Sipas sondazheve gati 2/3 e tyre beson se sistemi aktual politik dhe ekonomik favorizon më shumë të pasurit dhe se qeveria nuk punon në favor të tyre.
Në gjithë këtë panoramë, për disa aspak premtuese, shpëtimtari ka një emër dhe quhet Donald Trump. Shumë analistë argumentojnë se fenomeni Trump është pikërisht produkt i kësaj pakënaqësie në rritje. Madje ka nga ata që shkojnë përtej.
Jeff Hunt, drejtor i Centennial Institute në Universitetin e Krishterë të Kolorados që mbështet politikën konservatore të republikanëve, njerëzit e konsiderojnë Trump një kampion që do tu sjellë atyre ndryshimin e shumëpritur.
Donald Trump tërheq një grup në SHBA që është shumë i uritur për një lidership ndryshe. Nëse shihni debatin e parë presidencial, ai u përpoq fort që ta etiketojë Hilari Klinton si pjesë e problemit për 30 vitet e fundit.
Ai ia ka arritur që të tregojë veten si një njeri jashtë sistemit që do të arrijë të sjellë rezultatet që klasa aktuale politike nuk ia ka arritur dot. Ndaj njerëzit e shohin si një kampion i shtresës së mesme, klasës punëtore, i atyre njerëzve ëndrra amerikane e të cilëve nuk ka mundur të përmbushet.
Ndaj ai ka tërhequr kaq shumë mbështetje. Ndaj ai fitoi zgjedhjet brenda Partisë Republikane, dhe po ecën shumë mirë në sondazhe, pasi konsiderohet si një alternativë e situatës dhe mënyrës se si janë gjërat tani për të gjithë ata amerikanë që nuk u ka ecur.
Ata janë të uritur për ndryshim, në të njëjtën mënyrë si mesazhi që përcolli Barak Obama në fushatën e tij “Shpresë dhe ndryshim”.
Ashtu si Obama që apeloi me nocionin e ndryshimit, edhe Trump po bën të njëjtën gjë. Ai po e bën me një nivel pak më ndryshe, por ka të njëjtat elementë dhe ndjesi, ndaj dhe ka qenë i suksesshëm.
Në fakt Barak Obama fitoi garën 2 herë për në Shtëpinë e Bardhë falë mbështetjes së jashtëzakonshme të afro-amerikanëve dhe të grupit Millennials (Mijëvjeçari-brezi mes 18-35 vjeç) mes të cilëve ende sot, në fund të mandatit të tij të tretë gëzon një popullaritet të madh pavarësisht problemeve ekonomike me të cilat të rinjtë janë përballur gjatë presidencës së tij.
Donald Trump nuk e ka këtë mbështetje nga ky grup, por as Hilari Klinton. Të rinjtë që nuk pëlqejnë manjatin amerikan për shkak të qëndrimeve të tij raciste dhe seksiste, por nuk e duan as senatoren demokrate sepse ajo për ta është pjesë e politikës së vjetër. Ndaj shumica e tyre ose janë të pavendosur ose do të votojnë për kandidatë të partive të treta.
“Vërtet që nuk e di, sepse dua të bëj më shumë investigime për të dy kandidatët dhe politikat e tyre, e mbase pastaj të marr një vendim. Edhe gjatë debatit mora disa shënime për tu thelluar mbi ato që nuk kuptoja në mënyrë që të kem mundësi ti rishikoj edhe një herë qëndrimet e tyre”.
Pavarësisht se shpesh me një gjuhë të ashpër dhe ndonjëherë edhe vulgare, Trump ka arritur t’i bëjë rezonancë zemërimit të shumë amerikanëve duke fituar mbështetjen e tyre, siç është edhe çështja e emigracionit.
Edhe pse se jashtë vendit deklaratat e tij janë konsideruar absurde dhe qesharake sidomos kur flitet për mure dhe dëbimin e myslimanëve, shumë amerikanë në fakt janë kundër emigracionit të jashtëligjshëm sepse ai redukton orët e tyre të punës dhe ka ulur pagat.
Keq apo mirë, shumë amerikanë janë të shqetësuar për konkurrencën që u bëjnë emigrantët në tregun e punës dhe duan që të ruajnë vendin e punës dhe të mos kenë shkurtime pagash. Ndaj dhe përkrahin manjatin republikan.
