Nga Zef Mazi
Lufta në Ukrainë: një skenar i parashikuar?
Ishte e qartë që në fillimin e Operacionit Special Ushtarak rus dhe ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë, çka e kam thënë disa herë, se ajo ishte një luftë e provokuar, që nuk filloi në vitin 2022. Ajo kishte filluar shumë vite më parë; më i afërti është muaji shkurt 2014, me grushtin e shtetit kundër një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike në Ukrainë.
Arsyet janë të shumta, por shkurtimisht: ajo luftë nuk kishte të bënte me Ukrainën, nuk ishte luftë midis Rusisë dhe Ukrainës. Ajo ishte luftë midis SHBA-së/Perëndimit dhe Rusisë, duke përdorur një të tretë, Ukrainën, si mashë për të luftuar Rusinë, me premtimin për ta futur Ukrainën në NATO. Synimi ishte për ta mundur strategjikisht Rusinë, për ta sfilitur ekonomikisht përmes sanksioneve, për ta dobësuar ushtarakisht, për të ndryshuar regjimin në Rusi dhe, mundësisht, edhe për ta pjesëtuar atë territorialisht duke vënë dorë mbi burimet e mëdha natyrore të Rusisë.
Këto nuk janë shpikje, por pohime me zë dhe figurë të bëra në nivelet më të larta në Perëndim. Ajo luftë ishte krejtësisht e evitueshme dhe ushtarakisht nuk mund të fitohej nga Ukraina. Çdo ushtarak e kupton mirë këtë realitet.
SHBA dhe Rusia takohen, Evropa vazhdon luftën
Pas tre vjetësh e gjysmë lufte dhe mungese totale të kontakteve midis fuqive më të mëdha bërthamore të botës, Rusisë dhe SHBA-së, me ardhjen e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndryshoi politika e jashtme amerikane në shumë drejtime. U rivendosën kontaktet për normalizimin e marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Rusisë.
U bënë dy biseda të gjata midis dy presidentëve të vendeve, u përpilua një plan me hapa konkretë, u ngritën grupet e punës, përfshirë për përfundimin e luftës së përgjakshme në Ukrainë dhe për të vendosur një paqe të qëndrueshme dhe të plotë atje. U zhvillua takimi i parë direkt i dy ministrave të jashtëm, u vendos të riktheheshin në normalitet marrëdhëniet diplomatike, u bisedua për kontrollin e armëve strategjike, për një ndalim zjarri 30-ditor ndaj infrastrukturës energjetike nga palët në luftë, etj.
Evropianët nuk ishin dhe nuk kishin përse të ishin në atë tavolinë dypalëshe. SHBA-ja dhe Rusia takohen për të vendosur paqe, ndërsa Evropa vazhdon t’i bjerë daulles së luftës! Janë dy palë dhe dy qëndrime: njëra për paqe, tjetra për luftë. Vazhdimi i mbështetjes financiare dhe i ndihmave me armatime, mosndërprerja e menjëhershme e tyre, nuk sjell paqe; ajo nxit vazhdimin e luftës. Bisedimet politiko-diplomatike sjellin paqe, jo armët! Nuk mund të ketë armë magjike që do të mund ta kthejë trajektoren e kësaj lufte tashmë të humbur.
Evropa u zu keq nga bisedimet direkte SHBA-Rusi dhe e humbi toruan. Nxori krye egoja e sëmurë e neokolonializmit evropian të dy ose tre shteteve! Analizuar ftohtë, synimet janë disi të zymta, ndërkohë që vazhdon loja hipokrite e “fjalëve të bukura, por boshe” dhe e “pikëllimit” për Ukrainën, e cila po paguan një kosto kolosale njerëzore, materiale, infrastrukturore, ekonomike, etj.
