Që nga janari i vitit 2008 deri në korrik 2021 janë rreth 234 mijë shqiptarë që kanë kërkuar gjithsej azil në një nga vendet e Bashkimit Europian (BE), sipas statistikave të publikuara nga Eurostat dhe të përpunuara nga Monitor.
Gjermania është vendi kryesor ku janë drejtuar ata që ikin në kërkim të një jete më të mirë. Sipas Eurostat, kërkesat gjithsej për azil në Gjermani për periudhën në fjalë ishin rreth 95 mijë, ose rreth 40% e totalit.
Shteti i dytë më i preferuar është Franca, me rreth 63 mijë kërkesa gjithsej për azil, ose 26% e totalit.
Më pas renditet Mbretëria e Bashkuar, me 21 mijë kërkesa gjithsej (rreth 9%). Për Mbretërinë e Bashkuar të dhënat janë raportuar deri në fund të vitit 2020.
E katërta është Greqia, me 16.5 mijë kërkesa (7%), e ndjekur nga Suedia, me 4.5% të totalit.
Sipas viteve, numri më i madh i aplikimeve për mbrojtje ndërkombëtare (azil) është shënuar në vitin 2016, me gati 69 mijë, ku gati 80% kishin destinacion Gjermaninë. Vitet e mëvonshme, aplikimet u përgjysmuan, ndërsa në 2019-n u shënua një tendencë rritëse e lehtë (shiko grafikun: Kërkesat për azil në BE nga shtetas shqiptarë, sipas viteve).
Nga viti 2017, vëmendja u zhvendos nga Gjermania drejt Francës, që në 2019-n kishte gati gjysmën e kërkesave.
Në 2020-n, pandemia i frenoi përkohësisht aplikimet, për shkak të karantinave dhe kufizimeve të udhëtimeve, por nuk i ndali tërësisht.
Ndërsa në verën e këtij viti po konstatohet sërish rritje e kërkesave për azil, ndonëse ende mbetet poshtë niveleve të para-pandemisë.
Sipas Eurostat, në korrik 2021 kishte 735 kërkesa për azil nga Shqipëria, niveli më i lartë që nga fillimi i pandemisë, me rritje prej 24% në krahasim me muajin e mëparshëm. Shifra mund të ketë edhe më e lartë, pasi për korrikun nuk kanë raportuar ende të gjitha shtetet.
Gjithsesi, në raport me janarin 2020, kur nuk kishte filluar ende pandemia, kërkesat për azil mbeten pothuajse të përgjysmuara.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët vijojnë që të kenë vrullin më të lartë për t’u larguar, duke pasur në qershor trefishin e kërkesave të Serbisë, që renditet e dyta pas nesh (shih grafikun: Kërkesat për azil nga vendet e rajonit, janar 2020-qershor 2021).
Eurostat bëri të ditur se këtë vit dy shtetet më të preferuara nga azilantët janë Franca, që ka parë një rritje të fortë në korrik, me 650 kërkesa, nga 270 muajin e mëparshëm. Ndërsa në qershor, pas Francës renditej Greqia, me 165 kërkesa (ky shtet nuk ka raportuar ende për korrikun)./ monitor
g.kosovari