Senatori i Kontesë së Douglasit verior dhe perëndimor në Kolorado, Chris Holbert, shprehet i mahnitur me mbështetjen që Trump ka arritur të marrë.
“Donald Trump ka qënë i aftë të lidhet me elektoratin dhe të marrë mbështetje në një mënyrë që unë s’e kam parë kurrë në tjetër fushatë. Ai vjen nga një karrierë e spikatur dhe përmes televizionit dhe reality shoë-ve, shumë njerëz e kanë njohur Trump dhe e admirojnë. Por mendoj që merita më e madhe i takon vetë atij, që ka arritur të marrë kaq shumë mbështetje duke folur për çështje që ai beson se e lidhin edhe më shumë me votuesit dhe e ka bërë këtë ndryshe, jo me mjetet tradicionale të partisë”.
Gjatë gjithë garës për në Shtëpinë e Bardhë sondazhet kanë qenë kryesisht në favor të ish Zonjës së Parë të vendit Hilari Klinton megjithëse me një diferencë shumë të vogël.
Por Kenneth Bickers profesor në Universitetin Kolorado Boulder që jep shkencat politike prej më shumë se 20 vjetësh dhe njohës i mirë i politikës amerikane mendon se shumë amerikanë nuk e durojnë dot Donald Trump, por do të votojnë për të.
“Mendoj se ka shumë njerëz që thonë se nuk do votojnë për Trump apo se janë të pavendosur por në fund do ta mbështesin atë. Disa prej tyre janë republikanë tradicionalë të cilët nuk e pëlqejnë vërtet Donald Trump por nuk mund ta imagjinojnë të kenë Klinton dhe demokratët në Shtëpinë e Bardhë për 4 apo 8 vjet të tjera pas administratës Obama. Kjo njihet ndryshe si fenomeni “konservatorët e turpshëm” siç ndodhi në Britaninë e Madhe kur votuesit nuk tregonin të vërtetën për qëndrimin e tyre pro daljes së vendit nga BE çka tregonte një panoramë krejt tjetër në sondazhe. E kemi parë këtë fenomen edhe më përpara në politikën amerikane dhe në sondazhe”.
Në rezonancë me profesor Bicker është dhe Morris Sparkman, president i republikanëve në Universitetin e Kolorados i cili pranon se nuk bie aspak dakord me politikat që premton Trump, por se do ta votojë atë.
“Unë nuk e mbështes Donald Trump përsa i përket qëndrimit të tij në disa çështje, si emigracioni ilegal, kriza e refugjatëve sirianë dhe qasja e tij ndaj arsimit të lartë. Arsyeja pse nuk e mbështes është sepse këto janë çështje të nxehta për të cilat amerikanët janë të shqetësuar. Dhe nëse duam të jemi sërish “Amerika e mrekullueshme” siç ai premton, duhet të përballemi me këto çështje dhe të garantojmë që do të arrijmë zgjidhje funksionale për këto probleme”.
Profesor Bickers shpjegon se sondazhet tregojnë gjithashtu edhe një tjetër element jo fort të dukshëm por interesant e që duhet lexuar përtej shifrave. Në garën mes të dyve, Klinton është gjithmonë në avantazh, por kur në lojë hyjnë edhe kandidatët e partive të treta veçanërisht Gary Johnson i Libertarianëve që gëzon dhe mbështetjen më të madhe gjërat janë ndryshe.
Sipas tij, pjesa më e madhe e atyre që mbështesin Johnson janë të rinj dhe kryesisht demokratë, çka i heq një numër të konsiderueshëm votash ish sekretares amerikane të shtetit dhe që mund të jetë faktori përcaktues i humbjes së saj. Edhe vetë demokratët i druhen në fakt këtij fenomeni.
Në Universitetin e Virxhinias, drejtuesit e klubit të demokratëve kujtojnë garën e vitit 2000 kur Al Gore humbi për vetëm 537 vota dhe për këtë u fajësua Ralph Nader, kandidat i partive të treta.
“Frika është se mbështetja ndaj një prej kandidatëve të partive të treta do t’i marrë vota ose Hilarit ose Donald Trump siç ndodhi në vitin 2000 me Al Gore”.
