• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, June 26, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Fatura e të ardhmes së vjedhur

by Java News
07/09/2022 13:00
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Mateusz Morawiecki*

Ka krime, të cilat nuk mund të falen krejtësisht, dhe të cilat kurrë nuk mund të harrohen. Koha nuk e liron shkaktarin nga detyrimi i dëmshpërblimit të viktimës. Madje edhe nëse krimet e tij duken të vështira për t’u kalkuluar.

Kam ndjesinë që banorët e jo të gjitha shteteve të Evropës Perëndimore e kuptojnë tërësisht shkallën e dramës që përbën për Poloninë Lufta II Botërore. Nga optika perëndimore ky konflikt mund të shihet si një hallkë beteje, lëvizje trupash dhe vendimesh të politikanëve. Për ne para së gjithash është vijim i krimeve, mizorive dhe shkatërrimeve, vijim i shanseve për zhvillim të humbura njëherë e përgjithmonë.

Lufta II Botërore qysh në zanafillë ishte një krim i planifikuar me gjakftohtësi, qëllimi i të cilit ishte asgjësimi fizik i popujve të tërë, shkatërrimi i shteteve të tëra.

Natyrisht që lufta solli gjithandej vdekje dhe rrënim. Në Evropën Lindore, megjithatë, kjo kohë e llahtarshme ishte njëqind herë më zi sesa në Francë, Belgjikë, Holandë apo Danimarkë. Ndonëse sot është e vështirë të përfytyrohet, Gjermania naziste, tri breza më parë, u ka mohuar polakëve të drejtën për të jetuar, i ka konsideruar racë skllevërish, ndaj të cilëve mund të kryheshin pandëshkueshmërisht krime dhe eksperimente të tmerrshme.

Paragjykimet rasore, ndjenja e superioritetit dhe ambiciet koloniale të Rajhut III i shkaktuan vendit tim tragjedinë më të madhe në historii, fshinë shanset dhe shpresat e një populli të tërë. Me pasojat e kësaj lufte Polonia vijon të luftojë sot e gjithë ditën. Dhe do të luftojë gjatë edhe pas largimit nga kjo jetë të dëshmitarëve të fundit okularë të kësaj kohe çnjerëzore.

Sipas planit gjerman Generalplan Ost polakët, në pjesën e tyre dërrmuese, kishin për t’u shfarosur, ndërsa një pjesë e vogël  kishte për të marrë rolin e skllevërve, të dënuar me punë të detyrueshme. Ky plan kriminal nisi të realizohej qysh në ditën e parë të Luftës II Botërore. Bombat e para që në 1 shtator 1939, në orën 4.40 ranë mbi Poloni, nuk kishin për objektiv objektet ushtarake, por vetëm spitalet dhe banesat e qytetit të pambrojtur Vielunj. Gjermanët hodhën mbi qytetin e qetë e në gjumë 380 bomba, me peshë të përgjithshme 46 ton. Genocid sadist i lemeritshëm.

Qysh në ditët e para Wehrmarcht dhe njësitë ndihmëse të përbëra nga gjermanë të zakonshëm dogjën për së gjalli fëmijë e gra të pambrojtura.

Në fotografinë e famshme të shtatorit 1939 fotografi amerikan Julien Bryan ka fiksuar vajzën 12 vjeçare, Kazimiera Kostewicz, duke qarë mbi trupin pa jetë të motrës pak më të madhe, Annës, të pushkatuar nga ushtari gjerman.

Në Poloni ka pasur me miliona fëmijë të tillë që kanë qarë prindërit, vëllezërit, motrat e miqtë. Në të njëjtën kohë miliona prindër kanë vajtuar, për shkak të kësaj lufte, fëmijët e tyre. Kjo ishte një kasaphanë ferrnale, – kasaphanë që gjermanët, në një shkallë të madhe, e bënë ndaj njerëzve të zakonshëm, civilëve të pafajshëm.

Realiteti i Polonisë nën okupim ishte- krime të vazhdueshme, masakra të popullsisë civile, zhvatje gjigande e pasurisë polake, grabitje e më shumë se 500 mijë pikturash, skulpturash dhe veprash të tjera arti. Diku në ndonjë shtëpi apo kopsht gjerman varet ende sot „Portreti i një të riu” i Rafael Santi.

Realiteti i Polonisë nën skllavërimin gjerman ishte shndërrimi në gërmadhë i qyteteve të tëra, shkatërrimi i objekteve kulturore dhe fetare, pusitë nëpër rrugë, ekzekutimet publike, eksperimentet mjekësore në trupat e të burgosurve dhe robërve, rrëmbimi i fëmijëve nga duart e prindërve (kanë rrëmbyer kësisoj së paku 200 mijë fëmijë) dhe dërgimi tyre në thellësi të Rajhut me qëllim „gjermanizimin”. Dhe më në fund- ngritën në tokën polake makinën e tmerrshme të vdekjes: kampet e përqendrimit.

