Nga Fatos Tarifa
Botuar në DITA
Donald Trump, i cili shërbeu si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, i lë shëndenë këto ditë Shtëpisë së Bardhë në një mënyrë të pashembullt dhe shumë të turpshme. Në kopertinën e numrit të saj të fundit, revista britanike The Economist e konsideron trashëgiminë që la pas z. Trump si një turp. Përpjekja e tij për të penguar konfirmimin e presidentit të zgjedhur në garë me të, zotit Joe Biden, përmes manipulimeve, teorive konspirative, presioneve e shantazheve të çdo lloji dhe, së fundmi, përmes nxitjes së një kryengritjeje të dhunshme në Capitol Hill ditën e numërimit të votave të Kolegjit Elektoral, më 6 janar 2021, një akt, të cilin pjesa më e madhe e publikut dhe e ligjvenësve amerikanë, mediat më të mëdha amerikane dhe ato botërore e konsideruan si një akt kriminal, shumë të rrezikshëm për fatet e demokracisë amerikane dhe për interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, nuk ishin surprizë për shumë njerëz, jo vetëm në Amerikë, por edhe jashtë saj. Gazeta Dita vlerëson me respekt, si përherë, një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të saj, akademikun dhe diplomatin e shquar, Prof. Fatos Tarifa, për analizat e thella dhe parashikimet e sakta që ai ka bërë mbi “doktrinën” e z. Trump dhe politikat e tij qysh para se ai të hynte në Shtëpinë e Bardhë, si Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara (në fillim të nëntorit 2016) dhe menjëherë (vetëm një javë) pasi ai u inaugurua në atë detyrë. I njohur dhe i vlerësuar nga shumë autoritete shkencorë të huaj si “një studiues që shquhet për një intuitë dhe talent të veçantë në parashikimin e prirjeve të zhvillimit global dhe në analizën e ngjarjeve ndërkombëtare”, analizat dhe parashikimet e Prof. Tarifës edhe këtë herë janë provuar tërësisht të vërteta e largpamëse. Redaksia e gazetës Dita e gjykon me interes dhe me dobi për publikun ribotimin e plotë të dy prej analizave të tij mbi presidencën e z. Trump, që kjo gazetë ka botuar përkatësisht më 9 nëntor 2016 dhe më 1 shkurt 2017, të cilat marrin një vlerë të veçantë sot, në kuadër të ngjarjeve të ditëve të fundit në Uashington.
1
Recycle, it works!
Donald Trump si mit dhe si realitet
Botuar në gazetën DITA më 9 nëntor 2016
20 vite më parë, më 1996, kur jetoja dhe punoja në Shtetet e Bashkuara, ndërsa shkoja në punë dhe kthehesha prej saj, dëgjoja në radio çdo ditë një reklamë që transmetohej nga NPR (National Public Radio). Ajo thoshte, pak a shumë, si vijon: “Në vitin 1952, Dwight D. Eisnehower u thoshte qytetarëve amerikanë, që atë vit do të votonin për presidentin e tyre: ‘Fellow Americans, it’s time for change!’. Në vitin 1960, J. F. Kennedy, i cili kandidonte për kreun e Shtëpisë së Bardhë, përsëri thoshte: ‘Fellow Americans, it’s time for change!’. Në vitin 1968, Richard Nixon, në fushatën që e zgjodhi atë president të Shteteve të Bashkuara, përsëriste të njëjtin refren: ‘Fellow Americans, it’s time for change!’. Në vitin 1976, Jimmy Carter u drejtohej qytetarëve të vendit të tij me po këto fjalë: ‘Fellow Americans, it’s time for change!’. Në vitin 1980, Ronald Reagan, gjithashtu, u thoshte qytetarëve të vendit të vet: ‘Fellow Americans, it’s time for change!’. Në vitin 1992 Bill Clinton përsëriste të njëjtin avaz: ‘Fellow Americans, it’s time for change!’; Tani, Bob Dole u thotë “his Fellow Americans”: ‘It’s time for change!’”.
Reklama mbyllej me këto fjalë: “Recycle, it works!”.
Atë vit, pra më 1996, Bill Clinton kërkonte mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara, i konkuruar në garën për Shtëpinë e Bardhë nga senatori i njohur republikan Robert (“Bob”) Dole. Ky i fundit, edhe pse, si të gjithë kandidatët presidencialë, u përpoq t’i bindte qytetarët amerikanë se ishte “koha për ndryshim”, humbi me një diferencë 8.8 për qind ndaj rivalit të tij demokrat. A do të thoshte humbja e tij se viti 1996 nuk ishte një kohë për ndryshime në politikën amerikane dhe në jetën e qytetarëve amerikanë?
