• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, April 10, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Expo-27\ Serbia ‘i shpall luftë’ Kohës?!

by S T
09/04/2026 20:10
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ben Andoni, Beograd, Mars 2026

Expo-27 për serbët është më shumë se krenari, përbën simbolikën e arritjeve të tyre në çdo fushë të jetës, pas zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Dhe, vërtetë, është hera e parë që një vend i Evropës Juglindore merr përsipër të organizojë një aktivitet të tillë, i cili do të marrë jetë nga 15 maji deri më 15 gusht 2027 dhe ku Beogradi do shndërrohet në një qendër globale idesh dhe inovacionesh. Deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen më shumë se 120 vende (Mes tyre dhe Shqipëria) dhe parashikohen miliona vizitorë. Tema e Ekspo-2027 është “Luaj për Njerëzimin – Sport dhe Muzikë për të Gjithë” dhe përfshin mbi 8.000 aktivitete të ndryshme: shfaqje kulturore, diskutime dhe ekspozita që nxjerrin në pah inovacionet teknologjike dhe sociale të Botës bashkëkohore. Në këtë kohë mbarsur me luftëra, ku vetë serbët shfaqen shpesh në pozicione të sikletshme, mëtohet të krijohet një hapësirë, ku bizneset, politikëbërësit, vizionarët dhe njerëzit e zakonshëm të bashkohen, brenda motos së Expo-27: “Eksplorimi i fuqisë së lojës si një forcë për inovacion dhe lidhje njerëzore”. Një brez mund ta ketë mundësi këtë, siç po ndodh me ne, por edhe ai është luks për ne,- do më thotë në ditët e mesmarsit, një nga organizatorët në Beograd. Do kemi mundësi që për të paktën, tre muaj të bashkohemi rreth inovacionit, kreativitetit dhe progresit,- ma kthen, teksa ndërrohemi në një korridor gjatë prezantimit në “Sava Centar”. Pastaj?-i them. E kush po e njeh më botën?!-ma kthen.

…Nga aeroporti “Nikola Tesla” dhe deri në vendin ku akomodohemi në Beogradin e ri, pranë ‘Sava Centar’, dominojnë sloganet dhe lajmërimet për Expo-27, ndërsa RASTKO & MILICA, dy maskotat e aktivitetit i gjen ngado me veshjet klasike serbe. Për momentin janë harruar protestat dhe gjithçka. Rastko simbolizon rritjen, progresin dhe inovacionin, ndërsa Milica përcjell ngrohtësinë, mirësinë dhe harmoninë, shkruhet në sitin zyrtar. Kjo është edhe ideja e Expo-27, ku përmes lojës, serbët duan të pasqyrojnë një përzierje energjie dhe mikpritjeje dhe, të ngjallin atë frymë të dikurshme kur kishin funksione lideri mes Vendeve të Paangazhuara. Jo më kot, në masën e gazetarëve, pothuaj nga e gjithë bota, nuk mungon mizëria e atyre të ish-vendeve të Botës së Tretë. Njerëz me ngjyra të ndryshme do takohen dhe flasin anglisht, frëngjisht dhe spanjisht lirisht, përgjatë prezantimit gjigand. Përfaqësues të Kombeve, ministra dhe përfaqësues që i kemi hasur vetëm në kronika lajmesh janë aty dhe shumë të impenjuar. Organizimi vendas është i patëmetë dhe për gazetarët afrohet mundësia që të pyesin dhe të kërkojnë gjithçka që u duhet. Si ndjekës i përditshëm i medias serbe, jam kurioz të shikoj konstatimin e kolegëve në Beograd, lidhur me natyrën, pasqyrimin dhe rëndësinë direkte të Ekspo- 27 në Beograd. Por, ka një narrativë të ngatërruar prej kolegëve serbë dhe nëse ato janë disi të mbuluara me mister për ta dhe publikun e gjerë, siç pretendohet, atëherë llogarite për ne të huajt. Në fakt, janë ata që njohin punët urbane dhe përditmërinë serbe e që duhet të hedhin dritë mbi shumë aspekte të Expo-27. Anipse, ekspozita e specializuar 2027 është një stad që hap rrugën për Ekspozitën e madhe Botërore 2030, një ngjarje tejet e rëndësishme globale. Për Serbinë, arritja më e madhe kulturologjike-ekonomike-politike dhe infrastrukturore si shtet.