Aktet kriminale të dhunës kanë qenë të planifikuara në detaje, kishin edhe emërtesat përkatëse. Intelligenzaktion, Sonderaktion apo Außerordentliche Befriedungsaktion. Këto ishin të gjitha operacione të organizuara që gjermanët i kryenin kundër elitës së popullit polak- profesorëve, juristëve, mjekëve, inxhinjierëve, mësuesve apo arkitektëve. Vetëm përgjatë operacionit Tannenberg, në muajt e parë të luftës, gjermanët kanë vrarë rreth 55 mijë qytetarë polakë, në mesin e të cilëve zyrtarë të të gjitha niveleve, veprimtarë lolakë, mësues, policë dhe përfaqësues të shumë profesioneve të tjera të rëndësishme për organizimin e shtetit. Në harkun kohor të gjashtë viteve kanë vrarë 5.2 mln qytetarë të vendit tim, teksa numri i popullsisë u zvogëlua me rreth 12 milionë njerëz.

Fundi i luftës e gjeti Poloninë me ekonomii tërësisht të rrënuar, me industri të shkatërruar, me qytete të rrafshuara.

Por çfarë i gjeti ata që gjatë kësaj kohe ushtruan terror në Poloni? Shpesh u vunë në krye të elitave lokale, jetonin në bollëk, duke evituar çdo lloj përgjegjësie për krimet e kryera. Edhe një i tillë si Heinz Reinefahrt, një nga katilët e Kryengritjes së Varshavës, pas lufte u bë kryetar bashkie i Westerland në ishullin e famshëm Sylt, ndërsa më vonë anëtar i Landtag-ut në Schleswig-Holstein. Heinz Reinefahrt është një ndër shembujt e panumërt që ilustron më së miri si përfundoi në të vërtetë Lufta II Botërore. Përfundoi me një padrejtësi të madhe. Kështu është, lufta më e përgjakshme në historinë e botës nuk pati kurrë llogaridhënie.

Është për këtë arsye që e ngremë sot çështjen e reparacioneve, çështjen e dëmshpërblimit për krimet gjermane ndaj popullit dhe qytetarëve polakë. Për krimet që kurrë nuk mund të harrohen. Me drejtësinë në shpirt dhe emrin e mirë të viktimave, kemi përgatitur Raportin mbi dëmet e pësuara nga Polonia si rezultat i agresionit dhe pushtimit gjerman gjatë luftës II botërore 1939-1945. Ky raport trivëllimësh është efekt i punës më shumë se katërvjeçare të një grupi ekspertësh të ngritur posaçërisht. Është fatura e të ardhmes së vjedhur.

Mësimi që duhet të nxjerrim nga Lufta II Botërore është i tillë që krimet e harruara, të papërshkruara, të pagjykuara e të pandëshkuara, mund të jenë veç paralajmërim për krimet e radhës. Dhe ja ku i kemi, krime lufte po ndodhin sot në sytë e gjithë Evropës- po i kryen ushtria ruse ndaj popullit ukrainas. Barbarët e kohëve tona duhet ta dinë që nuk do t’i shpëtojnë përgjegjësisë për krimet e tyre- genocidin, shkatërrimin, grabitjen. Duhet ta kenë të qartë se drejtësia do t’i ndjekë pashmangshmërisht.

Për shumë vite gjermanët kanë mbajtur qëndrimin që çështja e reparacioneve të luftës është zgjidhur prej kohësh. Mirëpo ja që vetëm kohëve të fundit gjermanët vendosën të dëmshpërblejnë genocidin ndaj grupimeve etnike Herero dhe Nama në Namibi të kryer më shumë se njëqind vjet më parë. Pas gati 50 vjetësh Gjermania ra dakord gjithashtu të dëmshpërblejë familjet e viktimave të atentateve terroriste ndaj sportistëve izraelitë gjatë lojërave olimpike në Mynih. Nuk ka pikën e rëndësisë nëse nga koha e krimeve kanë kaluar 10, 50 apo 100 vjet. I rëndësishëm është fakti që ato u shpaguan realisht.

Çdo debat mbi reparacionet duhet të marrë në konsideratë edhe këto gjeste të autoriteteve gjermane. Viktimave të makinës totalitare gjermane u takon po ai respekt dhe po ajo kujtesë sikundër viktimave të kolonializmit apo terrorizmit. Shkalla e papërfytyrueshme e shkatërrimeve që u kryen në Poloninë e viteve 1939-1945 bën që kompensimi i dëmëve të jetë një proces i zgjatur në vite.