Reklama radiofonike e sipërpërmendur më bënte të vija buzën në gaz sa herë që e dëgjoja. Përsëritej i njëjti mesazh, me të njëjtat fjalë, nga të gjithë ata personalitete politike që për dekada me radhë kishin synuar postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara. E vetmja gjë ndryshe ishte zëri i aktorëve që interpretonin karakteret në fjalë.
* * *
Ky episod më kujtohej sa herë që Donald Trump, gjatë fushatës së tij agresive për të marrë postin e kreut të Shtëpisë së Bardhë, e bëri sloganin “Time for change” idiomën kryesore të retorikës së të tij. Po ky episod m’u kujtua edhe dje, kur lexova në gazetën Shekulli një intervistë të z. Arjan Starova mbi zgjedhjet e djeshme presidenciale në SHBA. Z. Starova shprehej se “Amerikanët duan gjëra të reja” dhe, prandaj, sipas tij, ata do të zgjedhin Trump-in si presidentin e tyre!
Analiza e z. Starova ngre për mua një sërë pikëpyetjesh dhe unë do mundohem t’i shqyrtoj argumentet e tij një për një.
(1) Z. Starova e cilëson kandidatin republikan Donald Trump si një njeri që “kërkon ndryshime rrënjësore në politikën amerikane”, por ai nuk është në gjendje, madje as e shtron si çështje të provojë se sa një pretendim, ose synim i tillë është i vërtetë apo i mundur në kushtet e një vendi si Shtetet e Bashkuara. Z. Starova nuk ka se si të provojë se sa “rrënjësisht” mundet që ta ndryshojë “politikën amerikane” një njeri që zgjidhet president i atij vendi. “Time for change” nuk do të thotë se “change” është domosdo një gjë e lehtë ose, madje, e mundur. Dhe, për më tepër, çfarë lloj ndryshimi premton se do të sjellë Trump në politikën amerikane? Në qoftë se zotit Starova i pëlqejnë ndryshimet që kërkon të bëjë Trump në politikën e Shteteve të Bashkuara, kjo do të thotë se ai, pra z. Starova, ka qenë, ose është i pakënaqur me politikën e derisotme të administratës së këtij vendi.
(2) Z. Starova pohon se Donald Trump “i akuzon demokratët se kanë ngritur një sistem tërësisht të korruptuar, mashtrues në të gjitha poret e institucioneve” amerikane, por, shton ai, “për këtë nuk mund të bëjmë koment sepse ne nuk kemi fakte”! Por, nëse nuk kemi fakte, si mundet ta quash kritikën e Trump-it një meritë të fushatës së tij elektorale, fushatë e cila, siç e dimë mirë të gjithë, është karakterizuar gjatë gjithë kohës nga shpifjet më të mëdha dhe sulmet më të egra ndal rivales së tij demokrate, znj. Clinton, dhe ndaj demokratëve në përgjithësi?!
(3) Për shkak se, siç pohon ai vetë, z. Starova nuk është “ekspert i polle-ve”, ai “përdor logjikën”, dhe logjika e tij e çon në përfundimin se Trump do të zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara. Pse? Sepse ai “personalisht” mendon se “Amerika do të votojë për një ndryshim”. Se ç’do të thotë “ndryshim”, këtë z. Starova nuk di të na e thotë. Për të, amerikanët kërkojnë thjesht një “ndryshim”, që mund të jetë “çdo lloj ndryshimi”. Por cili ka qenë ndonjëherë ai kandidat për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, ose edhe për postin e kreut të shtetit ose të qeverisë së çdo vendi tjetër, që nuk u ka premtuar zgjedhësve të tij, në garë përballë rivalëve të tij, “ndryshim”. Cili politikan mund të fitojë zgjedhjet nëse nuk premton “ndryshim”? Recycle, it works!
