Gjatë një takimi të zhvilluar me fermerët në Divjakë sot në 30 janar, kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e mbështetjes financiare dhe bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë. Ai njoftoi se për këtë sektor janë vënë në dispozicion 250 milionë euro, fond që mund të shkojë deri në 1 miliard euro në rastin më të mirë, duke u dhënë fermerëve mundësinë për të zhvilluar projekte të qëndrueshme dhe të suksesshme.
“Paratë janë, por ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe mungesa e përgatitjes për t’i thithur paratë”, tha Rama, duke nënvizuar rëndësinë e aftësisë për të përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian dhe nga kreditë me garanci shtetërore. Sipas tij, fermerët duhet të jenë të aftë që t’i thithin këto fonde, duke përgatitur projekte të qarta dhe të strukturuara mire. “Duhet një dosje me një projekt dhe të tregojë se projekti vlen dhe ky projekt duhet financua,”, theksoi kryeministri.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e tregut të përbashkët dhe përpunimit të prodhimeve. “Nuk funksionon qëndrimi vetëm. Duhet të ketë koordinim me tjerët, që kur të shesim të jemi bashkë dhe atë volumin e madh të mund ta grumbullojmë, ta përpunojmë. Një pjesë të tyre ta përpunojmë këtu dhe jo vetëm ta çojmë në Europë”.
Rama vuri theksin edhe tek mundësitë e kreditimit. “Të gjithë mund të marrin kredi, që janë me garanci nga shteti dhe normat e interesit janë shumë të ulëta. Duhet një dosje, për t’i thënë bankës: ‘Ja pse duhet të më mbështesni dhe pse kjo që po bëj më sjell fitim’.”
Kryeministri gjithashtu theksoi se shteti ka detyrë të qëndrojë pranë fermerëve dhe bujqve, ashtu siç mbështet edhe sektorë të tjerë, duke e cilësuar bujqësinë si një sektor të brishtë, që ka nevojë për vëmendje dhe investime. “Unë besoj se shteti ka detyrë t’i qëndrojë pranë fermerëve dhe bujqve, për të njëjtat arsye që shteti iu qëndron pranë edhe shteteve të tjera”, tha Rama.
Në territorin e Bashkisë Divjakë, sipas kryeministrit, tashmë ka ndërmarrje bujqësore të suksesshme, por ai theksoi se vetëm përpjekjet individuale nuk mjaftojnë. Sipas tij, duhet koordinim dhe bashkëpunim për të përfituar maksimalisht nga mundësitë që ofrohen. “Komponentët e tjerë financiarë, përpos buxhetit janë pak më të vështirë, por duhet të jenë gjithmonë e më shumë të pranishëm dhe duhet që të gjithë të aftësohen për t’i shfrytëzuar”, shtoi ai.
Ky apel i Ramës për krijimin e kompanive të përbashkëta dhe për përfshirjen aktive të bashkive synon të rrisë kapacitetin e fermerëve për të përpunuar, grumbulluar dhe shitur prodhimet bujqësore në mënyrë më efikase dhe konkurruese, duke sjellë një rritje të qëndrueshme të këtij sektori.











