Gjerak Karaiskaj, specialisti i monumeneteve, specifikisht, njohësi më i mirë i kalave në Shqipëri, ka reaguar ndaj dufnxjerrjes së Artan Shkrelit lidhur me Hotel Dajtin, zhbërë nga të qënit Hotel Dajti, me pamje të re, por jo më me funksionin që kishte qëkurse u ndërtua nga italianët, më saktë nga mendja e Gerardo Bossios, njeriut që i dedikohet Tirana e re e stilit italian të viteve ’30-të.
Më të njëjtën keqardhje, Karaiskaj ofron një rezyme të asaj se ç’ishte Hotel Dajti dhe si u katandis deri në zhbërje të asaj që ishte dhe famës që gëzonte.
“Të gjitha komentet janë ‘pas pilafit’”, e nis ai një koment, duke vijuar më tek:
“Hotel Dajti nuk egziston më si monument. Pamja e jashtme është ajo që ka më pak vlerë në këtë monument. Atë që nuk e bënë dot komunistët origjinalë kur ishin në pushtet, sepse e ndjenin veten të ndrojtur, inferiorë dhe me komplekse para një arkitekture të këtij niveli botëror, e bënë postkomunistët demokratë.
Aq i përsosur ka qenë interieri i këtij hoteli sa që për arredimin e tij u ngarkua arreduesi më i mirë i Italisë së asaj kohe. Jo vetëm në kohën kur u ndërtua, por edhe sot ai mund të ishte një nga hotelet më tërheqëse në rajon. Se cilësia nuk varet nga madhësia dhe as nga lajle-lulet. Po të paktën na ngushëllon fakti se do të kthehet në zyra për militantë.
Hoteli pati edhe nje fazë të dytë vlerësimi. Ky ishte një lloj pastrim-restaurimi. Me këtë rast dyert dhe mobiljet që u vlerësuan si të vjetra, përfunduan në Bathore. Por prapë dyshohej se nuk kishte vdekur. Duhej dhe një goditje në kokë siç bënin prokurorët dikur. Tani na e mori të keqen”, përfundon ai.
Kujtojmë se degradimi i Hotel Dajtit, një vepër ikonike e periudhës italiane dhe mbetur e tillë ndër vite, me famë dhe në kohën komuniste, nisi të degradohej nën qeverisjen Berisha, derisa u dha Bankës së Shtetit.
Dhe ndryshe nga lufta e një pjesë e artistësh apo e një pjese të shoqërisë civile për ruajtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, italiane gjithashtu por jo e ndërtuar si teatër, për Hotel Dajtit nuk pati asnjë protestë, asnjë reagim civil.
Po ashtu, ajo kastë qeveritare që e zhbëri kurrë nuk dha një arsye pse, ndryshe nga kasta qeveritare që prishi godinën e vjetëruar të Teatrit Kombëtar, e cila gjithsesi kishte dhe ka një arsyetim estetiko-fiziko-kulturor se pse e bëri këtë.
/a.r