Damir Fazlliç, shtetasi boshnjak i hetuar në Bosnje dhe Kroaci për pastrim parash, kontrabandë cigaresh( por dhe i skeduar për trafik ndërkombëtar të armëve) ka arritur të pastrojë dhe të fshehë të paktën 1.7 milion euro gjatë aktivitetit të tij tre vjeçar në Shqipëri. Nga verifikimi i dokumenteve zyrtare rezulton se zoti Fazlliç ka krijuar në harkun e dy viteve pesë firma të tijat, ndërsa ortakët dhe ndihmësit e tij rezultojnë familjarë apo bashkëpunëtorë të disa prej zyrtarëve më të lartë shqiptarë. Që në javën e dytë të pushtetit të demokratëve në shtator të vitit 2005, Fazlliç krijoi me urgjencë tre firma të ndryshme brenda dy ditëve, ndërsa statuti dhe objektivi i këtyre tre firmave është i njëjtë, por duket se i njëjti dhe pandryshueshëm ka qenë dhe administratori shqiptar i këtyre tre firmave i cili rezulton të jetë zoti Erion Isufi. Nga një kërkim i thjeshtë del se zoti Isufi është kunati i ministrit Lulzim Basha, madje me një karrierë siameze, njësoj si e zotit Basha. Sikurse dhe zoti Basha, Erion Isufi ka kryer një master në universitetin e Utrehtit në Hollandë, ka punuar dhe katër muaj si përkthyes në UNMIK (departamenti i ndjekjes së kriminelëve të luftës), për ta lënë këtë funksion në mars të vitit 2005, kohë në të cilën i duhej të kthehej për të punuar si koordinator i KOP-it, nga ku më vonë do të mbante dhe barrën e organizimit të shtabit elektoral të kandidatit për deputet Lulzim Basha. Fillim shtatori i vitit 2005 e gjeti zotin Basha deputet dhe Ministër të Transporteve, ndërsa kunati dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt në krye të dy javëve vendosi të bëjë biznes në cilësinë e administratorit të tre firmave të ndryshme në pronësi të Damir Fazlliç.
Puno me mua
Më 19 nëntor të vitit 2005, biznesmeni Damir Fazllic dhe administratori Erion Isufi rregjistruan dy firma të ndryshme: “SRF DEVELOPMENT” dhe “VIRTU ACQUISITONS”. Një ditë më vonë Fazlliç dhe Isufi nuk vonuan dhe hapën edhe një firmë të tretë të cilën e quajtën “CROËN ACQUISITIONS”. Nga një vështrim mbi praktikën zyrtare që ndoqën këta dy persona del se për të treja këto firma është lënë si adresë e selisë së tyre qendrore e njëjta adresë që administratori Isufi ka lënë si vendbanimin e tij(Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4). Por ngjashmëritë vazhdojnë edhe me statutet dhe qëllimet e këtyre firmave të cilat kanë ekzaktësisht të njëjtin grup objektivash. Kryesisht këto firma synonin operimin në tregun e pasurive të paluajtshme duke zhvilluar projekte ndërtimi dhe të zhvillimit urban, shitblerje dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme, dhënien e konsulencës ekonomike tregtare dhe financjare për ndërrmarjet por edhe tregtimin , import-eksportin dhe magazinimin e mallrave të ndryshëm. Kësisoj, është e qartë se ndërsa kunat kishte Ministrin e Transporteve dhe Punëve Publike, Erion Isufi vendosi të bëjë administratorin e tre firmave që zhvillonin projekte ndërtimi dhe urbane por dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme. Dhe vendosi të bënte administratorin e tre firmave të cilat kishin për pronar shtetasin Damir Fazlliç, i hetuar në vendin e tij e më gjerë për evazion fiskal dhe mashtrime financiare. Nuk do të vononte që njëra prej këtyre firmave të bëhej epiqendra e një skeme të pastër të pastrimit të parave në mes të Tiranës.