(4) Ndryshe nga çdo opinion që është shprehur dhe nga çdo vlerësim që u është bërë tre debateve televizivë mes kandidatëve në garë për postin e presidentit amerikan, Clinton vs. Trump, z. Starova pohon se, në debatin e tretë, Trump ishte “shumë më lart, ndërsa [në] dy të parët [ai dhe Clinton] ishin aty-aty”! Z. Starova mund të ketë kutin e tij të matjes e të vlerësimit të gjërave, por nëse çdo kut tjetër mat dhe vlerëson ndryshe nga kuti i tij, me këtë të fundit ka një problem. I konsideruar si humbës në ata tre debate nga pjesa më e madhe e publikut dhe e ekspertëve të politikës amerikane, z. Trump nuk ka se si të jetë fitues në sytë e një njeriu të vetëm, pra të z. Starova.
(5) Z. Starova vlerëson se, si një kandidat për president, “Trump ka qenë në nivele të larta dhe me atë që ka treguar mund ta bënte shumë mirë detyrën e presidentit”. Nivele të larta kur, në të vërtetë, fushata e tij presidenciale është vlerësuar si më “e ulta” për nga vokabulari dhe nga sjellja e tij në publik ndaj rivalit të vet politik, në atë masë sa gazeta Washington Post e ka cilësuar atë si një “lunatic të rrezikshëm” (dangerous lunatic)?!
(6) Së fundmi, z. Starova “argumenton” se, ashtu si rivalja e tij, Donald Trump ka një “koeficient të lartë inteligjence” dhe do të jetë një “president shumë i mirë”. Këtu, kolegu im, bie në kurthin e atyre që besojnë se Trump, i cili asnjëherë nuk i është nënshtruar ndonjë testi që “mat” inteligjencën, ka një IQ shumë të lartë.
* * *
E para gjë që mund të thuhet me siguri për z. Trump është se askush nuk është i sigurt për IQ-në e tij. Vetë Trump dhe përkrahësit e tij më luajalë besojnë se IQ-ja e tij është 156 (pa e matur kurrë përmes një testi), çka do të thotë se Trump është pothuajse aq inteligjent sa kanë qenë Leonardo Devinci (me një IQ 220) dhe Albert Einstein (me një IQ 160). Vetë Trump është i obsesuar me idenë e “gjenisë” së tij dhe kjo duket se është një armë kundër rivalëve të tij politikë. Në vitin 2009, në librin e tij Mendo si një kampion (Think Like a Champion), Donald Trump tregon se, kur “dikush më pyeti nëse unë mendoj se jam një gjeni, vendosa t’i them Po. Pse jo?”.
A mund t’i vemë faj “gjeniut” Trump, kur për të gjeni të vërtetë janë edhe Sylvester Stallone (“gjeni thjesht instiktivisht”!) dhe Jean-Georges Vongerichten, dikush që menaxhon një restorant në një prej hoteleve të Trump-it?!
Për ata që nuk e dinë se ç’është IQ (intelligence quotient), sqaroj se ky koncept përfaqëson, ose shpreh vlerën totale të përftuar nga një sërë testesh të standardizuar, të dizenjuar për të matur shkallën e inteligjencës te njerëzit. Thuajse dy të tretat e njerëzve vlerësohet se kanë një IQ midis 85 dhe 115. Vetëm rreth 5 për qind e njerëzve rezulton se kanë një IQ më të lartë se 125 dhe, po kështu, vetëm rreth 5 për qind e tyre kanë një IQ më të ulët se 75. Nëse Trump do të kishte një IQ rreth 156, ai do të ishte më inteligjent se 99.98 për qind e të gjithë njerëzve që popullojnë planetin tonë! Mua vetë, asgjë nga pohimet verbale të tij nuk më sugjeron një IQ të lartë. Fjalori vulgar, mënyra e të arsyetuarit të tij dhe mungesa e njohurive të thella mbi subjekte të komplikuara (si Lindja e Mesme ose seksualiteti human) e rendisin atë mes njerëzve me inteligjencë të zakonshme. Jo pa arsye, një presidenti si Donald Trump i trembet edhe vetë një pjesë e madhe e republikanëve, pasi ai, duke mos i kuptuar kompleksitetet e situatave të sotme, nuk do të ishte në gjendje që të ushtronte siç duhet funksionet e presidentit të fuqisë më të madhe të globit.
Disa artikuj të botuar në SHBA kohët e fundit e vlerësojnë IQ-në e z. Trump në intervalin 110-130, çka do të thotë, nëse u besojmë testeve standarde të tillë, se shkalla e inteligjencës së tij është ajo e një njeriu të zakonshëm, ose disi më e lartë, por, sidoqoftë, shumë larg asaj të një gjeniu, siç vetëshpallet Trump dhe siç portretizohet ai nga shumë prej simpatizantëve të tij. Thjesht një kujtesë: A nuk ishte Rudy Giuliani, ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut dhe një mbështetës i devotshëm i z. Donald ai që, në një emision televiziv (Meet the Press) në NBC News, në tetor të këtij viti, e cilësoi atë si një “gjeni”, i cili kishte mundur të evitonte pagesat e taksave federale mbi të ardhurat?
