Hungaria pretendon se brenda pak ditësh do të përfundojë fazën e parë të gardhit në vijën kufitare me Serbinë. Segmenti shtrihet për 70 kilometra.
Projekti parashikon ngritjen e një gardhi prej 175 kilometrash të përbërë nga dy seksione paralele: njëri me lartësi 1.5 metra me tela me gjemba, ndërsa tjetri: rrjetë e dendur metalike që shtrihet paralelisht me të.
Mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika, shumë prej të cilëve braktisin vendet e tyre për t’i shpëtuar konfliktit, gjejnë strehim të përkohshëm në pyjet e dendura të Serbisë pranë kufirit me Hungarinë në pritje që të kalojnë në territorin e Bashkimit Evropian. Nga ky moment ata mund lëvizin lirisht drejt ndonjërit prej vendeve Shengen. Hungaria, me mbështetjen e Bashkimit Evropian po përpiqet ta bllokojë këtë dyndje duke ndërtuar një gardh në vijën e saj kufitare me Serbinë
Kufiri mes Serbisë dhe Hungarisë është Thembra e Akilit për ata refugjatë që përshkojnë Ballkanin drejt Perëndimit. Çdo ditë rreth 1500 refugjatë, pjesa më e madhe nga Afganistani dhe Siria përshkojnë pyjet në Serbi për t’u futur në Hungari.
Evropa po reagon duke u përpjekur të mbyllë kufijtë me territoret përreth kufijve të saj. Autoritetet hungareze po mbikëqyrin një program madhor për të rrethuar me gardh kufirin me Serbinë. Qeveria e kryeministrit Voktor Orban ka filluar një fushatë me afishe ku u paralajmëron refugjatët se nuk do të gjejnë punë në kurriz të punësimit të hungarezëve, si dhe i këshillon të respektojnë traditat e vendit.