Expo-27

Intermexo

Pesë vende paraqitën kandidaturat konkurruese për të organizuar Expo-27: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (me Minesotan), Tajlanda (me Phuket-in), Serbia (me Beogradin), Spanja (me Malagan) dhe Argjentina (me Bariloche-n). Çdo shtet-kandidat paraqiti dosjen e detajuar të kandidaturës (u dorëzua më 7 qershor 2022), ku pastaj Misione Vëzhgimi vlerësuan mundësinë reale dhe fizibilitetin e secilit projekt kandidature. Në fund, Serbia u zgjodh si vendi pritës i Ekspozitës së Specializuar 2027/28 nga Shtetet Anëtare të BIE-së (Bureau International des Expositions ), mbledhur në Asamblenë e 172-të të Përgjithshme më 21 qershor 2023.

…

Momentin e shpalljes fitues të kandidaturës e shohim disa herë, kurse protagonistët, tashmë i kemi përballë që na sqarojnë rrugëtimin dhe interesin për Serbinë. Është i kuptueshëm optimizmi serb dhe tashmë me fjali tejet krenare e përshkruajnë si një udhëtim që filloi me një vizion dhe kulmoi me vendimin historik për ta përcjellë sheshin më të madh të ideve në botë drejt e mu në zemër të Ballkanit, i cili në dekadat e fundit fliste (dhe flet) vetëm për luftë e kërcënime. Kjo më bën të vë pak buzën në gaz, sepse një nga guidat që do të na tregojë qytetin, sapo kalojmë nga Beogradi i Ri mbi lumin Sava, na tregon me një si patos se jemi tashmë në Gadishullin Ballkanik! Vërtet, ‘Beogradi mbi ujë’, (Beograd na vodu) është pjesa e re e pasunarëve të vendit dhe sfida e qytetit me rezistencën ndaj ndryshimeve…në skaj të Ballkanit (sipas tij). Hedh një sy drejt lumit. Instinktivisht, kujtoj se një miku im kritik arti dhe shkrimtar, Dejan Atanackoviq, kandidat për Bashkinë e Beogradit (“Luizitanian” e tij e kam përkthyer në shqip), këtu ka bërë një lëvizje gati vetanake për të mbrojtur një platformë që nuk e shoh më. Organizatorët i kalojnë shpesh detajet dhe kanë të drejtë: Në morinë e vendeve pjesëmarrëse, disa nuk e njohin fare Beogradin. Organizatorëve u intereson vetëm e ardhmja. EXPO- 2027 do të transformojë Beogradin, duke lënë pas një trashëgimi të infrastrukturës së re, lidhjes së përmirësuar dhe një peizazhi urban dinamik që do t’u sjellë dobi brezave të ardhshëm, sqaron Sinisha Mali, zv\kryeministri i parë, me një anglishte shumë të mirë. E kam pak të vështirë t’ua përshkruaj kolegëve apo të njohurve në vendin tim, pasi çdo gjë që lidhet me Serbinë mbart një sens vagulli dhe kurthi. Edhe vetë nuk e besoj përmasën, derisa të nesërmen e një dite marsi me një pjesë të grupit të dhjetëra gazetarëve nga e gjithë bota duhet të vizitojmë vendndodhjen, ku do të zhvillohet Expo-27 e sapo ravijëzuar mbi tokë. E di nga leximet se nuk është larg nga qendra e qytetit, por serioziteti i autoriteteve për të na çuar deri aty më tregon se rëndësia është tejet e madhe. Një makinë policie hap udhën në trafik për disa furgona rresht gazetarësh. EXPO-2027 do të realizohet në lagjen Surčin, në jugperëndim të qendrës së qytetit, pranë Aeroportit “Nikola Tesla” dhe lumit Sava. Aktualisht 600,000 metra katrorë objekte të ndryshme janë në ndërtim e sipër në vendin e ekspozitës dhe organizatorët besojnë pa mëdyshje se Serbia do t’i përfundojë të gjitha punimet në kohë. Të mendosh është thjesht pak më shumë se një vit?! Vetë e dyshoj. Kompleksi i parë prej 170,000 metrash katrorë përmban stadiumin e ri kombëtar të futbollit të qytetit dhe është projektuar të përfshijë një zonë të madhe ekspozimi. Asaj i shtohet “Sheshi Tesla” si qendër qendrore dhe shumë mjedise përreth. Disa pallate, ku do të qëndrojnë pjesëmarrësit e atashuar, tashmë kanë mbaruar nga jashtë…dhe neve na mundësohet të shohim një apartament të plotësuar. I përshtatur thjesht por shumë funksional.  