E shesim në Qipro
Më 4 qershor të vitit 2007, zoti Fazlliç shkarkoi nga detyra e administratorit të firmës “CROWN ACQUISITIONS” Erion Isufin. Kjo periudhë koinçidon dhe me emërimin e zotit Basha si Ministër i Jashtëm. Por ky nuk duket një vendim arbitrar nëse i referohesh faktit se zoti Isufi vazhdonte të bënte administrimin e dy firmave të tjera, në një zyrë më luksoze, në katin e tetë te një prej godinat e quajtura “Kullat Binjake”, përballë Kryeministrisë. Rreth një muaj më vonë, më datën 9 korrik 2007 zoti Fazlliç kreu zyrtarisht shitjen e kësaj firme(me vendim gjykate) për llogari të një firme të rregjistruar në Nikosia të Qipros e cila quhet “ALTARIA RESEARCH LIMITED”. Praktika e ndjekur për shitjen tregon se firma qipriote nuk solli ndonjë përfaqësues të sajin në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola. Dokumentet tregojnë se firma qipriote e ka lëshuar prokurën e përfaqësimit që në datën 14 maj 2007(kohë në të cilën administrator ishte Z. Isufi), ndërsa avokatja Kola më datën 20 Qershor 2007 firmosi kontratën e shitjes. Nga termat e kontratës del se firma “CROWN ACQUISITIONS” u shit për një vlerë prej 1 milion e 700 mijë eurosh, ndërsa në kontratë nuk përcaktohej asnjë aset i firmës. Duke qenë se në prokurën e lëshuar nga Qipro, avokates i kërkohej të bënte blerjen dhe më tej rregjistrimin e firmës për llogari të qipriotes “ALTARIA RESEARCH LIMITED” , atëherë “Albania” shkoi të verifikonte pranë Qendrës Kombëtare të Rregjistrimit të Bizneseve dhe pranë Drejtorisë së Tatimeve procedurën e rregjistrimit si dhe për asetet e firmës. Por, në mënyrë të papritur zbuluam se firma ende vazhdonte të ishte e rregjistruar në emër të Damir Fazlliç. Madje të dhënat nga tatimet tregojnë se kjo firmë nuk ka derdhur asnjë qindarkë në shtet. Firma nuk kishte asnjë aset dhe nuk ka paguar kurrë ndonjë detyrim tatimor, madje nuk ka paguar as 10 përqindëshin e TVSH-së për kontratën e shitjes(170 mijë euro në rastin konkret, që sipas kontratës duhet ti paguante Fazlliç). Në fakt, nuk kishte si ta paguante në kushtet kur nuk ishte zbatuar vendimi i gjykatës për rregjistrimin e firmës për llogari të pronarëve qipriotë. Por, si ishte e mundur që avokatja Flutura Kola nuk kishte zbatuar një prokurë ligjore të noterizuar dhe një vendim gjykate për rregjistrimin e firmës pas aktit të shitjes?! A kishte ekzistuar ndonjëherë kjo avokate, apo gjithë procedura ishte një zinxhir falsifikimesh?!
Takim në Studio
Në përpjekje për të zbuluar enigmën mësuam se avokatja Flutura Kola ekzistonte dhe ishte një person konkret. Madje ajo ka filluar të ekzistojë dhe të operojë edhe në fushën e avokatisë dhe konsulencës që prej 8 tetorit të vitit 2005, datë në të cilën, Zonja Kola sëbashku me juristen tjetër Znj. Argita Malltezi, rregjistruan në Tiranë studion ligjore “Malltezi&Kola”. Megjithatë praktika e kësaj studioje tregon se vetëm dy muaj pasi u themelua, dy ortaket u ndanë. Në bazë të dokumenteve zyrtare rezulton se në të njëjtën datë(15 dhjetor 2005), zonjat Flutura Kola dhe Argita Malltezi janë paraqitur tek e njëjta notere(Znj. Flutura Pustina), për të rregjistruar dy firma konsulence të mëvetshme. Për pasojë u formuan dy firmat “Malltezi& Associates” si dhe “Kola&Associates”. Ndonëse dy ortaket filluan të operonin më vete, ato nuk do të ishin shumë larg njëra tjetrës, pasi të dyja zyrat e reja janë rregjistruar ekzaktësisht në të njëjtin apartament në adresën: Rr. Barrikadave, Pall. Ndërtim Vila, Ap.7. Të paktën deri pak javë më parë dy studiot i ndante vetëm një mur i hollë i sajuar me shkumë deti të presuar.