Ndryshimi i strategjisë amerikane dhe izolimi i Evropës
Në Amerikë po ndodhin ndryshime të mëdha strategjike epokale. Uashingtoni po fokusohet më shumë në rritjen social-ekonomike, sigurinë në vend dhe në dy kontinentet amerikane, në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Indo-Paqësorit. Anëtarëve të NATO-s u thuhet se u takon atyre të rrisin kapacitetet për të mbrojtur sigurinë e kontinentit. Me BE-në ka probleme të mëdha politike dhe ekonomike.
Është situatë e rëndë për evropianët që, me kërkesën e administratës së Bidenit, bënë jo pak sakrifica duke injoruar se po godisnin rëndë veten ekonomikisht dhe politikisht. Fatkeqësisht, evropianët vazhdojnë të mos shohin se ç’po ndodh, bile edhe të ecin qorraz duke vendosur sanksione edhe kundër SHBA-së.
Fuqitë e mëdha ndjekin politika në linjë me interesat e tyre. Ato politika i kanë rrënjët thellë në gjeografi, histori, demografi dhe ekonomi. Sa më shumë të forcojë autonominë e saj, aq më pak Evropa do të mbajë pozitën e lypsarit për ndihmë, aq më shumë Amerika do ta respektojë dhe aq më të mira do të jenë marrëdhëniet transatlantike. SHBA-ja mbetet aleati më i vjetër dhe më i afërt i Evropës, por kjo e fundit e interpreton gabimisht se kështu do të jetë përjetësisht.
A po mbetet Evropa peng i politikave të saj?
Evropa nuk ka formuluar me zgjuarsi një politikë të jashtme të sajën. Ajo nuk ka as kushtetutë ku “të gozhdohet” politika e saj e jashtme. Nuk ka unitet për këtë çështje. Në këtë situatë, BE-ja duhet të përdorë diplomaci dhe diplomatë, jo të veprojë me sekretarë lufte, siç dëgjohet të flitet në nivelet më të larta të saj. BE-ja nuk po ecën me hapin e kohës. Ajo duhet të mësojë të dëgjojë, të dijë të shtrëngojë duart, të bisedojë, të jetë e edukuar dhe jo arrogante, të ndjekë një linjë dhe një profesion që nuk është as lojë, as ideologji politike dhe as fobi emocionale.
Punët në BE nuk duken edhe aq mirë. Aty ka një deficit të madh uniteti për shumë çështje madhore. E vetmja pikë ku tregohet unitet, ndonëse i imponuar, i forcuar, jo i plotë, është Ukraina, janë sanksionet, të cilat kanë dështuar të arrijnë objektivin për të cilin u vendosën, por nuk kanë dështuar të sfilisin ekonomikisht Evropën, duke e kthyer BE-në në një grupim deri diku irrelevant. BE-ja do të kishte bërë shumë mirë të kishte shkuar, ose të shkojë, të bisedojë me Rusinë. Nuk ka kuptim dhe nuk mund të mos shihet se marrëzia politike e një klase të lodhur, që nuk ka se çfarë të ofrojë më, nuk paska kufi! Duket se BE-ja mendon se është NATO, ndërsa NATO-ja flet sikur të ishte BE-ja, ose të ishte mbi të.
Dëgjohen fjalë të pamenduara mirë, se Rusia përbën rrezik për Francën dhe për Evropën. Nuk ka asnjë evidencë, asnjë fjali, madje as indirekt, që Rusia ka interes, synon dhe planifikon të pushtojë Evropën, apo të hapë ndonjë luftë me shtete të BE-së ose të NATO-s. Këto daulle lufte bien vetëm në disa shtete në Evropë, me shtytjen e madhe dhe të gabuar të disa rusofobëve, të vegjël dhe të mëdhenj, për propagandë, për të frikësuar popullsitë, për t’i përgatitur për luftë, për t’i mbyllur sytë para krizës së madhe ekonomike, sot deri në recesion, duke bërë “çudira” si ajo e BE-së për miratimin e 800 miliardë eurove për luftë. Euro që BE-ja nuk i ka, por do t’i sigurojë, përfshirë duke i marrë paratë nga kursimet private të popujve të BE-së.