Pas pak shfaqet kantieri me të gjithë përmasën e tij…Në stadium punohet me temp, tejet të lartë dhe duket pak a shumë se ka marrë formë. Pak minuta më pas, do të mbërrijë zv\kryeministri i parë serb Sinisha Mali që në rolin e ciceronit do t’na shpjegojë gjithçka, i shoqëruar nga Danilo Jeriniq (Drejtori/CEO), Ky i fundit e ka marrë përsipër detyrën e Drejtorit të EXPO 2027 në gusht 2025. Nuk i lëviz asnjë tipar në fytyrë, por pak më vonë e kuptoj mirë: ai ka të gjithë përgjegjësinë në kurriz, pasi duhet të bëj realizimin në terren. Në një nga kontanjerët e mëdhenj, bëjmë takimin e parë, por këtu nis dhe “incidenti” im i parë me Malin që flet me një vetësiguri të admirueshme. Në ekspozimin që bën për Serbinë dhe mundësitë e saj, si zakonisht, Republika e Kosovës është e shkrirë brenda territorit të tyre! “Do të pyes diçka në gjuhën tuaj, -i them. Mos keni vallë dy mënyra paraqitje, një për Brukselin dhe një për në Beograd. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk mund të jetë aty”. Mali nuk e humbet toruan, por nis arsyetimin klasik serb…me një pauzë të gjatë dhe duke më parë në sy. “Kosova dhe Metohija është pjesë integrale e vendit tonë dhe nuk mund të jetë e ndarë, me sa di unë”, më thotë ftohtë dhe pak cinik. “Me sa di unë, është shteti i pavarur dhe realitet”, i them me të njëjtin ton cinik, duke e parë në sy. Kolegët nga vendet e tjera heshtin… E dyta është cinike: “Pse nuk zgjodhët Novak Gjokoviq, si përfaqësuesin tuaj, por shkuat në marrjen e figurave jashtë Serbisë”. Më shikon. “Novak është krenaria jonë dhe e respektojmë, por…”. Dhe, nis argumentimin se është përfshirë pak o normal në politikë. E kujtoj, Gjokoviq ka bërë simbolikën e pompës, që përdorej në kohën e protestave dhe vetëm kaq. “Dhe, ky është problem, i them, kur kujton se çfarë ka bërë ai për ju”…Zgjatet në një përgjigje që e di vetë se është e lodhshme. Pyetja tjetër është më ‘e butë’: “Pse nuk e ndërtuat këtë qytet në hapësirën e Panairit të Beogradit?”. Kam pak nostalgji për të. Kompleksi i Panairit të Beogradit (“Beogradski Sajam”) është një vend i madh ekspozitash në Beograd, e cila përfshin salla dhe ambiente të ndryshme për të pritur ngjarje, konferenca dhe ekspozita. Është vendi për të cilin apelojnë prej kohësh kolegët e mi artistë serbë që të mos prishet. Mjedisi, i themeluar në vitin 1937, ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën kulturore dhe ekonomike të qytetit dhe të vendit. Kompleksi përfshin struktura gati ikonike për vendasit si ajo e Salla 1 (Hala 1), e cila ka qenë një vend qendror për ngjarje dhe ekspozita të ndryshme për gati shtatë dekada rresht. E kam përcjellë me dhimbje lajmin për prishjen e saj, pasi prej gati pesëmbëdhjetë vitesh më duhet të shkoi si anëtar nderi i një shoqate përkthyesish. Mali e kalon me një lloj elegance dhe si keqardhje, ndërsa këtej e tutje do të ndërrojmë vazhdimisht batuta me njëri-tjetrin. Harta fshihet pas disa minutave dhe hapësirën e zë përshkrimi shumë mbresëlënës i gjithë asaj që do të bëhet. Si për ironi, pak orë më vonë e shohim të ekspozuar maketin në Sallën 5 të Panairit të Beogradit, ende në këmbë, – një hapësirë ​​që tregon vizionin e Ekspozitës së Specializuar 2027 Beograd. Ky me sa duket është pakti i organizatorëve me opozitën vendase dhe rezistencën e artistëve: Panairi i Beogradit do shërbejë për të ekspozuar maketin dhe vizionin e Expo-27.

