Nga Lorenc Vangjeli/
Të përbashkët kanë pasur vetëm profesionin dhe rrëzimin e papritur. Rrënien e befasishme nga lartësia në humnerë. Nga maja e famës dhe pasurisë në fundin e tmerrshëm.
Njëri në fundin pa kthim, tjetri duke nxituar drejt një fundi të ndryshëm, por gjithsesi pa aq të frikshëm si tmerri pafund.
Bëhet fjalë për dy nga bankierët më të njohur të vendit.
I pari ka pak më shumë se një vit e ca që u ekzekutua në Tiranë, përpara derës së bankës së parë që foli shqip dhe që ai e ndërtoi nga e para.
I dyti, ish-guvernator i bankës së Shqipërisë, prej një viti provoi rrëzimin nga detyra, burgun dhe tashmë është nën akuza që mund ta riçojnë sërish në burg dhe për një kohë shumë të gjatë.
Artan Santo dhe Ardian F\ullani ishin nga i njëjti brez bankierësh të cilët ndryshimi i sistemit i gjeti në moshë të pjekur. Miq me të gjithë dhe mjaft të njohur në Tiranë, karrierat e tyre profesionale kanë pasur një kurbë të ngjashme. Të dy arritën majat: i pari në sistemin privat bankar, i dyti në atë shtetëror.
Viti 2014 ishte viti i zi për të dy së bashku. Tragjik për njërin, dramatik për tjetrin.
Të parit ju rizbuluan miqtë edhe më të shumtë kur iku. Kur vdiq e deshën edhe ata që e urrenin kur ishte gjallë.
Të dytit i firuan miqtë e shumtë pikërisht kur i shkau këmba. E harruan pothuaj siç harrohen të vdekurit e largët edhe ata që bënin sikur e donin më shumë se të afërmit e tyre të gjakut.
I pari u vra në qershor në një atentat të frikshëm dhe vetëm tani, më shumë se një vit e ca më pas, është duke u zbuluar identiteti i dy vrasësve të tij të maskuar. Policia ka bërë të mundur rrjedhjen e burimeve të rezervuara në media, sipas të cilëve, vrasësit dhe porositësit e vrasësve të Artan Santos mund të kenë emra dhe mbiemra brenda vjeshtës së këtij viti. Një sinjal që është paralajmëruar në fakt, që një vit më parë nga ministri i brendshëm Saimir Tahiri.
I dyti u ekzekutua profesionalisht dhe njerëzisht një vit më parë kur u zbulua vjedhja brutale e bankës së Shqipërisë nga një punonjës i saj në rreth 7 milion dollarë. Ardian Fullani e pa veten papritur të arrestuar përpara derës së zyrave qëndrore – me qera – të bankës; një arrestim që u transmetua më pas në televizion pothuaj në kohë reale.
Pas arrestit, ai dhe familja e tij u vunë nën një rebesh të vërtetë mediatik për stilin e jetesës dhe standartin e lartë të saj.
Këtë javë prokuroria e njohu Fullanin me një akuzë të trefishtë duke paralajmëruar një kalvar të gjatë në labirintet e drejtësisë shqiptare. Për ironi të fatit, bashkëshortja e tij është në krye të piramidës së drejtësisë. Arjana Fullani, e cila është dekoruar në 2006 me medalje mirënjohjeje nga presidenti i republikës dhe dekretuar antare e gjykatës së lartë dy vjet më pas nga një tjetër president republike, ka mundësi teorike që të gjykojë dosjen e bashkëshortit të saj. Më saktë, dosja e tij do të përfundojë në duart e kolegëve të zonjës Fullani.
Dy historitë i bashkon dhe diçka tjetër. Të dyja ato kanë një fill të përbashkët dhe mjaft të dallueshëm: kurioziteti i pafundëm dhe shpesh edhe i lig, edhe cinik, edhe pervers i shumëkujt që kënaqet duke parë dritëhijet në jetën e njerëzve të parave. Sepse duke ndjekur gjurmët e parave, mund të kuptohet shumë më shumë jo vetëm mbi fatin e ndryshëm të dy prej bankierëve më të njohur në Tiranë, por edhe për fatet dhe misteret e shumë njerëzve të tjerë të njohur që ndikojnë në gjithë jetën e Tiranës dhe të gjithë vendit.