Ky veprim, nëse bëhet, mund të karakterizohet si lajthitje që mund të çojë në përplasje të mëdha civile në Evropë. Me veprimet e saj, BE-ja është kthyer në një degëzim sekondar, irrelevant, për çështje të dorës së dytë. Prandaj, duhet rimenduar dhe përcaktuar qartë strategjia, duhet “gozhduar” politika e saj e jashtme. Evropa mund të ribëhet disi relevante vetëm nëse heq dorë nga pozicionet e dështuara të saj, ndërsa prioritetet e SHBA-së po spostohen.
Ballkani Perëndimor dhe loja e BE-së
Bëhen referime për Evropën sikur Ballkani Perëndimor të ishte anëtar i BE-së. Ballkanit Perëndimor i bëhen presione, çka shihet si gjë e mirë, e mbështjellë me vello, me fjalë „të bukura“, bëhen vizita, gëzohen komisionerë si të ishin fëmijë. Kjo bëhet për ta mbajtur ngrohtë, por te dera, Ballkanin Perëndimor, për të siguruar që ai të jetë në linjë me „politikën e jashtme“ të BE-së, politikë që nuk ekziston, ndërsa ekzistojnë vetëm konkluzione nga njëra mbledhje tek tjetra që kanë emëruesin më të ulët të përbashkët.
BE-ja nuk duket se ka një sjellje politike, ekonomike dhe sociale të përgjegjshme ndaj Ballkanit Perëndimor. Atij nuk i thuhet e vërteta. Fakt është se BE-ja po largohet nga Ballkani, ndërkohë që vazhdon të flasë për të dhe të japë ca para duke „fërkuar egon e naivitetit ballkanik“, jo më shumë se kaq. Mjafton të pjesëtosh shumën e deklaruar për gjashtë shtete (nëse ekziston ajo shumë) dhe rezultati flet vetë se sa do t’i shkojë çdo shteti për 5 vjet.
Makineria e burokratëve të pazgjedhur të Komisionit Evropian, që është kthyer në një lloj diktature, vepron për t’u mbyllur gojën njerëzve. Për të kuptuar më mirë, mjafton të shohësh se ç’po ndodh në Rumani, ku, me urdhër të Komisionit, anulohen zgjedhje dhe nuk lejohen të kandidojnë dy politikanë në një vend të BE-së vetëm e vetëm se nuk i pëlqejnë dhe nuk u shkojnë për shtat globalistëve të Komisionit; dhe nuk lejohet asnjë lajm mediatik për demonstratën 800 mijë vetë në Rëuani kundër atij vendimi; po ashtu, u pa edhe çfarë u përpoq të bënte në Gjeorgji dy muaj më parë.
Drejtuesit aktualë jopopullorë është e qartë se nuk përfaqësojnë popujt dhe kanë axhendat e tyre „ëoke“ globaliste, aq më pak Komisioni Evropian që dikton përmes presidentes. Rrugë e dobishme për BE-në do të ishte t’i thoshte „stop“ lajthitjeve dhe të shihte në sy problemin – formën e qeverisjes: a është e sklerotizuar, e dalë nga moda, jodemokratike apo jo?! Duhet t’i jepet fund diktimit të popujve për atë çfarë duan dhe kërkojnë oligarkët dhe globalistët.
Një e carë midis SHBA-ve dhe Evropës?
Është e dukshme një e çarë midis SHBA-së dhe Evropës. Në këtë realitet të ri, linja politike e administratës së Trumpit në drejtim të Ballkanit Perëndimor nuk është bërë ende e qartë se cila është. Më shumë do të mësohet me kalimin e muajve dhe ajo duhet vendosur në kontekstin e kuadrit më të gjerë të marrëdhënieve gjeostrategjike midis fuqive të mëdha.
Komisioni i ri i Ursula von der Leyen ka lëshuar disa „tullumbace retorike“, që duken gjithnjë e më shumë si e njëjta gjë me Komisionin e vjetër. Ndoshta nuk ka përse të pritet më shumë prej tij. Politika amerikane ndaj marrëdhënieve me BE-në pritet që të ketë një „çengel“ edhe në Ballkanin Perëndimor. Ka qenë konstante e asaj politike që të mbështesë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Shpresoj që ai qëndrim të mos ndryshojë.
