Nga Ylli Pata
Prej 24 orësh tashmë, personazhe të foltores, mbështetës mediatikë të saj, po fajësojnë Lulzim Bashën si personazhin që është përgjegjës që Partia Demokratike nuk u bashkua dot për të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.
I gjithë ky zulm po çudit dynjanë, e që sillet nga personazhe të njohura në publikë, të cilët kanë qenë dhe zyrtarë e dinjitarë të njohur në vend. Por, asnjëri prej tyre nuk thotë argumentin se përse është fajtor Lulzim Basha përse Partia Demokratike nuk është e bashkuar.
Kur Lulzim Basha, më 14 mars të këtij viti, mori një vendim politik dhe u dorëhoq nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, të cilin e kishte rifituar, vetëm pak muaj përpara, edhe me mbështetjen dhe përqafimin e Sali Berishës, ai shpalli se e bënte këtë hap për të bashkuar PD-në.
Konteksti i këtij akti politik vinte pas dy zhvillimeve të forta; 8 janarit, kur selia e PD-së u sulmua fizikisht nga njerëzit e Sali Berishës për tu pushtuar a thua se ishte një kala mesjetare, por edhe pas atij akti politik shumë të rëndësishëm, kur Sali Berisha ju bashkua një subjekti politik me logon e LSI-së dhe garoi në zgjedhjet e 6 marsit kundër Partisë Demokratike.
Në çdo logjikë normale, në çdo vend normal, këto akte politike konsiderohen si qëndrime antagoniste.
Pasi Sali Berisha tentoi ta pushtojë selinë e PD-së, ngaqë nuk arriti dot shumicën e forumeve politike të saj, dhe garoi në zgjedhje kundër saj për t’i marrë pushtetin e përfaqësimit politik.
Të cilin ja mori në bashkinë e Shkodrës, por nuk mbaron me kaq. Kryetari i Bashkisë, Bardh Spahia, i zgjedhur nga subjekti që ligjërisht mbante logon e LSI-së, largoi nga puna njerëzit e angazhuar, të atashuar, të anëtarësuar në Partinë Demokratike.
Basha, megjithatë, deklaroi se po bënte një hap prapa, për tu gjetur një zgjidhje që PD-ja të gjente një kohezion për tu bashkuar si forcë politike opozitare, por edhe modern dhe alternative ndaj mazhorancës socialiste. Duke mbajtur kohezionin si parti e PPE-së dhe aleate e Perëndimit. i cili qartësisht ka ndëshkuar Sali Berishën për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
Por Berisha, edhe pse qartësisht është një politikan i ndëshkuar ndërkombëtarisht, zaptoi me njërëzit e tij selinë e PD-së, dhunoi barbarisht e publikisht zyrën që kishte pasur Lulzim Basha, emëroi njerëzit e tij në seli, largoi të gjithë ata që i konsideronte si kundërshtarë dhe i kërkoi Enkelejd Alibeajt, që të largohet nga posti i kryetarit të komanduar të PD-së.
Ky i fundit, nuk pranoi, por i kërkoi Berishës që të dorëhiqet si një akt politik për t’i hapur rrugë bashkimit të PD-së, pas një traume të rëndë sherri e dhune ndaj njëri-tjeterit. Sali Berisha nuk e pranoi, por tentoi të ndryshojë numrat në grupin parlamentar, pra të bënte për vete deputetët që kështu të ligjëronte fuqinë e tij politike.
Ishte Sali Berisha i pari që kërkoi një zgjidhje në gjykatë të konfliktit në PD, duke i kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës që të njihte Foltoren si organizmin e zgjedhur nga demokratët.
E kështu “rastësisht” u gjet si gjyqtar Agron Zhukri, një person personalisht dhe familjarisht i lidhur me Sali Berishën, që i dha Foltores të drejtën për të drejtuar PD. Pjesa tjetër e partisë nuk e pranoi dhe e ankimoi këtë vendim.
Alibeaj u shpreh shumë i qartë: nëse apeli njeh zotin Berisha si kryetar të PD-së ne do ta respektojmë! Por Berisha nuk e ka pritur vendimin e apelit, por kërkoi të shkarkojë Enkelejd Alibeajn nga kryetar i grupit të PD-së.
Madje indikoi Luçiano Boçin si kryetar grupi. Po me çfarë forumesh merr Berisha vendimet? Forumet paralele, krijoi këshill kombëtar, kryesi, u zgjodh kryetar pa një garë, e tentoi të ngrejë degë paralele të PD-së në bashkitë e vendit. Por në shumicën e tyre nuk ja doli dot.
E kur nuk ja doli dot, thirri Ilir Metën, pasi një cic-mici e ka kush, ku doli inati e ego provinciale e narciziste që lidhje nuk kishte me politikën, e lidhi aleancë pa pyetur askënd, pa kërkuar votë, apo pa u konsultuar qoftë edhe formalisht me aleatët të paktën juridikisht të njohur të opozitës.
Në mes të këtij lëmshi, nxori edhe kandidatët e tij për kryetar bashkie, jo vetëm në Tiranë, por edhe në bashki të tjera të vendit.
Pra Sali Berisha nuk ka dashur bashkim, por siç e ka thënë gjithmonë, thjesht i ka kërkuar pjesës tjetër t’i bashkangjitet projektit të tij politik që si bazë ka martesën me Ilir Metën.
Por ja që PD, ajo pjesë që nuk është me Sali Berishën, nuk e do martesën me Ilir Metën, pasi e konsideron të panevojshëm, madje të dëmshëm për opozitën e shoqërinë shqiptare.
E këtë PD, e tha qartë, hapur me votat e saj në Kuvend kur votoi një ligj me amendamentet e saj që përjashton nga politika të gjithë ata zyrtarë që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Sali Berisha nuk shkoi në votim, por njeriu i tij Oerd Bylykbashi e kundërshtoi.
E këtu ne nuk kemi më një PD që ka qëndrime të ndryshme, por qëndrime krejt të kundërta politike, të cilat thjesht duhen orientuar me akte apo institucione. Po këtu nuk hyjnë as demokratët e as elektorati i opozitës, i cili nuk është thirrur asnjëherë të japë mendimin e tij.
Por dy sondazhet e fundit që u publikuan në lidhje me perceptimin e shqiptarëve, si Berisha, ashtu edhe Meta janë të prapranueshëm nga njerëzit. Atëherë çfarë faji ka Lulzim Basha këtu?
Në fakt Basha ka shumë faje, e këto ja kanë bërë të ditur të gjithë ato steruktura të PD-së që i rezistuan Berishës, të cilat i kanë lënë vetëm pasusit e Bashës në PD.
Por siç thoshte kreu i PD-së së Shkodrës, ata këtë betejë nuk e bënë as për Bashën e as për Alibeajn, sinjal që tregon se zhvillimi real politik nuk është në kupolë por në territor.