Zyrtaret kryesore teknike te Expo-27

Debatet për Expo-27…

Duke ndjekur median vendase e di mirë se diskutimi rreth zhvendosjes së Panairit të Beogradit në Surčin ka ngjallur debate të mëdha që shkojnë përtej çështjeve financiare. Nga ajo që dëgjoj prej organizatorëve e kam të vështirë të besoj se numri i jashtëzakonshëm i madh i parashikuar i vizitorëve të mund të akomodohet në kapacitetet aktuale të kompleksit ekzistues. Po pse nuk u morr parasysh ky mjedis dhe pse po ngrihet një miniqytet qysh nga fillimi? Pyetje normale. Justifikimi nga zyrtarët, në kohë të ndryshme, ka qenë i thjeshtë: objektet aktuale të Panairit të Beogradit janë të pamjaftueshme dhe ekonomikisht të paqëndrueshme për shkak të kostove të ngrohjes dhe ftohjes (!), dhe për më tepër nuk ka pasur asnjë studim të plotë të fizibilitetit ose analizë thelbësore për rinovimin e ngrehinës dhe zgjerimin e kapaciteteve të kompleksit ekzistues.

 

Pse është e rëndësishme Expo- 27?!

Nga fakti se bëhet për herë të parë në rajon dhe është ekspozita e parë botërore që do të realizohet në ish-hapësirën të Jugosllavisë. Projekti është projektuar nga Arkitektët Fenwick Iribarren në bashkëpunim me “Massino Projekt” dhe synon të krijojë një “shtresë të re urbane” të nevojshme për qytetin. Historia e Expo-ve daton qysh nga viti 1851 dhe kohët treguan se ato kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në qytetet dhe kombet pritëse. Duke promovuar shkëmbimin, Expo-t kanë rëndësi sepse evidentojnë trashëgiminë e qëndrueshme të rritjes ekonomike së një vendi, inovacionit teknologjik dhe pasurimit kulturor. Nga një hapësirë në “Beogradski sajam” e shoh të gjithë këtë vijimësi, ku sllavët kanë qenë prezent qysh në shekullin XIX! Disa nga risitë e EXPO-ve janë mbresëlënëse. Ajo e vitit 1851 në Londër prezantoi “Pallatin e Kristalit”, ndërsa EXPO e vitit 1889 paraqiti për Parisin Kullën ikonike “Eiffel”! Në kohët tona, EXPO e vitit 2010 luajti një rol kyç në rigjallërimin e Shangait dhe identifikimin e tij këtej e tutje si një metropol global. Në këtë frymë: Serbët mendojnë se risitë në Expo-27 do të japin dhe fytyrën e ardhshme të qytetit të tyre, duke menduar për një infrastrukturë të re për Beogradin. Dhe seriozitetin e shikon në përfshirjen direkt të zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Financave Sinisha Mali  që deklaroi (10 Mars) plot besim në hapjen zyrtare se: Serbia do të jetë plotësisht e përgatitur për hapjen e Ekspozitës së Specializuar më 15 maj 2027. Mali premton se gjatë qëndrimit të tyre në Beograd, delegacioneve të huaja do t’u prezantohen jo thjesht planet dhe hapat e mëtejshëm në organizimin e Ekspozitës, por edhe koncepti i programit të ekspozitës, si dhe hapat kryesorë logjistikë dhe organizativë që do të përcaktojnë fazën tjetër të përgatitjeve. Ky aktivitet është një mundësi për t’u bashkuar, për të folur për të ardhmen dhe për ta bërë botën një vend më të mirë, flet si vizionar Mali, duke shprehur shpresën e tij për paqe në botë dhe se Ekspozita e Beogradit do të jetë një mundësi për të treguar përsëri imazhin e unitetit.

 

Sinisha Mali, Zv\kryeministri dhe Ministri i Financave, si dhe shefi politik i Expo-27