Përpjekjet e fundit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kanë marrë një dimension të ri me takimet dypalëshe direkte SHBA-Rusi. Këto takime vijojnë. Më në fund po bisedohet për paqe pas tre vitesh e gjysmë që flitet vetëm për luftë. BE-ja vazhdon po në këtë linjë lufte edhe sot!
Entuziazmi i nxituar inkurajues i Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian për projektin Ukrainë, në linjë të plotë me administratën e kaluar amerikane, ka pasur ndikim të ndjeshëm në Ballkanin Perëndimor, aq sa mund të thuhet me bindje se Ukraina e ka marrë peng Ballkanin Perëndimor. Ballkani tani ka zbritur edhe më poshtë në prioritetet e BE-së, ku thuhet: “…, si edhe Ballkanin Perëndimor…”, siç shkruan ministri i jashtëm polak.
Ajo renditje duhet të ndryshohet në: “… përkrahje për punën e gjatë dhe të madhe të Ballkanit Perëndimor për ta parë atë në BE, si edhe Ukrainën dhe Moldavinë…”. BE-ja ende nuk e ka bërë një gjë të tillë. Ndoshta nuk do ta bëjë, nëse vazhdon linjën e deritanishme. Duket se kështu i leverdis. Mjafton të mësohet se çfarë u tha në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, para dy ditësh, nga disa ministra, për të kuptuar se çka po them është e drejtë.
BE-ja bën sikur harron se Ballkani Perëndimor e ka nisur rrugën integruese mbi 25 vite më parë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, vendet e Ballkanit kanë përparuar duke ecur absolutisht vetëm në linjë të plotë me përmbushjen e detyrimeve sipas rekomandimeve, konkluzioneve dhe direktivave të shkruara të BE-së.
Ato përcaktojnë qartë rrugën, detyrat dhe detyrimet që duhen kryer, kohën dhe afatet, si dhe thellësinë e përparimit, përfshirë mekanizmin e verifikimit, për të kaluar në një stad të mëtejshëm përpara.
Nuk ka asnjë argument, asnjë justifikim të arsyeshëm dhe bindës që të kërkohet futja urgjente e Ukrainës në BE, siç thanë disa ministra në Këshill. Nuk ka as edhe një argument dhe justifikim bindës që, për të arritur këtë objektiv, të mos ndiqet ekzaktësisht e njëjta procedurë, të njëjtët hapa, të mos plotësohen të njëjtat detyrime që u janë kërkuar, janë ndjekur dhe janë përmbushur nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nuk ka asnjë argument dhe asnjë justifikim të arsyeshëm dhe bindës që të ardhurit rishtas të vihen në një nivel të barabartë me Ballkanin Perëndimor, i cili punon për këtë objektiv tashmë mbi 25 vjet. Cilët obligime dhe detyra përmbushen sot nga Ukraina në luftë më mirë dhe më plotësisht sesa nga vendet e Ballkanit Perëndimor?!
Këto pyetje u duhen bërë drejtpërdrejt Komisionerëve dhe Ursula von der Leyen-it. Është e qartë se vendet anëtare të BE-së vazhdojnë të kenë divergjenca interesash, përfshirë edhe përqasjen ndaj Ballkanit Perëndimor. Ukraina është një sebep ideal për të zvarritur ecurinë e Ballkanit Perëndimor. Për pasojë, është disi e vështirë të thuhet se çfarë pritet nga dinamikat e reja të sotme ku kanë hyrë marrëdhëniet SHBA-BE dhe, për rrjedhojë, edhe ato ndërmjet SHBA-BE-Ballkanit Perëndimor.
Britania dhe Franca: një ndërhyrje e rrezikshme?
