Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Fatos Klosi ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, duke u ndalur te debatet brenda partive politike shqiptare, akuzat nga opozita për lidhjet e vëllait të kryeministrit Rama me kokainën në “Xibrakë”, si edhe përplasjen në distancë mes Pandeli Majkos dhe Sali Berishës ku u përmend edhe SHISH.
Në një intervistë për gazetën “SOT”, z.Klosi paralajmëron një gjullurdi të madhe brenda Partisë Demokratike kur të shpallen listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit. Ai dha edhe një koment personal se kush mund t’i fitojë këto zgjedhje. Sipas tij, Partia Socialiste pritet të marrë edhe mandatin e katërt në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
-Zoti Klosi, në PD vazhdojnë debatet dhe përplasjet për vulën e partisë. Në PS ka zëra se socialistët po punojnë kundër njëri-tjetrit duke nxjerrë edhe informacione konfidenciale për në SPAK. Ndërsa në Partinë e Lirisë ka shpërthyer sërish sherri për të larguarit, të cilët Ilir Meta i cilësoi agjentë të SPAK, si Braimllari… Si i komentoni këto përplasje para zgjedhjeve?
-Shiko, është normale që partitë luftojnë për pushtet. E njëjta filozofi është edhe brenda tyre. Individë të caktuar luftojnë për pushtet dhe kjo ndodh tek të gjitha partitë. Por problemi këtu është se po bien shumë në sy. Po e bëjnë shumë hapur. Luftë e tillë për pushtet edhe brenda partive është sa është historia e partive. Nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur. Nuk e di sa vërtet ka luftë. E dëgjova historinë e LSI-së, meqenëse kam qenë në të. Braimllari ka qenë Sekretar i Përgjithshëm, një nga personazhet kryesorë.
Sot, mesa duket, nuk i pëlqen atyre që drejtojnë Partinë e Lirisë, kështu që po bëjnë luftë me të. Nuk kemi pse komentojmë çfarë bëjnë partitë brenda tyre. Këto janë partitë shqiptare. Ndryshojnë nga partitë serioze në Evropë, që gjërat i zgjidhin brenda tyre. Këta diskutojnë të gjithë dhe i bëjnë të hapura. Di, për shembull, që në Partinë Socialiste janë plot figura të rëndësishme me të cilët po merret SPAK. Është një tjetër problem. Kam dëgjuar që kryetari i partisë ka thënë që gjithsecili mban përgjegjësi për atë që ka bërë. Në dy partitë e tjera janë probleme brenda partive.
-Si e komentoni deklaratën e kryeministrit Edi Rama se akuzat për përfshirjen e vëllait të tij janë të fabrikuara dhe të pabazuara në prova?
I besoj kryeministrit. Nuk di asgjë për faktin konkret, pasi nuk kemi nga ta dimë. Jam i bindur që, po të mos ishte ai person vëllai i kryeministrit, nuk do ta përmendte njeri fare. Në Shqipëri probleme të tilla ka pafund. Vazhdojnë akoma. Kështu që përmendja e tij dhe marrja me të lidhet me Ramën, dhe kryeministri bëri atë që duhet të bënte. Ai, mesa duket, e di më mirë se të gjithë si është e vërteta, pasi sigurisht ka folur me të vëllanë. Kryeministri e di se sot asgjë nuk mbetet pa u zbuluar. Pak më shumë, sepse u mor edhe SPAK me atë problem. Do të ishte e rëndë për kryeministrin që të dinte diçka dhe në fund të dilte e kundërta. Prandaj unë them se i besoj kryeministrit. Ai e tha troç që absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë. Historia do ta tregojë. Ua them troç: unë i besoj atij. Rama di shumë gjëra, më shumë se ne. Ai nuk do ta bënte këtë gafë që të fshihej pas kësaj deklarate dhe të dilte më vonë se është e vërtetë kjo akuzë. I besoj më shumë Ramës se atij që ka bërë akuzën.
-A mendoni se Gazment Bardhi mund të përballet me të njëjtin fat ligjor si Ervin Salianji nëse akuzat për kallëzim të rremë vërtetohen?