Sërish Kosova

Ndërsa Mali flet në Sava Centar (pallati kryesor, ku u bë prezantimi) para dhjetëra delegacioneve (e kthen fjalën në serbisht), në cep në rreshtin e parë shoh dhe tavolinën me flamurin tonë dhe delegacionin shqiptar, ku tre gra të reja e ndjekin pa ndonjë entuziazëm. Përballë në një sallë të medias, Jagoda Lazareviq, pasi mbaron hapjen e aktivitetit dhe prezantimin e saj, vjen të përballet me median. Me shumë besim, ministrja e Tregtisë dhe Komisarja e Expo-27, e kërkon shumë protagonizmin. Na shpjegon ne dhjetëra gazetarëve në një konferencë të madhe shtypi, përgatitur me kujdes, sërish aktivitetin. Bëhen fare pak pyetje. Ngre dorën dhe i kërkoj mundësi që ta pyes. “A mundem tre përgjigje shkurt për tre pyetje?” Nuk dua ta provokoj, por kur thotë se jemi të hapur vazhdimisht, nuk më shkon fare si sens, ndaj e pyes direkt për Kosovën. “Zonjë, nëse shteti i Kosovës vendos të marrë pjesë, do lejohet nga Ju organizatorët?” “Pse duhet të marrë pjesë, Kosova dhe Metohija është pjesë e organizimit, sepse është pjesa e shtetit tonë”, më thotë krenare. E lë ta shijoj minutin e saj të patetizmit, ndërkohë që organizatorët teknikë të Expo-27 bri saj nuk flasin as edhe një fjalë. Ndoshta, fakti që ata heshtin, kur gjatë ditëve kanë qenë aq të hapur, më duket se ndihen të lodhur. I respektoj për profesionalizmin, qetësinë por edhe kujdesin sesi shpjegojnë. Ia drejtoj sytë zonjës, ndërsa dhjetëra kamera e shënjestrojnë. “Kosova është e pavarur dhe ju e dini mirë… dhe tashmë Seria dhe Kosova janë dy shtete të ndara”, i them. Zonja e humb toruan por mundohet t’i administrojë emocionet. “Kosova dhe Metohija janë pjesë e pandarë jona…”. “Por, keni më shumë se një dekadë që dialogoni në Bruksel, i them,…(hesht pak), dhe shtoj pas pauzës: si shtete të pavarura”. Ndaloj sërish. Pauza në sallë është e plotë. Krijohet distanca. Nuk kuptohemi. Pyetja tjetër? E pyes sërish për gjëra teknikë, por ajo e ka humbur besimin dhe qartësinë. “Cili autoritet do t’i certifikojë punimet, sepse koha që duhet për ta mbyllur Expo-27 nuk përputhet me mundësitë që ju të arrini ta mbyllni në kohë?-e pyes. Jep një përgjigje politikanësh. Më vjen pak keq, që organizatorët që janë në terren dhe truri i vërtetë nuk flasin. Pak orë më vonë, dialogun e gjej, si revansh kundër saj, të shkruar nga një koleg serb. Po e sjell të plotë, “Takimi i dytë i sapopërfunduar i pjesëmarrësve ndërkombëtarë të Expo 2027, i organizuar gjatë tre ditëve në Serbi, ndoshta solli në vëmendje në mënyrë të papritur mungesën e përfaqësuesve të Kosovës midis më shumë se 450 delegatëve të huaj. Megjithatë, nuk ishte menduar kurrë që ata të ishin të pranishëm. Dhe pyetja ndoshta nuk do të ishte bërë fare, nëse një gazetar nga Shqipëria nuk do të ishte interesuar se ku ndodhet Kosova si shtet i pavarur. Çështja u ‘pranua’ në konferencën për media nga Ministrja e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme, Jagoda Lazarević, e cila ishte e pranishme në këtë takim kryesisht në cilësinë e Komisioneres për Expo-2027. Dhe ndoshta do të kishte qenë më mirë nëse do t’ia kishte lënë përgjigjen drejtorit të Expo d.o.o. Danilo Jerinić ose, edhe më mirë, sekretarit të përgjithshëm të Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave (BIE), Dimitij Kerkentzes. Veçse, ajo ishte e para që iu afrua mikrofonit dhe – bëri një gabim”. Më vjen pak çudi sesi më kanë transfomuar dialogun por jam i sigurt dhe mendoj se kolegu nuk ka qenë fare në sallën e madhe. Pak minuta pas mbylljes, e ndjej përshtypjen, se befas mbetem vetëm në korridoret e stërgjata. Ndërroj ca fjali me një kolege të bardhë nga Afrika e Jugut dhe me një koleg serb  nga Maqedonia e Veriut. Dy ditë më vonë, titulli është edhe më interesant, por në kurriz sërish të ministres: “A mund të performojë Kosova e pavarur në Expo 2027 dhe çfarë gabimi bëri Ministrja Lazareviq në Qendrën Sava”, shkruan N1.

