Një person në Austri është dënuar me shtatë muajsh burg dhe një gjobë prej 1,200 euro pasi u shpall fajtor për marrjen e videove dhe fotografive sekrete nga dhomat e zhveshjes, palestra dhe dushet e ekipit të futbollit femra të Altach.
Ai gjithashtu është urdhëruar të paguajë 625 euro për çdo viktimë si kompensim.
Eleni Rittmann, e cila tani luan për Evian në Francë, por më parë ka luajtur për Altach, shprehu revoltat e saj për këtë dënim. “Kjo më lë pa fjalë. Autori i krimit ishte jo vetëm një arbitër i nivelit të lartë në Zvicër, por edhe një zyrtar në Altach. Dhe pikërisht aty ka filmuar lojtarët, përfshirë të mitur. Tani pyetja ime është: A është ky një dënim i duhur?”, shkroi ajo në një postim në Instagram.
“Ajo që më shqetëson më shumë është nëse një dënim i tillë vepron si një paralajmërim për të tjerët. Ne ndiheshim të sigurt në dhomën tonë të zhveshjes, dhe kjo dëmtoi privatësinë tonë kaq shumë, sa disa prej nesh ende nuk ndihen të sigurt në dushe publike. Për mua, ky nuk është një sinjal i mjaftueshëm për diçka që nuk tolerohet në shoqërinë tonë. Akti nuk ka përfunduar, pasi prokurori ka kërkuar kohë shtesë për të shqyrtuar mundësinë e një apeli,” shtoi ajo.
I arrestuari ka punuar për klubin që luan në kategorinë më të lartë të Austrisë nga viti 2020 deri në vitin 2025. Rreth 30 lojtarë janë identifikuar në regjistrimet dhe fotografitë, sipas prokurorit. Gjatë gjyqit, u lexua një deklaratë nga viktimat, ku thuhej: “Ne jemi gra të reja, disa prej nesh ende vajza të reja. Ajo që ndodhi na ka hequr gjithçka që kishim. Për vite me radhë na tha se dhoma e zhveshjes ishte shtëpia jonë, por kjo shtëpi u shkatërrua nga dikush që mendonim se ishte pjesë e kësaj familjeje.”











