Sindikata e Fermerëve të Bashkuar është e shqetësuar për krizën që ka sjellë koronavirusi dhe priste një plan orientues nga Ministria e Bujqësisë. Kështu deklaroi kreu i sindikatës, Eduart Sharka, në një lidhje direkte me studion e emisionit “Java në RTSH”.
Sipas tij, janë qindra ton prodhime bujqësore në Shqipëri që janë bllokuar për shkak të kufizimit të eksporteve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Sharka tha se ky bllokim që ka ardhur nga karantina, e ka dëmtuar jashtë mase prodhuesin shqiptar i cili po tregton nën kosto brenda vendit, brenda mundësive që lejon situata.
“Ne jemi në pritje të një ndërhyrje urgjente nga ana e qeverisë për ta ndihmuar prodhuesin. Që me shpalljen e krizës ne kishim nevojë për një plan shpëtimi dhe orientimi nga ana e ministrisë, gjë e cila nuk ndodhi” – deklaroi Sharka në lidhjen direkte me emisionin “Java në RTSH”.