Damiri merr çekun
Zonja Kola nuk u kujtua ndonjëherë të rregjistronte firmën sipas prokurës qipriote dhe vendimit gjyqësor shqiptar, por shitësi i shkathët Damir Fazlliç shkoi me kontratën e firmosur nga zonja Kola në bankë dhe tërhoqi plot 1 milion e 700 mijë euro. Kjo sasi paresh u mor për një shitje që nuk ishte kryer kurrë, ndërsa eurot u transferuan në Shqipëri nga një firmë e cila vetëm sa rezulton e rregjistruar në Qipro, pasi pronarët janë pjesë e një grupi të fuqishëm serb në fushën e investimeve. Por ndonëse me pronarë serbë, firma “ALTARIA RESEARCH LIMITED” ka zgjedhur të operojë nga Nikosia në Qipro, një zonë bankare e tipit offshore, ku zor se të pyesin se ku i gjete lekët apo se kush është pronari i vërtetë. Gjithsesi zoti Fazlliç mund ti depozitojë 1 milion e 700 mijë eurot e tij në çdo cep të botës tanimë, pasi edhe sikur ta pyesin ku i gjete, ai do u tregojë çekun e marrë në bankën shqiptare si pasojë e shitjes së rreme të kompanisë së tij “CROËN ACQUISITIONS”. Vetëm se në arkën e tatimeve në Shqipëri do të mungojnë 170 mijë euro detyrime të TVSH-së. Por duket se zoti Fazllicc nuk e ka aspak problem ccështjen e tatimeve apo zbatimit të ligjeve në Shqipëri, pasi vetëm 1 muaj pasi kishte bërë këtë shitje të rreme, më 10 shtator të vitit 2007, zoti Fazlliç autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Joana Qeleshi, që të rregjistronte në emër të tij firmën “ALPHA”. Zonja Qeleshi në këtë periudhë ka punuar si avokate në studion “Kola&Associates”, në pronësi të avokates Flutura Kola. Madje Damir Fazllicc zgjodhi si kontabiliste për firmën “ALPHA” zonjën Shpresa Breçani, e cila është mbesa e kryeministrit Berisha dhe kushërirë e parë me juristen Argita Malltezi.
FIRMAT E KRIJUARA NË SHQIPËRI, NË PRONËSI TË DAMIR FAZLLIÇ
Firma: CROWN ACQUISITIONS
E rregjistruar më 20 shtator të vitit 2005
Administrator: Erion Isufi(deri më 4 qershor 2007)
Më 20 qershor 2007 firma i shitet kompanisë qipriote: “ALTARIA RESEARCH LIMITED” Kompania vazhdon të jetë e rregjistruar në emër të Fazlliç
Adresa: Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4
Firma: VIRTU ACQUISITIONS
E rregjistruar më 19 shtator 2005
Administrator: Erion Isufi
Adresa: Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4
Më 14 nëntor 2005 dy shtetas gjermanë(Abdilgafar Ramadani dhe Jurgen Rober) blenë 55 përqind të aksioneve, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re në . Dëshmorët e Kombit, Kulla 2, kati VIII(E njëjtë me DF TRADE LIMITED)
Firma: SRF DEVELOPMENTS
E rregjistruar më 19 shtator 2005
Administrator: Erion Isufi
Adresa: Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4
Më 12 dhjetor 2005 shtetasi gjermanë Abdilgafar Ramadani bleu 50 përqind të aksioneve, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re në . Dëshmorët e Kombit, Kulla 2, kati VIII(E njëjtë me DF TRADE LIMITED)
Firma: DF TRADE LIMITED
E rregjistruar më 9 janar 2006
Administrator : Damir Fazlliç
Vazhdon të jetë aktive
Adresa: Bulv. Dëshmorët e Kombit, Kulla 2, kati VIII
Firma: ALPHA
E rregjistruar më 10 shtator 2007
Administrator: Damir Fazllic
Firma është rregjistruar me prokurë të posaçme nga Av. Joana Qeleshi
Eksperte kontabël është caktuar Znj. Shpresa Breçani
Adresa: Bulv. Bajram Curri, pranë Aviacionit
Firma: ROMPETROL
Në pronësi të një grupi ortakësh shqiptaro-rumunë
Zoti Fazlliç është zgjedhur në vitin 2007 anëtar i këshillit mbikqyrës