Ministrja e Tregtisë dhe Komisarja e Expo-27

Fokusi i Expo-27

Ekspozita, në fakt,  synon të nxjerrë në pah potencialin e Serbisë dhe rajonit në teknologji, infrastrukturë, inteligjencë artificiale dhe turizëm. Organizatorët e përsërisin shpesh se në të ardhmen mund të përdoret edhe nga shtetet fqinje. Expo ka sensin për një lidhje Globale, pasi vepron si një platformë për të nxitur dialogun ndërkombëtar dhe bashkëpunimin ekonomik dhe serbët e duan këtë funksion drejtimi. Ndërkohë që synimi është se ashtu si Expo-t e tjera të lerë një Trashëgimi. Përgjatë ditëve zyrtarët flasin për projektet e infrastrukturës që janë të lidhura me Ekspozitën dhe madje janë hartuar për të modernizuar Beogradin dhe për të përmirësuar peizazhin urban të qytetit për brezat e ardhshëm. Ndërkohë që Serbia e prezanton edhe si aktivitet me rëndësi për Rajonin, sepse do të mbylli atë hapësirë të frikshme mes nesh. Për hir të së vërtetës, Expo-27 e kthen Serbinë në synimet dhe zgjuarsinë e saj për të pritur ngjarje të mëdha globale. Dhe, gjetja që po bëhet dhe po përcillet është interesante me Fokusin në Inovacion: Expo-27 eksploron se si loja, muzika dhe sporti mund të nxisin kreativitetin, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në një botë të drejtuar nga teknologjia që po përballet me pasiguri. Zyrtarët përshkruajnë në mënyrë të detajuar dhe tre Nëntemat: Fuqia e Lojës; Luaj për Progres; Luajmë së Bashku: Loja si një mjet për lidhje, paqe dhe përfshirje.

 

Transparenca, si sfidë!

Ndarja e fondeve bajagi të mëdha për EXPO-2027 dhe ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Futbollit në buxhetin e vitit 2024 ngriti shqetësimin publik në lidhje me implikimet financiare të këtyre projekteve. Sipas Transparency Serbia, buxhet ishte vërtetë i konsiderueshëm pasi përbëhej prej 67.8 miliardë dinarësh (afërsisht 578.6 milionë euro) dhe ishte planifikuar për EXPO-2027 gjatë tre viteve të ardhshme, i shoqëruar nga një shumë shtesë prej 49 miliardë dinarësh (rreth 418.1 milionë euro), dedikuar për ndërtimin e Stadiumit të ri Kombëtar të Futbollit. Këtu llogaritej përjashtimi nga tarifat e zhvillimit të tokës, të dhëna investitorit dhe gjithashtu parashihej se shumica e këtyre fondeve do të kanalizoheshin drejt zbatimit të projektit. Kur llogarit që flitej për punime të kryera në afërsisht 167 hektarë dhe zonat e ekspozitës me shtatë salla që variojnë nga 9,000 deri në 11,000 metra katrorë, lexuesi e merr me mend shqetësimin për transparencën. Nga ana tjetër, fondi i madh financiar vërtet nënvizon shkallën dhe ambicien e këtyre projekteve por ngrinte shqetësime të rëndësishme në lidhje me transparencën e tyre financiare dhe qëndrueshmërinë afatgjatë. Dhe, shqetësimi më i madh publik ishte ardhja në fuqi e një ligji të hartuar posaçërisht për projektin EXPO 2027 në Serbi. Ky ligj i veçantë tashmë jep mundësinë për të kryer projekte të gjera -deri në një miliard euro (!)- pa iu përmbajtur dispozitave standarde të Ligjit të Prokurimit Publik!!

 

Dhe, sërish Kina

Po Kina? Pak flitet për ta në rajon, veçse respektohen në Serbi. Ata vazhdojnë me atë qetësinë e tyre punën dhe ndërkalljen ngado. Na përshëndesin kur jemi në Surçin, edhe pse në vendin e Expo-27 ka shumë komunitete të ndryshme punëtorësh. Unë ndërroj pak fjalë me disa boshnjakë që po bëjnë një mur dhe ngacmojnë me hoka njëri-tjetrin. Më tregojnë sesi kanë ardhur si pjesë e nënkontraktorëve. Ndërkohë kinezët i sheh kudo, veç burokratëve të rinj serbë dhe të pafjalë. Në fakt është Korporata e Ndërtimit të Energjisë e Kinës që është caktuar si kontraktori kryesor i ekspozitës. Danilo Jeriniq, drejtor i Ekspozitës 2027, thekson bashkëpunimin e Serbisë dhe Kinës në këtë sipërmarrje të madhe. “Jam vërtet i kënaqur me dinamikën e ndërtimit që kemi tani. Kemi bërë një përparim të madh në 8 deri në 12 muajt e fundit, punojmë me shpejtësi të plotë. Çdo ditë kemi më shumë se 4,000 njerëz në kantierin e ndërtimit. Mesatarisht, kemi midis 400 dhe 500 makina që punojnë çdo ditë në kantierin e ndërtimit. Kontraktori ynë i përgjithshëm i ndërtimit është PowerChina. Jemi vërtet të lumtur që punojmë me ta. Miqtë tanë kinezë janë shumë të hapur, shumë bashkëpunues”, shprehet ai për një media kineze. Serbët, çdo gjë, e lidhin me rajonin, ashtu si edhe këtë bashkëpunim me kinezët, që në fakt me ngjarjet e Novi Sadit para pak muajsh lanë një shije vërtetë të hidhur.