* * *
Popullariteti i konsiderueshëm që gëzon z. Trump nuk i dedikohet “gjenisë” së tij. Shumica e njerëve që janë republikanë luajalë, do të votonin për një kandidat republikan pavarësisht se cili është ai. Në Shqipëri, dhe thuajse kudo, ndodh njëlloj. Është një lloj si në futboll. Ti mbron skuadrën tënde, sido që të luajë ajo.
Trump pëlqehet dhe është përkrahur nga racistë, misogjinistë, homofobë, proto-fashistë të çdo lloji, të cilët, deri më sot, kanë qenë frenuar në veprimet e tyre nga norma sociale e standarde më liberale. Trump nuk i denoncon ata, përkundrazi i çmon, jo sepse ai është domosdoshmërisht një prej tyre, ose si ata, por sepse duke qenë vetë një narcisist, atij i pëlqen që të venerohet prej të tjerëve dhe, njerëz të tillë, e ushqejnë këtë dëshirë të tij.
Le t’i “bëjmë vend” z. Trump mes “të ngjashmëve” të tij, gjenive të njerëzimit: Da Vinçit, Shekspirit, Dekartit, Njutonit, Xhefersonit, Marksit, Van Gogut, Ajnshtajnit, por të mos besojmë në mënyrë naive se ai do të ishte një president “shumë i mirë” për Shtetet e Bashkuara dhe, si i tillë, lideri i përgjegjshëm e largpamës i politikës së globit që popullojmë të gjithë bashkë, si popuj.
2
‘Doktrina Trump’ si revizionizëm
Botuar në gazetën DITA më 1 shkurt 2017.
Të çuditshëm janë disa gazetarë. Zgjedhja e z. Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë u dha shkas të thonë se unë gabova në parashikimet e mia për zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe, menjëherë, kërkuan që t’ua shpjegoja këtë “miopi” politike timen. Një shpjegim të tillë e bëra për gazetën Dita, në një intervistë me gazetarin Xhevdet Shehu. Përmbajtja e asaj interviste shtjellohet e plotë më poshtë.
Unë nuk bëra orakullin për zgjedhjet presidenciale në Amerikë, por analistin, mbështetur në përvojën time jetësore, akademike e diplomatike në Shtetet e Bashkuara dhe në studimet e mira mbi politikën e brendshme e të jashtme amerikane. Në politikë ka gjithmonë të papritura. Njëlloj si unë, humbjen e z. Trump e dëshiruan dhe e parashikuan shumica e popullit amerikan. Shumica e amerikanëve (48.2 për qind) e tyre votuan kundër të tij, në favor të kandidates demokrate, Hillary Clinton. Donald Trump fitoi vetëm 46.1 për qind të votave. Rreth 3.2 milionë amerikanë më shumë votuan për kandidaten që humbi. Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara me 2.1 për qind vota më pak. Zgjedhja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë nuk është, pra, rezultat i fitores së tij; kjo u bë e mundur për shkak të sistemit elektoral që ekziston prej më shumë se dy shekujsh në atë vend. Më saktë, për Donald Trump-in nuk votoi shumica e afërsisht 130 milionë qytetarëve amerikanë që morën pjesë në zgjedhjet presidenciale, por votoi shumica e vetëm 538 anëtarëve të Kolegjit Elektoral të atij vendi. Kjo, natyrisht, nuk e vë në dyshim legjitimitetin e z. Trump si President i Shteteve të Bashkuara, sepse është vetë sistemi politik dhe mekanizmat e sistemit elektoral amerikan që e mundësojnë edhe një humbës të votës popullore që të zgjidhet në postin më të lartë të shtetit.
* * *
Kushdo që e njeh sistemin politik amerikan dhe historinë e presidencës së Shteteve të Bashkuara e di se Donald Trump nuk është i pari president i atij vendi që zgjidhet në këtë post duke mos fituar shumicën e votave të popullit të vet. Para tij kanë qenë katër presidentë të tjerë, të cilët, edhe pse kanë marë më pak vota, u zgjodhën në krye të Shtëpisë së Bardhë me shumicën e votave të Kolegjit Elektoral: John Qincy Adams (vs Andrew Jackson), më 1824; Rutherford Hayes (vs Samuel Tilden), më 1876; Benjamin Harrison (vs Grover Cleveland), më 1888 dhe George W. Bush (vs Al Gore), në vitin 2000.