“Shumë miqve u them që nëse e besojnë vërtet le të votojnë kandidatët e partive të treta që të tregojnë se ky sistem duhet ndryshuar. Por kur flasim për shtete si Virxhinia, Ohajo, Pensilvania apo Florida, flasim për disa qindra apo edhe dhjetëra vota që do të përcaktojnë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm. Pikërisht atëherë shqetësohem nga kandidatët e partive të treta. Sepse pakënaqësia ndaj dy kandidatëve mund të shkatërrojë shanset e të paturit një lider të vërtetë në Shtëpinë e Bardhë”.
Donald Trump është kritikuar shpesh për mungesë eksperiencë në politikë, çka për shumë konsiderohet një disavantazh në këtë garë kundër Hilari Klinton, e cila një karrierë të gjatë në politikën amerikane duke qenë senatore për 8 vjet dhe sekretare amerikane e shtetit nga 2009 deri në 2013-ën.
Por Jeff Hunt mendon se mungesa e eksperiencës dhe të qenit jashtë sistemit është në fakt më shumë një avantazh për Trump se sa një disavantazh.
Ai ka arritur ta fajësojë Klinton dhe administratën aktuale të Barak Obamës për fuqizimin e ISIS, për situatën ekonomike dhe politikën e jashtme të gabuar karshi Rusisë e Kinës duke ofruar modelin e njeriut të suksesshëm përballë 30 viteve të së njëjtës politikë.
“Po padyshim, ky do të jetë avantazhi më i madh i tij, si dhe nëse vazhdon të tregojë se Klinton ka qenë në lidershipin politik për 30 vjet dhe nuk ja ka dalë mbanë. Është pikërisht ky elementi që ai theksoi edhe gjatë debatit “Pse pikërisht tani u kujtove për të bërë këto ndryshime”. Ka shumë frustrim dhe ka një ndjesi të përgjithshme se gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet për shumë amerikanë. Ka një ndjesi që ajo që po bëhet tani nuk po funksionon ndaj duam diçka që të jetë ndryshe dhe më e ashpër. Kjo nxiti dhe zgjedhjen e Donald Trump. Ishte shumë e ngjashme dhe me zgjedhjen e Obamës në 2008, ndërsa vendi dilte nga kriza ku njerëzit donin ndryshim, çka ishte edhe motoja e Obamës-ndryshimi”.
Për Hunt, njerëzit janë shumë të frustruar me atë që Amerika është sot dhe Trump ka arritur të thithë mbështetjen e atij grupi që konsiderohet si “njeriu i harruar” nga politika aktuale, veçanërisht me premtimet e tij për të rimëkëmbur situatën ekonomike dhe për të sjellë ndryshimin, atë që presin shumë amerikanë të ndodhë.
“Mendoj se kushdo që të fitojë do të sjellë një lloj ndryshimi sepse s’ka rrugë tjetër. Padyshim që unë shoh të mirat dhe të këqijat tek të dy kandidatët por në fund vota ka të bëjë me bindjet e tua personale për disa çështje të caktuara. Unë vetë do të votoj për Trump, sepse mendoj se përsa i përket ekonomisë ai ka një plan më të mirë se sa Klinton. E kam fjalën për mbështetjen ndaj industrisë dhe uljen e taksave çka besoj se do të krijojë më shumë të ardhura për bizneset. Dhe në përgjithësi unë bie dakord më shumë me moralin e Partisë Republikane dhe qëndrimet e saj për shumë çështje sociale”.
Veç agresivitetit që kemi parë në fjalime e debate, shumë analistë argumentojnë se administrata e Trump, gjithmonë nëse ai arrin të hyjë triumfues në Shtëpinë e Bardhë, do të ketë njerëz më agresivë, dhe një ndryshim të madh nga politika e Obamës “të drejtosh nga pas”.
Pra do të ketë njerëz që do të nxisin një axhendë më agresive të SHBA-ve jashtë vendit në përpjekje për të sfiduar Rusinë dhe Vladimir Putin apo superfuqinë ekonomike të Kinës. Natyrisht disa vende do ta pëlqejnë këtë, ndërsa të tjerë jo.