Pozitiviteti dhe të pathënat

Është e vërtetë se pjesëmarrja në EXPO-27 mundëson krijimin e partneriteteve dhe marrëveshjeve të reja tregtare, duke forcuar marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare dhe duke tërhequr investime të huaja. Nuk e di sesi do ta gjej veten Shqipëria në këtë angazhim, por zyrtarët kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Jam vërtetë kurioz për pjesëmarrjen tonë. Por, kjo ngjarje të bën pak zili për potencialin dhe më shumë se çdo gjë ambicien serbe, jo thjesht se do tërheqin gamë të larmishme vizitorësh, duke përfshirë turistë, delegacione ndërkombëtare dhe përfaqësues biznesi nga e gjithë bota, por do hapë mundësi edhe për bizneset e tjera. Beogradasit janë pak skeptikë për faktin se: thuhet që edhe pse ekspozitat EXPO-t janë ngjarje të përkohshme, përfshirë atë që do të mbahet në Beograd në vitin 2027, ato mbartin potencialin për zhvillim të konsiderueshëm të infrastrukturës. Përgatitja për ekspozitën, në vendet ku është bërë, shpesh përfshin si logjikë përmirësimin e infrastrukturës së qytetit. Konkretisht, në Beograd, shumë projekte infrastrukturore janë të shpallura tashmë për t’u realizuar. Prandaj, EXPO-2027 në Beograd jo vetëm që premton përparime të përkohshme në infrastrukturën e qytetit, por gjithashtu ka potencialin të lërë një trashëgimi të qëndrueshme të infrastrukturës urbane të përmirësuar në një plan afatgjatë. Megjithë optimizmin, rruga afër Muzeut, ku është shpirti kulturor i qytetit, apo rruga që kalon para “Albanski Dom” (Pallatit të Shqiptarëve) lënë shumë për të dëshiruar nga amortizimi dhe nga një mungesë indiference, por të paktën e kemi free autobuzin, më thotë një mikja ime serbe me ironi. E di, sepse me atë udhëtoj vazhdimisht dhe është vërtetë për t’i komplimentuar shërbimi free i urbanit në Serbi. Por ka dhe një anë tjetër që serbët i tremben, por që në këto ditë nuk u shfaq, a do munden vallë të jenë në kohë?! Dhe, këtu nuk flitet vetëm për përballjen me korrupsionin që po i shkatërron vendet tona në Ballkan, por edhe faktin tjetër se: edhe vendet që nuk kanë këtë nivel janë përballur me vështirësi ekonomike për shkak të kostove të larta të organizimit të ngjarjeve të tilla. Për shembull, ekspozita e vitit 1974 e mbajtur në Spokane (SHBA), synonte rigjallërimin e qendrës së qytetit dhe tërheqjen e turistëve, veçse nuk e arriti kurrë objektivin e parashikuar. Madje, siti i Ekspozitës jo vetëm nuk u shfrytëzua pas ngjarjes, por një pjesë e infrastrukturës u degradua. Një shembull tjetër është Ekspozita e Seviljes e vitit 1992, e cila kaloi çdo parashikim dhe e vendosi të gjithë Spanjën në një situatë të pasigurt ekonomike. Këtë fat pati edhe ekspozita e vitit 2000 në Hanovër, e cila dështoi të nxiste ndjeshëm zhvillimin urban, transformimin dhe përdorimin e vazhdueshëm të zonës së Ekspozitës, sepse nuk i përmbushi pritjet. Një dekadë më parë, përfitimet e pritura ekonomike të Ekspozitës së Milanos 2015 nuk u materializuan aspak siç pritej. Me pak fjalë, këto raste nënvizojnë zhgënjimin dhe kujdesin për atë çka do të ndodhë më vonë me të dhe strategjive pas ngjarjes për të maksimizuar përfitimet duke minimizuar rreziqet. Nga ana e tij, Beogradi ka premtuar t’i japë përparësi zbukurimit dhe rigjallërimit të zonave të lëna pas dore, paçka se mund të pranohet se rezultatet mund të mos i përmbushin plotësisht pritjet fillestare. Duke e parë EXPO-n nga kjo perspektivë historike krahasuese, pyetja kritike mbetet nëse Serbia do ta shfrytëzojnë këtë mundësi në një mënyrë që vërtetë i realizon përfitimet e saj të mundshme. Biseda që bëj me një koleg serb për të gjitha këto nuk na çon në ndonjë hulli, por angazhimi i pamatë i organizatorëve dhe punonjësve të shumtë duhet përshëndetur.