Shiko, nëse Bardhi ka sajuar një akuzë për vëllain e kryeministrit, sigurisht meriton të përballet me drejtësinë. Salianji, që u fut në burg, u mor me vëllain e ministrit të Brendshëm të asaj kohe. Prapë është një nivel më i ulët. Ai kishte fakte, si të thuash, fakte se vëllai i tij ishte dënuar në Itali. Ai, sipas Salianjit, nuk po vuante dënimin. Por di që ai ishte dënuar, ndërsa vëllai i kryeministrit u mor me problemet e tij në SPAK, meqenëse pati një akuzë dhe është një figurë e rëndësishme, nuk është një njeri hiç, dhe asgjë nuk ndodhi. Olsi Rama ka punën e vet. Unë i besoj kryeministrit, sepse vëllain e tij nuk e njoh.
E konsideroj se ky problem është hapur për arsye politike, për të dëmtuar kryeministrin. Kjo lloj politike, lufte që bëhet nëpërmjet familjarëve të politikanëve, shpesh duke shpifur, duke zmadhuar, apo tjetërsuar histori, natyrisht që është e paarsyeshme, pasi nuk i shërben këtij vendi. Unë kam qenë dakord për ligjin kundër shpifjeve. Nëse flet SPAK dhe Gjykata, institucione që bindin, pasi të tjerët kanë interesa në valle dhe natyrisht thonë siç iu intereson, Bardhi meriton burgun më shumë se Salianji.
-Cili është mesazhi politik që Kryeministri po përpiqet të përcjellë përmes këtyre padive të paralajmëruara ndaj kundërshtarëve të tij?
Jemi në një fushatë elektorale, pavarësisht se nuk është hapur zyrtarisht. Fushata ka filluar me kohë. Çdo gjë që thuhet sot, sigurisht është në kuadër të kësaj fushate. Në përgjithësi, nuk ka qenë në politikën e Partisë Socialiste që të diskriminojë njerëzit e saj, që të përflasë për histori familjare, etj. Kryeministri Rama ka thënë se populli le të shikojë se kush punoi. E mban mend se sa kanë punuar të tjerët. Kjo do të jetë motivi i gjithë fushatës elektorale të Partisë Socialiste: “Ne dimë të punojmë.” Edhe gjatë punës gabohet. Këtë frymë ka mbajtur. Ky është edhe një mesazh për partitë, jo vetëm për popullin. Sigurisht që populli është ai që voton. Mesazhi është direkt për ta, por edhe për të gjitha partitë e tjera
-Si e shpjegoni faktin që Gazment Bardhi dhe grupi i tij, të cilët dikur kanë qenë kritikë të ashpër ndaj Sali Berishës, tani janë pjesë e bashkëpunimit politik me të? A është kjo një shenjë e kompromisit politik apo oportunizmit?
Nuk është kompromis politik, është djallëzi politike. Bardhi me shokët e vet ju afruan Berishës kur një gjykatës vendosi që Partia Demokratike legale të quhet ajo që komandohet nga Berisha. Këta ishin të papërgatitur për këtë gjë. Nuk besuan që, me Lulin dhe një parti tjetër siç ka bërë ai, mund të përfitonin për të kapur ndonjë vend deputeti, kështu që kaluan me të. Unë jam i sigurt që do të përçahen keq kur të shpallen listat e kandidaturave nga Sali Berisha. Ai, sipas meje, nuk mund t’i afrohet fitores. Është absurde ta mendosh, sipas meje. Sali Berisha, çfarë ka kërkuar deri më tani dhe çfarë do të kërkojë në këto zgjedhje? Të ketë një grup deputetësh absolutisht të bindur, të provuar që janë heronjtë e tij dhe jo këta që erdhën në këtë parti kur mori vulën.
Pra, do të jenë njerëz të tjerë fare. Natyrisht, ai grup nuk do të jetë i madh. Dihet psikologjia e Berishës dhe filozofia e tij. Ai do njerëz besnikë, që të jetë kryetari i një grupi apo partie që të jetë i sigurt, pasi Berisha sigurisht që ka dorë në emërimin e këtyre deputetëve në zgjedhjet e mëparshme. Pavarësisht se ka qenë kryetar Lulzim Basha, Berisha i ka miratuar. Listën sigurisht e ka miratuar. I ka miratuar para 4 vitesh këta njerëz. Kur Berisha u shpall “non grata,” ikën nga Basha. Tani që Berisha mori vulën dhe është kryetari i PD, ka njëfarë pushteti, ata u kthyen sërish te ai. Berisha natyrisht që nuk i beson këta njerëz. Absolutisht që jo. Kështu që besoj se, kur të shpallen listat, do të kemi një gjullurdi të madhe brenda Partisë Demokratike. Çfarë ka ndodhur deri më tani në PD nuk është asgjë para asaj që pritet të ndodhë.
-Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi është thirrur në SPAK për deklaratat ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila duhet të provojë akuzat ndaj saj. A rrezikon ajo të përballet me pasoja ligjore për shpifje nëse nuk arrin të mbështesë deklaratat e saj me prova të mjaftueshme?
Ka një gjë që e them me bindje. Anëtarët e familjes së Sali Berishës janë të shpallur “non-grata.” Të tërë janë të cenuar në një farë mënyre. Jo vetëm nga amerikanët, por edhe këtu. I shoqi i saj, për shembull, është nën hetim nga SPAK dhe janë shpallur edhe akuzat. Kur shpallen akuzat, kjo tregon se SPAK ka bërë disa punë dhe ka një bindje. Argita është pjesë në këtë lojë, madje jo personalisht, pasi nuk ka ngacmuar njeri, por i ati i saj dhe i shoqi po hetohen. Ajo nuk është për mua një njeri i besueshëm. Argita po përpiqet të bëjë siç po bën i ati, duke u përpjekur të mbrojë bëmat e familjes dhe çfarë nuk ka thënë për gjykatës, për prokurorë, për SPAK i quan kriminelë. Unë nuk e di pse nuk po merren me këtë punë.
Për Berishën, jo më për të bijën. Është ai që i nxit këto deklarata. Është ai që jep njëfarë sigurie se nuk do të ndodhë gjë, pasi është kryetari i opozitës dhe shpreson akoma te koncepti i pandëshkueshmërisë. Ndërkohë që aktivitetet e SPAK në vitet e fundit po tregojnë se për këtë lufton, që në Shqipëri mos ekzistojë ky koncept. Pra, të bësh koment se çfarë thotë e bija e Berishës është e tepërt. Argita nuk duhet të dëgjohet, pasi në këtë rast është në konflikt interesi. Nuk duhet ta dëgjoj as unë, as ju, as kurrkush. Atë e kanë zënë hallet. Argita nuk duhet të jetë në qendër të vëmendjes të medias. Ajo ka konflikt interesi. Ajo dhe familja e saj akuzohen nga SPAK.
-Z. Klosi, si ish-drejtor i SHISH, si e vlerësoni debatin e fundit midis Berishës dhe Majkos mbi pretendimet për përgjime nga SHISH?
Sali Berishën e kam provuar në kurrizin tim. Më ka kritikuar për të gjitha. 100 përqind ato që ka thënë, nuk ka asnjë të vërtetë. Të gjitha gënjeshtra. Madje edhe ajo drejtësi që ka qenë në atë kohë më ka dhënë të drejtë. Ndërkohë që Berisha akoma vazhdon. Edhe për Majkon. Mua më duket fare e padrejtë. Nuk e besoj që SHIK ka bërë një gjë të tillë. Berisha natyrisht që di të drejtat e SHIK. Nuk është se është i paditur. Berisha është i lig. Ai thotë se SHIK po përgjonte kontrabandistë dhe në këtë bisedë ndodh edhe Majko. Po të ishte kështu, nuk do dilte ky lajm. Nuk do dilte absolutisht. E dyta, Majko e di sa e vërtetë është kjo bisedë dhe Majko pati guximin që të kërkojë nga SHISH a është e vërtetë kjo gjë. Ai e di që këto janë gënjeshtra, se po ta dinte që është e vërtetë, mbase nuk do bënte asnjë koment.
Por ai kërkoi nga SHISH. Berisha përdori dhe një argument tjetër se ai përgjim ishte bërë me lejen e gjykatës. Atëherë po ua them: SHIK nuk punon me gjykata. SHISH nuk mbledh informacion për gjykata. Është prokuroria për këtë punë, apo policia kriminale. SHIK ka fenomene me të cilat merret. Në këtë rast do të ishte fenomeni i trafikut të drogës, do të ishte fenomeni i përpjekjeve për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, pasi Pandi aty ishte si drejtues i PS dhe SHIK bën përgjime dhe ka marrë leje te gjykata. Por SHIK ka një detyrë shumë të rëndësishme, që asnjë nga përgjimet e tij nuk duhet të dalin në publik dhe një arsye është dhe pse e ka bërë pa leje, pasi thashë që SHISH nuk çon njeri në gjyq.