Bota është njohur me propozimet e Kryeministrit Britanik Starmer dhe Presidentit Francez Macron për Ukrainën. “Tani fillon faza operacionale,” tha Starmer; ushtarakët do të takohen në Londër për të përcaktuar më qartë vendosjen e paqeruajtësve evropianë në Ukrainë. Ai thirri „Koalicionin e atyre që kanë Vullnet“, një shpikje akrobatike politike për të anashkaluar organizatat e ndryshme dhe për të thënë se „jemi disa“.
Se çfarë statusi, çfarë mandati, si u bë, nga kush u bë, kush do ta zbatojë, si do të kontrollohet zbatimi i mandatit të një „koalicioni“ të tillë, askush nuk e di. Këto vetëm mund të merren me mend.
Rusët kanë qenë të qartë në paralajmërimet që i kanë bërë evropianëve dhe amerikanëve, deri në pikën se „do t’i shkatërrojmë nëse hyjnë“. Po ashtu, u bë e qartë se nuk u duhet besuar atyre që po përpiqen të përdorin Ukrainën për të mbuluar mashtrimin. Është e njohur se, nëse ndodh, futja e trupave bëhet vetëm me autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në përputhje me Kartën e OKB-së, dhe me pëlqimin e Rusisë. Nëse nuk kalohen këto faza, nëse nuk veprohet kështu, trupat që do të futen do të konsiderohen si palë ndërluftuese.
Starmer sikur fluturon mbi re dhe vazhdon me planin e tij; Macroni po ashtu, pa pasur asnjë siguri se do të ketë armëpushim. Dihet çfarë kuptohet me armëpushim, mjafton të kujtojmë historinë e dy Koreve: armëpushimi atje vazhdon që nga viti 1953. Kjo do të thotë se, juridikisht, ato dy vende kanë vetëm armëpushim, por janë ende në gjendje lufte.
A po rrezikohet paqa?
Nëse hyjnë me trupa disa evropianë, duke injoruar paralajmërimet, dhe rusët bëjnë atë që kanë paralajmëruar – që do t’i sulmojnë – atëherë britanikët dhe francezët do t’ia hedhin fajin rusëve për përshkallëzimin. Ndërsa vetë futja e trupave të tyre nuk konsiderohet përshkallëzim i situatës! Një lojë e egër dhe tepër e rrezikshme!
Daily Telegraph raportoi dje se një zyrtar i brendshëm lajmëroi se mbledhja e „koalicionit të atyre që kanë vullnet“ nuk pati konsensus për të vendosur trupa paqeruajtëse në Ukrainë. Ndërsa Starmer vazhdon të flasë për futjen e trupave angleze, franceze, ndoshta edhe të ndonjë vendi tjetër, duke përmendur një numër prej 30 mijë trupash. SHBA-ja nuk ka dhënë asnjë garanci, nuk është dëgjuar asnjë fjalë për garanci nga SHBA-ja, nuk ka shenja se ata po e vlerësojnë situatën.
Gazeta vijon: Për çfarë bëhet gjithë kjo?
• Për të krijuar sherr midis SHBA-së dhe Federatës Ruse, duke paraqitur një çështje që mendojnë se do të çojë në prishjen e negociatave midis SHBA-së dhe Rusisë.
• Për të ndjekur politikën e vjetër afatgjatë në përpjekje për ta tërhequr dhe futur SHBA-në në konflikt.
Është një hap i papërgjegjshëm, sepse nuk merr parasysh rreziqet dhe pasojat.
Nick Timothy, ish-këshilltar i Theresa May, publikisht e sulmoi rëndë propozimin e Starmerit: “Ç’është kjo gjë, përse bëhet?”
Në Angli, ideja e Starmerit po i kthehet si bumerang. Mbështetja për Starmerin është në rënie të shpejtë, shifrat ekonomike të janarit janë skandaloze. Njerëzit pyesin: Çfarë po bën Starmeri? A është ky një propozim i realizueshëm? A ia vlen, apo jo? Mos po kurdis diçka që do të çojë në një katastrofë?!