…

Zyrtarët shohin të ardhmen dhe, atë që do të ndikojë, kurse unë me kolegët këtë sfidë, me kohën dhe me përpjekjen nëse do të arrihet pjesëmarrja mesatare ditore, vlerësuar në gati 40.000 persona (rekordi i mëparshëm ditor ishte afërsisht 16.000 vizitorë). Shifrat u duhen menaxherëve, ndërsa politikanëve u duhet realizimi. Atë me të cilën Serbia do të tregojë sfidën e saj në shekullin e XXI dhe jo më kot, presidenti Vuçiq ka lidhur të ardhmen e tij simbolike për të mbetur në historinë e vendit. Sfida është e vështirë, por në Beograd i kanë shpallur luftë “Kohës”. Në një ditë të vrenjtur largohem, sërish nga “Nikolla Tesla”, njeriu, që serbët tashmë e kanë si shenjtor të kontributit të tyre për qytetërimin. Nuk ke çfarë të thuash. Po e bëjnë Expo-27 dhe të paktën nuk e fshehin se duan të maten me Kohën. Ata, ballkanasit, fqinjët tanë “të nëmur”. Është mes-Marsi i vitit 2026.

 

 

Next Post
Taksa në lejet e ndërtimit që do përdoret për strehimin, Rama: 3% i të gjitha bashkive do mblidhet në një fond të vetëm

Taksa në lejet e ndërtimit që do përdoret për strehimin, Rama: 3% i të gjitha bashkive do mblidhet në një fond të vetëm

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Mbi 60 mijë faqe për t’u lexuar”, avokati i Veliajt: Nxitimi i kërkuar nga SPAK nuk i shërben drejtësisë, por ekspozon qëllime…

Ndreca: Pas Nesti Angonit del Nasta Pëllumbi, anonimja tjetër e sajuar për të përndjekur Veliajn

April 9, 2026
VIDEO/ Momenti kur 5 persona tentojnë ta shpëtojnë 4-vjeçaren nga pitbulli që e kafshoi në Vlorë

VIDEO/ Momenti kur 5 persona tentojnë ta shpëtojnë 4-vjeçaren nga pitbulli që e kafshoi në Vlorë

April 9, 2026
E “Enjtja e Madhe” e lyerjes së vezëve të Pashkëve, cili është kuptimi dhe tradita e saj

E “Enjtja e Madhe” e lyerjes së vezëve të Pashkëve, cili është kuptimi dhe tradita e saj

April 9, 2026
Analiza e Corriere della Sera: Vance dhe Rubio, dy “delfinët” e Trump në kënetën Iraniane

Analiza e Corriere della Sera: Vance dhe Rubio, dy “delfinët” e Trump në kënetën Iraniane

April 9, 2026
Pas Ligës së Kampioneve, luhen çerekfinalet e Europa dhe Conference League/ Spikat dueli mes shqiptarëve

Pas Ligës së Kampioneve, luhen çerekfinalet e Europa dhe Conference League/ Spikat dueli mes shqiptarëve

April 9, 2026
Pak orë pas deklaratës së Netanyahut për paqe, IDF nis një valë të re sulmesh në Liban, në shënjestër Hezbollahu

Pak orë pas deklaratës së Netanyahut për paqe, IDF nis një valë të re sulmesh në Liban, në shënjestër Hezbollahu

April 9, 2026
“Lëvizje e duhur nga GjL”, avokati Ndreca: Ka një tentativë agresive për të paraburgosur kaq shumë persona

“Lëvizje e duhur nga GjL”, avokati Ndreca: Ka një tentativë agresive për të paraburgosur kaq shumë persona

April 9, 2026
Integrimi në BE, përse Edi Rama bën premtime që nuk varen prej tij?

Integrimi në BE, përse Edi Rama bën premtime që nuk varen prej tij?

April 9, 2026
Reforma Territoriale, Muharremi debat me Muçollarin: Edhe 100 bashki të jenë ne fitojmë

Reforma Territoriale, Muharremi debat me Muçollarin: Edhe 100 bashki të jenë ne fitojmë

April 9, 2026
“Veto” e BE, pse po kthehet në një barut të lagur politik?

“Veto” e BE, pse po kthehet në një barut të lagur politik?

April 9, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In