EKSKLUZIVE / Java News
Bum kërkesash në azile nga të moshuarit për të kaluar pjesën e mbetur të jetës. Vetëm përgjatë vitit 2015 janë regjistruar përafërsisht 1206 kërkesa, nga 550 vende që është kapaciteti i përgjithshëm që mund të strehojnë azilet në të gjithë vendin. Kjo ka krijuar një situatë të pazakontë për të gjithë rrjetin social në vend që merret me kujdesin ndaj të moshuarve, duke krijuar një problem të ri e mjaft kompleks. Ajo që bie në sy është fakti se nuk janë vetëm të moshuarit që kërkojnë të strehohen nëpër azile.
Një pjesë jo e vogël kërkesash bëhet edhe nga fëmijët e tyre, të cilët shprehen të gatshëm të paguajnë edhe faturën financiare për këtë qëllim. Në këtë mënyrë, malit të madh të halleve si pensionet e ulëta, shërbimet që lenë për të dëshëruar nëpër spitale, tashmë i është shtuar edhe ajo e braktisjes së tyre nga fëmijët. Shumë familje të ashtuquajtura moderne po i postojnëe prindërit nëpër azile pleqsh që të mos i kenë “nëpër këmbë”, duke deformuar traditën shumëvjeçare shqiptare të kujdesit për brezat e moshuar.
Aktualisht bashkëjetesa mes prindërvve, gjyshërve, nipave dhe mbesave mund të konsiderohet tashmë një mision i pamundur. Fëmijë që mund të kenë jo pak hapësira nëpër shtëpitë ku banojnë, gjithnjë e më shumë po detyrojnë prindërit e tyre ta kalojnë pjesën e jetës që u ka mbetur nëpër azile.
Fenomeni i dërgimit të prindërve nëpër azile nuk ka prekur vetëm Tiranën, por edhe një sërë qytetesh të tjera të vendit si Korçë, Fier, Elbasan, Shkodër, Sarandë, etj. Sociologët shprehen se këto zhvillime po çojnë në shkërmoqjen e ekuilibrave shumë të mirë tradicional të familjeve shqiptare, siç është edhe ai i kujdesit të brezave për njëri-tjetrin. Dinamika me të cilën zhvillohet aktualisht jeta është krejt ndryshe nga ajo e shumë viteve më parë.
Por a mund të përdoret ky si justifikim për të braktisur prindërit, duke i çuar nëpër azile, apo duke “i burgosur” në shtëpi të vogla të blera apostafat për ta, ku miku më i mirë është një qen, mace apo një shërbëtore për t’u pastruar shtëpinë e larë rrobat? Mund të ketë shumë opinione pro dhe kundër, por ajo që është e qartë, është fakti se fëmijët në momentin më të vështirë për prindërit e tyre vendosin t’u kthejnë krahët, duke harruar se kjo gjë një ditë do të vlejë edhe për ta. /A.Meta/