Pas Luftës II Botërore çdo vit themi „kurrë më”, ndërkaq dëmshpërblimi për popullin polak ende nuk është bërë kurrë fakt. Në kuptimin ekzistencial këto dëme as nuk mund të vlerësohen dhe as nuk mund të kompensohen dot. Sepse kush do të ishte në gjendje të vlerësonte çmimin e jetës njerëzore? Faturën  shkaktarëve mund t’ia lëshojë veç historia. Kësaj i duhet shtuar edhe përgjegjësia e shoqërive dhe shteteve. Kjo përgjegjësi sidoqoftë mund të matet dhe llogaritet fare mirë. Ne besojmë se kjo përgjegjësi për dëmet qëndron në themel të ndërtimit të të ardhmes së përbashkët mes popujve. Nuk mund të shihet drejt të ardhmes pa të vërtetën e së shkuarës. Ne duhet dhe duam të ecim përpara. Dhe e vetmja rrugë që na shtyn përpara është rruga e të vërtetës. Shpresoj se pikërisht në këtë rrugë po hyjmë. Jam besimplotë se në këtë mënyrë do të arrijmë të mbyllim një nga kapitujt më të errët të historisë së Polonisë, Evropës dhe botës mbarë.

*Kryeministri aktual i Republikës së Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka qenë anëtar i ekipit që negocioi kushtet e hyrjes së Polonisë në Bashkimin Europian. Ka studiuar Histori në Universitetin e Vrocllavit; Administrim-Biznes në Universitetin Politeknik të Vrocllavit si dhe në Central Connecticut State University.

Next Post
Arrestohen 10 persona të një bande shqiptare për trafikimin e drogës në Spanjë

Arrestohen 10 persona të një bande shqiptare për trafikimin e drogës në Spanjë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Përshpejtohet ora biologjike, të rinjtë plaken më shpejt se gjeneratat e mëparshme

Përshpejtohet ora biologjike, të rinjtë plaken më shpejt se gjeneratat e mëparshme

June 26, 2026
“Duhet të iknim ose do digjeshim”, rrëfimi dramatik i marinarit pas sulmit ndaj cisternës në Hormuz

Rikthehen tensionet në Hormuz, Irani qëllon anijen, OKB pezullon operacionin e shoqërimit

June 26, 2026
Aksident i frikshëm në Sarandë, makina çan barrierat e rrugës, shpëton mrekullisht turisti francez

Aksident i frikshëm në Sarandë, makina çan barrierat e rrugës, shpëton mrekullisht turisti francez

June 26, 2026
Dosja “5D” / GJKKO ndryshon masën e sigurisë për Taulant Tushën, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje

Dosja “5D” / GJKKO ndryshon masën e sigurisë për Taulant Tushën, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje

June 26, 2026
VIDEO / Fqinjët konfliktohen dhe qëllohen mes tyre me armë zjarri, arrestohen dy persona në Shkodër

VIDEO / Fqinjët konfliktohen dhe qëllohen mes tyre me armë zjarri, arrestohen dy persona në Shkodër

June 26, 2026
Zbardhet vendimi i GJL, kompania e Pacollit rikthehet në administrimin e Aeroportit të Vlorës pas tensioneve me Valon Ademin

Zbardhet vendimi i GJL, kompania e Pacollit rikthehet në administrimin e Aeroportit të Vlorës pas tensioneve me Valon Ademin

June 26, 2026
Helmimi i 60 kursantëve, AKU: “SORI-AL” me higjienë të përshtatshme. Ndërpritet aktiviteti deri në daljen e analizave

Helmimi i 60 kursantëve, AKU: “SORI-AL” me higjienë të përshtatshme. Ndërpritet aktiviteti deri në daljen e analizave

June 26, 2026
Muaj mjalti pa fund! Dua Lipa dhe Callum Turner shkëmbejnë puthje pasionante në plazh

Muaj mjalti pa fund! Dua Lipa dhe Callum Turner shkëmbejnë puthje pasionante në plazh

June 26, 2026
Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, dënohet me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishaj

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, dënohet me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishaj

June 26, 2026
Katastrofë biblike në Venezuelë, mbi 50 mijë vetë rezultojnë të zhdukur, thirrje për ndihmë nga rrënojat

Katastrofë biblike në Venezuelë, mbi 50 mijë vetë rezultojnë të zhdukur, thirrje për ndihmë nga rrënojat

June 26, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In