Nuk ishin vetëm shumica e amerikanëve që humbën në parashikimet e tyre për rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA. Bashkë me ta dështuan edhe parashikimet e pothuajse të gjitha mediave më të mëdha në atë vend, parashikimet e pjesës më të madhe të analistëve politikë, si dhe parashikimet e pjesës më të madhe të publikut e të politikanëve europianë. Kë mund të “fajësosh” për këtë “miopi” politike veç sistemit të kolegjit elektoral që vazhdon të ekzistojë në Shtetet e Bashkuara, edhe pas shumë përpjekjesh legjislative që janë bërë për ta eliminuar atë?
Mos harroni se, në fakt, Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara i kundërshtuar fort jo vetëm nga elektorati amerikan që tradicionalisht ka votuar për demokratët, por i kundërshtuar dhe i anatemuar edhe nga një pjesë e madhe e lidershipit republikan.
Zgjedhja e z. Trump i shtyn disa gazetarë të pyesin nëse, me ardhjen e tij në krye të administratës amerikane do të ndryshojë edhe “rendi botëror” i sotëm. Ndonjë prej tyre, madje, është shprehur se, me Trump-in, bota po hyn në një “epokë të re”.
Unë e kundërshtoj këtë pikëpamje. Ajo është tërësisht e pambështetur në fakte dhe e paargumentuar. Është ende shumë herët që të flitet me siguri se ç’mund të ndodhë pas zgjedhjes së z. Trump si president i Shteteve të Bashkuara dhe unë nuk dua t’ju jap gazetarëve “arsye” për të më thënë më vonë, përsëri, se kam dështuar në parashikimete mia . Jo, vërtet është shumë herët. Z. Trump ka vetëm dhjetë ditë që ka marrë në dorë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë dhe ndryshimet në politikën e brendshme e të jashtme amerikane janë të pritshme. Në fakt, disa ndryshime të rëndësishme kanë filluar të kryhen, por do të ishte e nxituar të bëja parashikime për një “epokë të re botërore”, për një “Rend të Ri Botëror”, ose për një paradigmë të re në marrëdhëniet mes fuqive të mëdha të globit. Sidoqoftë, nëse retorika dhe veprimet e ditëve të para të presidentit të sapozgjedhur amerikan janë tregues i një “Doktrine Trump” në embrionet e saj, disa “parashikime” (që mund të jenë edhe të gabuara) mund të bëhen.
* * *
Unë kam besuar gjithmonë—dhe vazhdoj të besoj—se pavarësisht individit që zgjidhet në krye të administratës amerikane, politikat e jashtme e të brendshme të kësaj fuqie të madhe nuk mund të pësojnë ndryshime rrënjësore “over night”. Detyrimi kryesor i çdo shteti—dhe parimi themelor i politikës së tij të jashtme e të brendshme—është mbrojtja e interesit kombëtar dhe unë nuk shoh asnjë arsye të besoj se interesi kombëtar i Shteteve të Bashkuara ka ndryshuar me ardhjen e z. Trump. Ajo çka mund të ketë ndryshuar është perspektiva nga e cila presidenti Trump i sheh shumë prej çështjeve që lidhen me interesin kombëtar të këtij vendi, por jo vetë interesi kombëtar i Shteteve të Bashkuara. Ky i fundit mbetet obligimi kryesor dhe qëllimi më i lartë i politikës së çdo vendi, të cilit i nënshtrohen të gjitha objektivat e tjerë. Z. Trump flet në emër të “sigurisë kombëtare” të Shteteve të Bashkuara dhe kjo është veçse e natyrshme për çdo president amerikan, si dhe për kreun e shtetit të çdo vendi tjetër. Henry Kissinger thotë se siguria kombëtare e një vendi është “përgjegjësia më e lartë e çdo shteti dhe, si e tillë, ajo nuk mund të vihet në rrezik duke bërë kompromis për të”.
Sidoqoftë, shenjat e para që vijnë nga administrata e presidentit Trump nuk duket se janë në çdo aspekt një vazhdimësi e politikave të mëparshme të administratave amerikane, si kur në krye të një administrate ishte një president republikan, ashtu edhe kur ajo drejtohej nga një president demokrat. Nga sa kam ndjekur deri më sot, Trump është ndryshe (dhe larg) nga çdo president—republikan ose demokrat—që ka drejtuar Shtëpinë e Bardhë në këto 70 vitet e fundit.
