Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, inspektuan punimet e xhenierëve të Forcave të Armatosura për ndërtimin e një ure “bailey” në fshatin Orman të Njësisë Administrative Pojan, në Bashkinë e Maliqit. Ura mbi lumin Devoll pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e mijëra banorëve të fshatrave të fushës së Maliqit, të cilët deri dje kalonin mbi një kanal vaditës të ndërtuar në vitin 1964, tashmë edhe ai i amortizuar.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Peleshi vuri në dukje vështirësitë që banorët e asaj zone kanë hasur si në kalimin e tyre, por edhe të mjeteve bujqësore, dhe falënderoi ministren Kodheli dhe Forcat e Armatosura për kontributin e tyre në përmirësimin e infrastrukturës atje.
Nga ana e saj ministrja Kodheli falënderoi Bashkinë e Maliqit për bashkëpunimin, por edhe banorët e zonës, të cilët ka qenë një mbështetje për xhenierët e Forcave të Armatosura gjatë punimeve për ndërtimin e urës. Ministrja Kodheli e cilësoi këtë urë si një nga hallkat e zinxhirit të urave që Forcat e Armatosura kanë ndërtuar nga Tropoja deri në Konispol, pa harruar të përmendë lehtësirat që ndërtimi i saj sjell për banorët e fushës së Maliqit.
“Kemi mundur të bëjmë këtë urë mbi 30 metra të gjatë, e cila lidh 6 fshatra dhe afërsisht 11 mijë banorë. Lidh nxënësit e 6 shkollave 9-vjeçare dhe 2 gjimnazeve. Sigurisht që këto lidhen me rrugën nacionale dhe kjo urë do të jetë pjesë e asaj infrastrukture rurale, e cila do të përmirësohet edhe falë investimeve që vijnë nga buxheti i shtetit. Kjo është një urë e cila i shtohet vargut të zinxhirit të perlave që ushtarët tanë dhe ushtarakët kanë nxjerrë nga dora. Ura që janë ngritur që nga Tropoja deri në Finiq, në kufirin më jugor të Shqipërisë, sepse FA janë kudo, janë në mbështetjen tuaj dhe do ta bëjnë këtë gjë si pjesa më e mirë e shoqërisë shqiptare.”- tha ministrja Kodheli.
Ura në fshatin Orman mbi lumin Devoll është e gjatë 33 metër dhe ka një peshëmbajtje prej rreth 20 ton. Ajo lehtëson ndjeshëm lëvizjen e mijëra banorëve të fshatrave Orman, Sheqeras, Rëmbec, Pojan, Rov dhe Terovë të Njësisë Administrative Pojan në Bashkinë e Maliqit, veçanërisht për kalimin e mjeteve bujqësore.