Anglia dhe Franca kanë dalë me këtë ide, por ajo nuk ka mbështetje, kryesisht nga Amerika; nuk ka garanci, nuk ka plan operativ trupash. Është tepër e rrezikshme të dalësh me ide dhe propozime të tilla.
Nëse ndodh që Rusia i sulmon, çfarë do të ndodhë? Starmer nuk i përgjigjet, por i bën bisht kësaj pyetjeje. Nëse sulmohen sapo të hyjnë, ata do t’i luten Amerikës për ndihmë. Nëse SHBA-ja thotë “Nuk futemi në Ukrainë”, sepse ndihma nuk vjen, atëherë vetë u futët duke injoruar qëndrimet kundër, tani vazhdoni!
Nëse kjo ndodh, sipas skenarit, ata do të thonë: “Nuk ndihmoni aleatët e NATO-s, dhe kjo do të thotë se po shkatërroni NATO-n!” Një presion i hapur dhe tinzar.
I gjithë ky plan është më i rrezikshëm sesa duket në sipërfaqe. Ai mund të ketë edhe disa objektiva të tjera:
• Të rikthejë Britaninë në BE, sepse forca paqeruajtëse do të dominohet nga evropianët.
• Të krijojë krizë në Ukrainë me Rusinë, që në fund të fundit do të përfshijë edhe SHBA-në.
• Të dëmtojë vetë Trumpin, sepse ai paska hyrë në krizë me Rusinë dhe do të akuzohet për këtë apo për atë!
• Të thuhet se paralajmërimi ishte i kotë, pasi nuk mund t’u besohet rusëve!
Përfundimisht, synimi është të afrojë Britaninë më pranë BE-së si përgatitje për rikthimin e saj në union, të minojë Presidentin Trump, ta bëjë që ai të dështojë, si dhe të prishë Brexit-in.
Zelensky është në këtë linjë, sepse pikërisht në kohën kur Trump dhe Putin bisedonin dhe binin dakord për paqe, për të mos pasur asnjëherë përplasje midis vendeve të tyre, Ukraina ndërmori një sulm tjetër ushtarak dhe, pas tij, Zelensky deklaroi se nuk pranon atë për të cilën ranë dakord Trump dhe Putin.
Për këto skenare vazhdojnë të dërgohen paralajmërime nga shumë drejtime.
E gjitha duket se është një kurth. E thënë më hapur dhe më qartë nga vetë amerikanët, kundërshtimi i tyre ndaj planit anglo-francez do t’i japë hov opozitës në rritje në Britani dhe do të ritheksojë se aleatja e Trumpit, Meloni, dhe jo vetëm ajo, është kundër kësaj ideje.
Për të realizuar futjen e trupave, ato do të duhet të kalojnë përmes territorit gjerman dhe polak. Nuk mendoj se Gjermania dhe Polonia do të jenë të gatshme të miratojnë këtë gjë. Nëse do të pranohet të ketë monitorë, ata nuk do të jenë nga asnjë vend evropian, por nga Kina, Brazili, Argjentina, Afrika e Jugut, India, etj.
Starmer është përfshirë në një program riarmatimi që, sipas analistëve britanikë, nuk mund ta realizojë. Është pothuajse e njëjta gjë me 800 miliardë eurot që BE-ja thotë se do t’i investojë për mbrojtjen dhe ushtrinë, por që nuk i ka.
Përfundim: Ky plan është krejtësisht i pavlefshëm dhe i gabuar. Ai rrezikon seriozisht procesin e paqes. Për disa arsye duket se Trump heziton t’ua thotë hapur evropianëve, ndërsa nuk u jep garanci për sigurinë. Nëse Trump do t’u thoshte hapur evropianëve se SHBA-ja nuk e miraton dhe është kundër këtij plani, evropianët menjëherë do të ndryshonin qëndrim.
Kjo krizë mund të jetë shumë më e rëndë se ajo e Karaibeve në vitet 1962-1963.
Ky flet si Radio Moska. Pra me zerin e Putinit. Nuk I vjen turp ? Apo çi plasi nje pensionisti