Përveç mungesës së theksuar të eksperiencës në çështjet globale dhe në politikën e jashtme, z. Trump duket se ka fare pak gjëra të përbashkëta me presidentët më të shquar amerikanë të pas Luftës së Dytë Botërore, si Harry Truman (D), Dwight Eisenhower (R), John F. Kennedy (D), Ronald Reagan (R) apo Bill Clinton (D). Këta të gjithë ishin internacionalistë dhe atlanticistë, krijuesit dhe mbështetësit e aleancës më të fuqishme politike-ushtarake që ka njohur historia (NATO), dhe mbështetës qysh nga fillimi i Projektit Europian. Kujtoni vetëm fjalët e njohura të Presidentit Kennedy, më 1962, se “Shtetet e Bashkuara e shohin këtë ndërmarrje të re të madhe (Komunitetin Europian) me shpresë dhe admirim. “Ne”, shprehej ai, “nuk e shohim një Europë të fortë dhe të bashkuar si një rival, por si një partner”. “Një Europë e fortë dhe e bashkuar”, theksonte J. F. Kennedy, “ka qenë ‘objektivi kryesor’ i politikës së jashtme amerikane qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore”.
Qysh nga ajo kohë, të gjitha administratat amerikane kanë mbështetur vazhdimisht pothuajse çdo iniciativë për thellimin e integrimit dhe zgjerimin e Europës së bashkuar. Mbështetjen de facto amerikane për një “Europë të fortë” e konfirmoi edhe një herë ish-Presidenti George W. Bush, në shkurtin e vitit 2005, kur theksoi se “Amerika mbështet një Europë të fortë”, sepse ajo “ka nevojë për një partner të fortë në përpjekjen e vështirë për të përhapur lirinë në botë”. Duke folur për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Europës, Zbigniew Brzezinski, nga ana e vet, ka argumentuar se, nga këndvështrimi i interesave amerikane, është në dobi të Amerikës që Europa: “Një, të jetë e zgjeruar; dy, që ajo të jetë politikisht më e përcaktuar; tre, që ajo të ketë kapacitete më të mëdha ushtarake të vetat; dhe katër, që ajo të jetë e lidhur në aleancë me Shtetet e Bashkuara”.
Në fakt, paqja e brendshme dhe prosperiteti i Europës pas Luftës së Dytë Botërore janë bërë të mundura në një ekonomi globale relativisht të hapur, ndërsa Aleanca e Atlantikut Verior e përforcoi dhe e legjitimoi edhe më shumë lidershipin global të Amerikës. NATO ofroi një strukturë multilaterale, e cila e ndihmoi SHBA-në për të përdorur siç duhej fuqinë e saj. Përmes bashkëpunimit me Europën Perëndimore (dhe pas Luftës së Ftohtë edhe me Europën Lindore) dhe me ndihmën e tyre, Amerika ia doli që të përmbushte ëndrrën e saj Willsoniane për të udhëhequr botën duke e ftuar atë në misionin e saj.
* * *
Deklaratat e derisotme të z. Trump për “anakronizmin” e NATO-s dhe për Bashkimin Europian si “një mjet në duart e Gjermanisë” duken se paralajmërojnë një “ndryshim rrënjësor kursi” në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, distancimin e Amerikës nga aleatët e asaj europianë, përmes rikonfirmimit dhe forcimit të “marrëdhënies së veçantë” mes SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë parashikoj (qofsha i gabuar) se, nën presidencën e z. Trump, politika amerikane mundet të njohë një farë revizionimi, që do të ketë, pa dyshim, efektet e veta si brenda vendit, ashtu edhe në skenën globale.
