Të premten në mbrëmje u mbyll edicioni i 11-të i IHRFFA-s, organizuar nga Akademia e Filmit “Marubi”; Nga selektimi i 2300 filmave nga e gjithë bota, u shfaqen 44 duke pasur si temë qendrore emigracionin. Regjisorët e kanë konsideruar këtë Festival si një mundësi sensibilizimi dhe hapësire të jashtëzakonshme për shqetësimet e njeriut në kushtet e tij të sotme politike
Pothuaj të gjithë regjisorët prezentë në ditët e edicionit të 11-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, ardhur nga Evropa e Amerika, pranojnë se punët e tyre dokumentuese dhe fiction mbi temën e “emigracionit” shkojnë në misionin e një kinemaje të sotme krejtësisht politike. Sensibilizimi dhe marrja me tema të mëdha si kjo e emigracionit, lëvizjet njerëzore si paradokse dhe kushte historike i ka vënë këta regjisorë përballë sfidave politike.
“Çfarë më intereson në punën time si kineast lidhet gjithashtu me pyetjen e rëndësishme se kush është një qenie njerëzore. Por, unë vij nga teatri dhe kështu jam formuar. Unë përpiqem të flas për politikën duke shkuar nëpërmjet individit. Nuk më pëlqen që të jem i zhurmshëm dhe të ngre teza të mëdha për atë se çfarë është e mirë ose e keqe. Bërja e filmave për mua është një mënyrë për të pyetur veten. Sigurisht që regjisori i një filmi është më mirë që të pyetet dhe të bëjë pyetje gjithashtu se sa të jetë politikan”, ka thënë për këto raporte, regjisori zviceran Eric Bergkraut, i cili ishte prezent në Tiranë me filmin “Qytetari Khodorkovsky”.
Kështu edhe nata e fundit e IHRFFA-s solli për publikun filma që mbanin emrat e regjisorëve nga Anglia, Belgjika, Gjermania, Argjentina dhe Çekia. Filma dokumentarë dhe fiction u shfaqën në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, ku të pranishëm ishin dhe disa prej regjisorëve të filmit. Këtë vit si temë qendrore e tij ishte migracioni, ku filmat pjesëmarrës tregonin shumë probleme rreth kësaj teme. “A Syrian love story” (Një histori dashurie siriane) me regji nga Sean McAllister ishte filmi i parë që u shfaq në ditën e fundit të festivalit. Shokë të një ideali dhe të dashuruar, Amer dhe Raghda u takuan para 15 vjetësh në një qeli burgu të Sirisë. Kur McAllister takohet me familjen e tyre në vitin 2009, Raghda është përsëri në burg duke e lënë Amer vetëm për t’u kujdesur për 4 djemtë e tyre; por ndërsa “Pranvera Arabe” përfshin rajonin, fati i familjes ndërron në mënyrë të pakthyeshme. Filmuar për më shumë se 5 vjet, filmi skicon odisenë e tyre të pabesueshme drejt lirisë politike. Dokumentari argjentinas u prezantua në festival me “Friendship Hotel” (Hotel Miqësia) me regji nga Pablo Doudchitzky.
“Hotel Miqësia” në 60 minuta është kronika e regjisorit të filmit dhe qëndrimit të familjes së tij në Kinë gjatë Revolucionit Kulturor. “Përmes syve të një fotografeje” ishte dokumentari çek me regji nga Matej Minac. Filmi bën fjalë për nënën e Matej, Zuzana Minacova, 84 vjeçe. Një fotografe e njohur sllovake, e cila ka pasur ndikim në fotografinë çeke dhe sllovake për më shumë se pesëdhjetë vjet, të ekspozuar në tridhjetë vende anembanë botës. Ajo niset në një udhëtim tepër të vështirë. Viziton edhe njëherë kampin e përqendrimit të Aushvicit, ku 70 vjet më parë kishte përjetuar çastin më të tmerrshëm të jetës së saj. “Engelbecken” dokumentari gjerman u prezantua nga vetë regjisorët Gamma Bak dhe Steffen Reck në festival. “Engelbecken” një vend i vendosur në mes rajoneve të Berlin-Mitte dhe Berlin-Kreuzberg, dhe një metaforë për peizazhin vdekjeprurës të Murit: ajo ishte, në fakt, tokë e askujt. “My Jihad” (Xhihadi im) ishte dokumentari belg me regji nga Mark de Visscher, që tregoi në IHRFFA luftën e një komuniteti mysliman kundër ekstremizmit në Belgjikë. Ky film viziton rajonin e Vilvoorde për të hetuar se pse janë duke u radikalizuar kaq shumë të rinj belgë, dhe se si udhëheqës të komunitetit mysliman po përpiqen ta luftojnë atë.
