Ministria e Bujqësisë do të ketë në dispozicion 16.3 miliardë lekë për bujqësinë, duke shënuar buxhetin më të lartë të akorduar ndonjëherë për këtë sektor. Rritja e fondeve, skemat e reja të mbështetjes dhe orientimi i fermerëve drejt tregut janë në fokus të politikave për vitin 2026. Në një lidhje direkte në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, me gazetaren Melisa Mehmetaj, zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, dha detaje mbi skemën kombëtare të mbështetjes, investimet për rritjen e konkurrueshmërisë, nxitjen e të rinjve në bujqësi si dhe masat e reja fiskale në ndihmë të fermerëve.
Intervista e plotë
-Fondet për bujqësinë janë në rritje. Për këtë vit sektori ka në dispozicioin 16.3 miliard lekë. Po ashtu ka një qasje të re dhe për të ndihmuar fermerët për të marrë kredi. Por duket se përtej fondeve fermerët janë të paorientuar në treg dhe shpesh përballemi me situatën ku ata hedhin prodhimet në rrugë. Si do ta zgjidhni ju këtë problem për t’i ndihmuar për të qenë konkurrues?
Guri: Skema kombëtare nuk është vetëm një instrument për financimin e fermerëve. Është shumë e rëndësishme edhe për orientimin e tyre. Kështu ne duam që fermerët të drejtohen drejt kushteve më të mira të prodhimit dhe të kenë më shumë siguri ushqimore, kapacitete më të larta ruajtjeje dhe përpunimi. Për këtë arsye skema e këtij viti, e cila do të shpërndajë rreth 52 milionë euro do të fokusohet në një skemë investimesh e cila do t’u mundësojë fermerëve dhe operatorëve ushqimorë që të rrisin kapacitetet e tyre në përpunim, etiketim, në seleksionim me qëllim që prodhimi të mos humbasë vlerën e tij, përkundrazi të rrisë vlerën, të diversifikohet si për sa i përket llojit të tij ashtu edhe të tregjeve ku tregtohet.
-Ju keni nisur një cikël takimesh me fermerët për të diskutuar për skemën kombëtare të mbështetjes për këtë vit. Por çfarë elementësh të kësaj skeme do të ndryshojnë, a do të kalojmë te mbështetja për njësi prodhimi? Një kërkesë kjo e përsëritur ndër vite nga fermerët.
Guri: Në të vërtetë ne kemi nisur një tur kombëtar, nga Tropoja deri në Sarandë. Më shumë se 23 takime, deri tani janë kontaktuar më shumë se 2 mijë fermerë për të shprehur shqetësimet e tyre. Në të njëjtën kohë skema e këtij viti fillon edhe përshtatjen me parimet kryesore të skemës së mbështetjes në bujqësi të BE. Në këtë kuadër, prej disa dekadash BE nuk mbështet më as për litër, as për kilogram, ndaj edhe ne që të jemi në të njëjtin ritëm dhe në vitet në vijim të kemi fermerë që janë të përshtaur për këtë treg, do të ruajmë parimet mbi të cilat e gjithë politika e BE e mbështetjes në bujqësi do të jetë e drejtuar.
-Përmes ndryshimeve që do të bëni në skemë, a do të adresoni edhe problemin e interesit të vakët të të rinjve për t’u marrë me bujqësi apo mungesës së fuqisë punëtore. Si do të nxiten ata për t’u rikthyer te puna në fshat?
Guri: Për ne të rinjtë janë një element kyç i aktiviteteve bujqësore. Fshati duhet të kthehet në një mundësi atraktive për të rinjtë. Për këtë arsye, ne në këtë skemë po punojmë për instrumenet që janë të dedikuara për të rinjtë, si në pjesën e investimeve ashtu edhe në pjesën e mbështetjes direkte. Janë disa instrumenete që po marrim në konsideratë, por në fund do të kemi një ose disa instrumente, të cilat do të jenë të drejtuara në mënyrë direkte te të rinjtë.
-Këtë vit fermerët e regjistruar në tatime që i shesin produktet te grumbulluesit, do të përfitojnë edhe një rimbursim prej 10% për vlerën e faturës. Si do të funksionojë kjo? Çfarë hapash duhet të ndjekë një fermer për të qenë përfitues dhe si e ndihmon kjo masë sektorin?
Guri: Procedura është shumë e thjeshtë. Të gjithë fermerët të cilët kanë një Nipt fermeri dhe që shesin në grumbullues, tregtarë të cilët janë subjekt me TVSH, mjafton të ruajnë autofaturat dhe dy herë në vit, në qershor dhe në janar do t’i dorëzojnë pranë institucioneve tatimore dhe ato automatikisht do të bëjnë rimbursimin me 10% të vlerës së autofaturave të dorëzuara nga fermerët me Nipt fermeri.