Çfarë mund të ndodhin së brendshmi janë këto:
(a) Një polarizim i mëtejshëm i shoqërisë amerikane (në rrafsh ekonomik, social, racor dhe etnik), e cila, edhe pa Trump-in (duke filluar nga presidentët George W. Bush dhe Barack Obama) ishte mjaft e polarizuar;
(b) Një fermentim i mëtejshëm i pakënaqësive të një mase të gjerë njerëzish, që nuk pajtohen me politikat e administratës së re dhe, ndoshta, një përshkallëzim i protestave dhe i revoltave që nisën dy vite më parë dhe që, pas inaugurimit të z. Trump si president, u shprehën qartë në një varg manifestimesh të mëdha anë e mbanë Shteteve të Bashkuara (dhe anë e mbanë botës);
(c) Një rritje (ndoshta) e ekonomisë amerikane dhe një rënie (ndoshta) e papunësisë, por me koston e lartë të marxhinalizimit të minoriteteve etnike e racore në atë vend;
(d) Një kthim eventual i Shteteve të Bashkuara në politikat proteksioniste e izolacioniste të shekullit të 19-të dhe të periudhës midis dy luftrave botërore etj.
* * *
Së jashtmi, unë uroj që Shtetet e Bashkuara të mbeten fuqia që vazhdon të luajë rolin e lidershipit global, pasi (a) në kohën tonë—dhe për një të ardhme të parashikueshme—asnjë fuqi tjetër e globit nuk e luan dhe nuk do të mund ta luajë dot këtë rol, dhe (b) pasi tërheqja dhe vetizolimi i Shteteve të Bashkuara në “punët” e saj do të krijonte një vakum politik shumë të rrezikshëm në skenën globale, të cilin, ndoshta, do të tentonin ta mbushnin (pjesërisht, në rajonet e interesave të tyre gjeostrategjike), Russia, Kina ose shtete të tjerë.
Të mos harrojmë se, për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, Amerika ka qenë dhe është në gjendje të luajë rolin e lidershipit botëror, duke përcaktuar drejtimet themelore të zhvillimit ekonomik, politik e kulturor. Këtë rol global të saj, Alexis de Tocqueville e paralajmëroi më shumë se një shekull e gjysmë më parë me diktumin e tij të famshëm: “I saw in America more than America” (Unë pashë në Amerikë më shumë se Amerikën).
Sot, në dekadat e para të shekullit të 21-të, ne jetojmë në një botë, të cilën amerikanët e përfytyruan dhe e krijuan si “të ardhmen” e tyre dhe që ne e quajmë globalizëm. Shoqëria e sotme ka tendencën të bëhet gjithnjë e më shumë globale. Sigurisht që ky proces ekonomik dhe shoqëror emancipues i paparë është shoqëruar e shoqërohet me një kosto të lartë, e cila rëndon mbi disa vende apo rajone të veçantë më shumë se mbi të tjerët. Ai shoqërohet, gjithashtu, me koston e përkeqësimit të kushteve të mjedisit, barrën e së cilës e mbajnë si metalurgët e çelikut në Pitsburg, ashtu edhe fiset e Amazonës, bujqit e Nigerisë apo komunitetet myslimanë në periferi të Parisit. Sidoqoftë, arritjet e këtij procesi emancipues global kanë qenë dhe janë kolosale. Sot, më shumë njerëzve se kurrë më parë u mundësohet dalja nga niveli i varfërisë absolute, në të cilën kanë jetuar paraardhësit e tyre, si dhe kushte më të mira pune e jetese. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, në kushtet e një ekonomie të dominuar nga tregu i lirë dhe në saje të progresit të vazhdueshëm arsimor, kulturor, teknologjik dhe zhvillimeve të reja në mjekësi dhe në shërbimin shëndetësor, jetëgjatësia e njerëzve në shumicën e vendeve në zhvillim është rritur me afro 20 vite. Analistë të ndryshëm vlerësojnë se, si rezultat i përfshirjes së Kinës në proceset globalizuese, rreth 400 milion kinezë kanë mundur të dalin nga niveli i varfërisë absolute brenda jetëgjatësisë së një brezi njerëzor. E njëjta dukuri vihet re në Indi dhe në shumë vende të tjerë të “botës së tretë”.
