanë pritur, finalen e Madhe të Kupës së Botës FIFA 2026.
Spanja, kampionët e Evropës, do të përballen me kampionët në fuqi të botës, Argjentinën, në një përplasje titanësh që do të mbetet në histori.
Për Spanjën, ky është hapi i fundit në kërkim të titullit të tyre të dytë botëror, 16 vjet pas triumfit të tyre të parë, ndërsa Argjentina kërkon të bëhet kombëtarja e tretë në histori që fiton dy Kupa Bote radhazi.
Në një artikull të “Al Jazeera”-s renditen 10 gjërat kryesore që duhet të dihen përpara finales së të dielës në Nju-Jork:
1. Deja vu: Messi dhe Yamal takohen sërish pas dy dekadash
Në momentin që Argjentina siguroi finalen ndaj Spanjës, rrjetet sociale u përmbytën sërish me foton tashmë virale të Messi-it në moshë të re duke larë foshnjën Lamine Yamal gjatë një reklame televizive. Fillimisht, shumë menduan se ishte një imazh i krijuar nga inteligjenca artificiale, por ajo është plotësisht reale dhe daton në shtator të vitit 2007, gjatë një xhirimi bamirësie të UNICEF-it në stadiumin Camp Nou të Barcelonës. Sot, pothuajse dy dekada më pas, Messi dhe Yamal përballen me njëri-tjetrin në një sfidë brezash.
2. A do të marrë pjesë Donald Trump në finale?
Po. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, do të jetë i pranishëm në finalen e së dielës- pjesëmarrja e tij e parë në këtë turne. Ai do të dorëzojë trofeun së bashku me Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për kapitenin e skuadrës fituese. Fituesit e Kupës së Botës do të marrin gjithashtu një unazë kampionati, një traditë kjo e sporteve amerikane. Pjesëmarrja e tij vjen pas një vendimi kontrovers ku Trump ndërhyri personalisht që FIFA të anulonte pezullimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun në çerekfinale.
3. Supersticioni në parë: Presidenti argjentinas Milei nuk merr pjesë
Ndonëse është praktikë e zakonshme që krerët e shteteve të ndjekin finalen, Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka vendosur të mos udhëtojë drejt Nju-Xhersit për shkak të supersticionit (e njohur si “cábala” në Amerikën Latine). Ai do ta ndjekë ndeshjen në televizor nga rezidenca e tij presidenciale, saktësisht siç bëri në shtatë ndeshjet e kaluara të Argjentinës, duke veshur të njëjtën xhaketë.
4. Tymi i zjarreve në Kanada mbulon Nju-Jorkun
Tymi nga zjarret masive pyjore në Kanada ka mbuluar një pjesë të madhe të verilindjes së SHBA-së, duke aktivizuar alarme shëndetësore. Megjithatë, një front i ftohtë që pritet gjatë fundjavës parashikohet të pastrojë mjegullën e rrezikshme pikërisht në kohë për finalen. Mbi 80,000 njerëz priten në stadiumin e Nju Jork-Nju Xhersit, ndërsa 50,000 të tjerë do ta ndjekin nga Central Park në Manhattan.
5. Finalja e Kupës së Botës: Ngjarja sportive më e shtrenjtë në historinë e SHBA
Çmimi më i lirë i një bilete për finalen Spanjë-Argjentinë ka arritur në 7,595 dollarë, duke shënuar një rritje prej 10% në ditët e fundit. Sipas platformës TickPick, çmimi mesatar i blerjes së një bilete është plot 11,327 dollarë, duke kaluar kështu çdo rekord të mëparshëm historik në sportet amerikane, përfshirë Super Bowl të NFL dhe finalet e NBA.
6. Shfaqje gjatë pjesës së parë në stilin e “Super Bowl”
Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, finalja do të ketë një shfaqje muzikore në pjesën e parë (Halftime Show), e frymëzuar nga modeli amerikan. Një festë e madhe pop do të ndezë Nju-Jorkun me performanca nga yje si Madonna, Justin Bieber, Shakira, BTS, Burna Boy, Coldplay dhe të tjerë. Pjesa e parë do të zgjasë deri në 30 minuta për të mundësuar këtë shfaqje 11-minutëshe. Ndërkohë, në ceremoni do të përfshihen edhe emra si Tom Cruise e Robbie Williams.
7. Shpërblime financiare rekord
FIFA ka njoftuar një fond rekord shpërblimesh prej 727 milionë dollarësh për këtë Botëror – një rritje prej 50% krahasuar me Katar 2026. Skuadra që do të shpallet Kampione e Botës do të marrë në shtëpi 50 milionë dollarë, ndërsa vendi i dytë do të sigurojë 33 milionë dollarë.
8. Trofeu vjen me një kuti “Louis Vuitton”
Ashtu si në katër finalet e fundit, trofeu i artë i Kupës së Botës do të transportohet në stadium brenda një kuti luksoze të krijuar posaçërisht nga shtëpia prestigjoze franceze e modës, Louis Vuitton. Kutia mban shkronjën e artë “V” që simbolizon “Victory” (Fitore) dhe “Vuitton”.
9. Lufta për “Këpucën e Artë” dhe çmimet individuale
Përveç trofeut të madh skuadror, lojtarët do të ndajnë edhe pesë çmime zyrtare individuale. Lionel Messi aktualisht udhëheq garën për “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë, i ndjekur nga Kylian Mbappe i Francës (i cili luan në ndeshjen për vendin e tretë). Gjithashtu do të ndahen edhe “Topi i Artë” për lojtarin më të mirë dhe “Doreza e Artë” për portierin më të mirë.
10. Gjyqtarët e finales
Finalja e madhe e Kupës së Botës do të gjykohet nga arbitri slloven Slavko Vinçiç. Ai do të ndihmohet nga bashkëkombësit e tij Tomasz Klançnik dhe Andraz Kovaçiç, ndërsa dyshja jordaneze Adham Makhadmeh dhe Mohammad Alkalaf do të jenë në rolin e arbitrit të katërt dhe ndihmësit rezervë.