Gjykata e ka këtë të drejtë që të thotë PO, ky përgjim nuk përbën provë, meqenëse nuk është marrë leja. SHISH për të trajtuar këto fenomene nuk është se merret me gjykatat. Dhe në fund, nuk është SHISH që i çon në Gjykata informacionet. Për gjithë këto arsye, unë nuk e besoj këtë histori. Nuk ka përfunduar SHISH këtu që përgjimet e veta të dalin në shtyp, apo t’i shkojnë Berishës. Berisha gënjen. Ai sajon histori. Tani që u emërua Majko në Kavajë, Berisha e quan të korruptuar dhe iu bën thirrje qytetarëve që ta shohin si kriminel të votës. Janë të gjitha për efekte elektorale.
A mendoni se SHISH është përdorur ndonjëherë politikisht në të kaluarën, dhe sa i mundur është një skenar i tillë sot?
Përdorimi më i fortë ka qenë periudha kur zoti Berisha ishte president i vendit dhe në atë kohë në krye të SHISH ishte Gazidedja. Atëherë ka qenë një tjetër SHISH, nuk është ky që është sot. Kishte një tjetër ligj. SHISH sot është vetëm institucion që informon kryeministrin dhe presidentin, pra vetëm këto dy figura, pastaj delegohet informimi për fenomene që lidhen me sigurinë e vendit. SHISH nuk ka absolutisht asnjë lloj të drejte të futet, siç ka qenë atëherë, ku paralel me policinë e rendit rrihte njerëz në rrugë. Sot ky problem nuk është. Ligji u ndërrua me ndihmën e partnerëve. U bë i ngjashëm me shumicën e vendeve të tjera. U kthye në një institucion informativ, jo ekzekutiv. Unë them që nuk ka nevojë SHISH të merret me politikë.
Çfarë do të mësojë SHISH nga marrja e tij me politikë, çfarë sekreti do mësojë? Politika këtu bëhet hapur. E diskutuam që lufta brenda partive që bëhet për pushtet po i nxjerr sekretet vetë. Madje ata janë vetë të interesuar të dalin sekretet që nuk janë në favor të palës kundërshtare. SHISH raporton presidentit. Ky i fundit nuk ka asnjë nevojë, asnjë lloj interesi të dijë se çfarë thuhet brenda partive. Presidenti ka detyrat e veta që nuk lidhen me vendimmarrjen fare. Ai nuk merr vendime. Edhe Edi Rama, kryeministri i vendit, është figura te cilit referon SHISH, i di gjërat në politikë shumë qartë. Berisha i ka thënë deri më tani troç gjërat, nuk mban të fshehta.
“Po fituam zgjedhjet, do jem unë kryeministri”. Ku është sekreti këtu? SHISH ka plot probleme që mund të merret, si krimi i organizuar, terrorizimi, trafiqe, aktivitetet kundër vendit tonë nga vende jomiqësore që kryeministri do të ishte i interesuar më shumë të dinte se çfarë ndodh përtej lajmeve në gazeta. Unë pata probleme dhe me kryeministrin tim, me Fatos Nanon në atë kohë edhe me udhëheqësin e opozitës, Sali Berishën. Dola në një komision parlamentar. Po të kisha bërë gjëra të tilla, të merresha me politikë, Fatosi në atë kohë ka qenë kundërshtari im. Ai dinte gjithë situatën brenda PS, pasi ka qenë kryetari i Partisë Socialiste. Ai u detyrua të më akuzojë për disa probleme ekonomike, por jo për politikë. U bë gjithë ai komision. Çfarë nuk u tha atje. U lejuan anëtarët e komisionit të hynin në arkivën e SHISH dhe u ankuan për gjëra bajate.
-Nga zgjedhjet na ndajnë edhe 4 muaj. Kush mendoni se ka më shumë gjasa për të fituar?
Unë po jap opinionin tim. Fiton Partia Socialiste. E reja në këtë zgjedhje është vota e emigracionit. Emigrantët janë pjesa më e kulturuar në aspektin e votimeve. Jetojnë prej vitesh në shtete që janë më të avancuara. Votat e tyre do të jenë më cilësore. Unë shpresoj se kjo votë do të japë një kontribut pozitiv në këtë zgjedhje. Emigrantët janë më të ftohtë dhe më të ditur se çfarë është demokracia dhe procesi zgjedhor. Besoj se edhe e kanë parë se kush po bën shtet në Shqipëri. Për të gjitha këto arsye mendoj se dhe vota e emigracionit do të jetë në favor të PS. Me votën e brendshme e dimë që PS do të ketë më shumë vota se çfarë ka pasur.
Intervistoi: Rigels Seliman