Nga 2.300 filma të ardhur nga e gjithë bota, u përzgjodhën 45 prej tyre që u shfaqën nga data 26 shtator deri më 1 tetor. Nata e parë e festivalit u hap me filmin “Zjarr në det” i regjisorit Gianfranco Rosi, fitues i “Ariut të Artë” në Berlinale. Po kështu, një numër filmash me çmime nëpër festivale të ndryshme të botës, përfshirë edhe Oscar, i krijuan mundësinë publikut të ballafaqohet me një peizazh të gjerë botëror që lidhet drejtpërdrejt me fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Nisur nga problematika dhe interesi i shoqërisë për të mësuar dhe diskutuar rreth temës së migracionit, organizatorët e festivalit shumë hapësirë i dhanë dhe forumeve dhe diskutimeve me publikun. Në fjalët e drejtorit ekzekutiv të IHRFFA-së
Kujtim Çashku ishte misioni se: “Sot, më shumë se kurrë janë vënë në pikëpyetje një sërë vlerash morale dhe etike. Këto vlera lidhen ngushtë me ndjesitë e shpresës, besimit dhe marrëdhënies me të vërtetën. Migracioni në thelb është kontestim, është revoltë, është njohje dhe dalje nga çdo tendencë e njeriut të vetizoluar. Migrimi tek e fundit është një vlerë nga vlerat më të mëdha të lirisë dhe pasurisë së njerëzimit”. Çashku mban prej 11 vitesh këtë festival ku përveç forumeve, audienca e festivalit pati mundësinë të diskutojë me regjisorët e filmave pjesëmarrës, të cilët ishin ftuar të merrnin pjesë në festival dhe të përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në sesionet pyetje-përgjigje. Si duket vazhdon të mbetet prioritare për organizatorët e festivalit, fokusimi dhe përfshirja gjithnjë e më e madhe e të rinjve, të cilët gjejnë në subjektet që trajtojnë filmat, mjaft dilema që kanë të bëjnë jo vetëm me përditshmërinë, por edhe me të ardhmen e jetës së tyre.
Kujtim Çashku: Janë vënë në pikëpyetje vlerat morale dhe etike
“Sot, më shumë se kurrë janë vënë në pikëpyetje një sërë vlerash morale dhe etike. Këto vlera lidhen ngushtë me ndjesitë e shpresës, besimit dhe marrëdhënies me të vërtetën. Migracioni në thelb është kontestim, është revoltë, është njohje dhe dalje nga çdo tendencë e njeriut të vetizoluar. Migrimi tek e fundit është një vlerë nga vlerat më të mëdha të lirisë dhe pasurisë së njerëzimit”
Eric Bergkraut: Nëpërmjet individit shkoj te politika
“Çfarë më intereson në punën time si kineast lidhet gjithashtu me pyetjen e rëndësishme se kush është një qenie njerëzore. Por, unë vij nga teatri dhe kështu jam formuar. Unë përpiqem të flas për politikën duke shkuar nëpërmjet individit. Nuk më pëlqen që të jem i zhurmshëm dhe të ngre teza të mëdha për atë se çfarë është e mirë ose e keqe. Bërja e filmave për mua është një mënyrë për të pyetur veten”.
Mapo/d.i.