Industria e manifakturës po përballet me një nga periudhat më të vështira, ndërsa sektori i fasonerisë vijon të humbasë vende pune dhe kompani.
Nga rreth 65 mijë punonjës që kishte dikur kjo industri, sot numri ka zbritur në rreth 40 mijë. Shifrat u bënë publike në një takim të Shoqatës “Manifaktura Shqiptare” me bizneset e sektorit të fasonerisë në qarkun e Elbasanit, kryesisht në fushën e tekstileve.
Sipas të dhënave të shoqatës, nga rreth 700 njësi fasonerie që kanë qenë pjesë e saj, rreth 150 janë mbyllur vitet e fundit.
Përfaqësuesit e bizneseve në Qarkun e Elbasanit, shprehen se situata po vështirësohet vit pas viti. Rënia e euros, rritja e çmimit të naftës dhe kostot e prodhimit, sipas tyre, kanë ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e fasonerive dhe në marrëdhëniet me partnerët e huaj.
Përballë kësaj situate, “Manifaktura Shqiptare” ka propozuar gjashtë masa për t’u përfshirë në Paketën Fiskale 2027, mes tyre lehtësimin e kostos së punës, rritjen e amortizimit fiskal, uljen e tarifave doganore për lëndët e para, lehtësira për fitimin e riinvestuar dhe krijimin e një fondi grantesh për teknologjinë dhe automatizimin. /Top Channel/