A do të mundet z. Trump, me anën e politikave proteksioniste të tij, t’i ndalë, ose t’i pengojë proceset globalizuese në shoqërinë e sotme? A do t’i shpallë ai “luftë tregtare” Kinës dhe a do ta revizionojë politikën amerikane të një Kine të vetme (të ashtuquajturën “One-China Policy”)? A do t’i përmirësojë ai marrëdhëniet me Moskën, apo këto eventualisht mund të përkeqësohen edhe më tej? A do ta luajë presidenti Trump kartën moskovite në dëm të Kinës dhe a do të afrohet ai më shumë me Indinë, si një kundërbalancë ndaj dragoit kinez? A do t’i shfrytëzojë ai Britaninë e Madhe dhe Turqinë, dy aleatë të vjetër të Uashingtonit për t’i amplifikuar divergjencat e tyre me BE-në dhe kontradiktat mes kësaj të fundit dhe Rusisë? A do t’i ruajë administrata e re amerikane marrëdhëniet tradicionalisht të mira me Arabinë Saudite, me Katarin dhe vende të tjerë të Lindjes së Mesme pas sinjaleve të qarta që Trump ka dhënë se do të investojë më shumë vëmendje dhe energji në Israel? A do i mbyllë administrata e z. Trump portat e Amerikës, këtij vendi të krijuar nga emigrantët e ardhur nga të katër anët e globit dhe a do të gjenerojë një politikë e tillë kundërshti dhe reaksion ndaj Amerikës? A do të bëhet “Muri Meksikan” një faktor rritjeje e stabiliteti për ekonominë dhe shoqërinë amerikane apo, në të kundërt, problemet me fqinjin e tij jugor do ta bëjnë më të vështirë politikën e Uashingtonit? Dhe, a do t’i thellojnë të gjitha këto sentimentet anti-amerikane dhe krizën e besimit ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë kohë që sillen si një fantazmë në të katër anët e planetit tonë?
* * *
Ronald Reagan, presidenti i 40-të i Shteteve të Bashkuara, e përfytyronte Amerikën si një “qytet që shndrit mbi kodër”, si “një qytet të lartë dhe krenar, ndërtuar mbi shkëmbinj më të fortë sesa oqeanet dhe që u rezistonte furtunave”. Në fjalimin e tij të lamtumirës si President i Shteteve të Bashkuara, Reagan e ka përshkruar Amerikën si një qytet “i bekuar nga Zoti dhe i populluar nga njerëz të të gjitha llojeve, që jetojnë në harmoni e në paqe me njëri-tjetrin, një qytet me porte të lirë e të gjallëruar nga tregtia dhe kreativiteti”. Ai shprehej se, “edhe nëse do të duhej që ky qytet të rrethohej nga mure, muret e tij do të kishin dyer dhe dyert do të ishin të hapura për këdo që do të kishte vullnetin dhe dëshirën të vinte këtu. Kështu e shihja unë atë qytet dhe kështu vazhdoj ta shoh”.
A do ta shohë edhe presidenti Trump Amerikën si paraardhësi i tij republikan, Ronald Reagan? Këtë mbetet ta gjykojmë dhe vlerësojmë nga politikat që ai do të ndjekë.
Përsa i përket politikës së administratës së z. Trump ndaj Ballkanit dhe Shqipërisë, duke mos dashur të bie në vorbullën e spekulimeve kaq të zakonshme në mediat tona, mund të them shkurtimisht se: (a) Amerika ka qenë dhe do të mbetet e interesuar për rajonin e Ballkanit (kryesisht) dhe për Shqipërinë, si pjesë e tij; (b) Shqipëria nuk është as në radhën e parë, as në të dytën, as në tretën në radarin e politikës së Uashingtonit; dhe (c) ajo çka i ka interesuar çdo administrate amerikane në raportet e saj me Shqipërinë—dhe unë besoj se ky mbetet interesimi edhe i administratës Trump—është forcimi i sigurisë dhe konsolidimi i demokracisë në vendin tonë dhe paqja e stabiliteti në Ballkan.
Ka pasur këto ditë gazetarë që më kanë pyetur se si e gjykoj unë entuziazmin me të cilin disa parti të djathta shqiptare e kanë pritur zgjedhjen e z. Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë. Të them të drejtën, unë nuk arrij ta kuptoj dot se pse ndonjë parti politike shqiptare, ose politikanë të veçantë, të cilët e quajnë veten “të djathtë”, duhet t’i entuziazmojë zgjedhja e z. Trump! A thua se ata (demokratët apo republikanët shqiptarë) janë “binjakët politikë” të republikanëve amerikanë! Qesharake, politikanë sharlatanë, si Fatmir Mediu! Apo, mos vallë, tani që president është z. Trump, “të djathtëve shqiptarë” do u hapen dyert e Shtëpisë së Bardhë? Shumë qesharake! Disa prej këtyre politikanëve kanë një çerek shekulli që mbajnë mantelin e “politikanit të djathtë”, por kanë mbetur UFO të politikës dhe gënjeshtarë të paskrupull të publikut shqiptar në lidhje me marrëdhëniet e tyre—personale ose partiake—me Uashingtonin zyrtar.