• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, May 8, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Euro-integrimi i Maqedonisë u shndërrua në projekt me barrë të pabarabartë

by Skënder Asani
10/11/2025 13:00
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Euro-integrimi i Maqedonisë u shpall si synim i përbashkët, por u shndërrua në projekt me barrë të pabarabartë

 

Sa më shumë shqiptarët e trajtonin Perëndimin si fat historik dhe garanci ekzistence, aq më shumë një pjesë e elitave maqedonase e shihnin atë si proces që duhej kontrolluar, modifikuar dhe zvarritur. Nëse shqiptarët flisnin me gjuhën e idealit, elitat maqedonase flisnin me gjuhën e interesit. Nëse të parët besonin se integrimi do të shndërronte shtetin në hapësirë të barazisë qytetare, të dytët e përdornin integrimin si makijazh politik për të shmangur transformimin real.

Nga Prof.dr.Skender ASANI

Në historinë moderne të Maqedonisë, euro-integrimi nuk ka qenë kurrë vetëm një proces teknik; ai ka qenë projekt identiteti, akt legjitimimi dhe shpesh instrument i pushtetit. Por pas kësaj fasade të retorikës evropiane, janë shfaqur dy realitete të kundërta: njëri idealist, që e pa Evropën si horizont emancipimi dhe barazie; tjetri pragmatik, që e përdori atë si mburojë për ruajtjen e status quo-së së brendshme. Kjo dykuptimësi e procesit ka prodhuar një histori kontradiktore, ku shqiptarët u shfaqën si shtytës të pandalur të orientimit perëndimor, ndërsa elitat maqedonase si administruese me hezitime, kalkulime dhe frikë nga barazia e brendshme që Evropa nënkupton.

Sa më shumë shqiptarët e trajtonin Perëndimin si fat historik dhe garanci ekzistence, aq më shumë një pjesë e elitave maqedonase e shihnin atë si proces që duhej kontrolluar, modifikuar dhe zvarritur. Nëse shqiptarët flisnin me gjuhën e idealit, elitat maqedonase flisnin me gjuhën e interesit. Nëse të parët besonin se integrimi do të shndërronte shtetin në hapësirë të barazisë qytetare, të dytët e përdornin integrimin si makijazh politik për të shmangur transformimin real. Kështu, çdo krizë, çdo kompromis, çdo vonesë u shpjegua si “çmim për Evropën”, ndërsa në thelb shërbeu për ruajtjen e asimetrisë së pushtetit dhe të mendësisë hegjemoniste.

Në këtë lojë të gjatë të perceptimeve, shqiptarët nuk hynë si spektatorë, por si garantë të kursit perëndimor. Ata investuan më shumë se kushdo tjetër në arkitekturën e këtij orientimi nga Marrëveshja e Ohrit e deri te anëtarësimi në NATO, duke mbajtur mbi supe peshën e reformave dhe stabilitetit, shpesh në dëm të vetvetes. Subjekti politik shqiptar që lindi nga Marreveshja e Ohrit nuk ishte thjesht një parti; ishte kolona e shtetit, ura midis paqes dhe transformimit, garancia që Maqedonia do të qëndronte në kursin euro-atlantik. Por ky mision, sa historik aq edhe tragjik, pati një kosto ekzistenciale: sa më shumë ky subjekt mbronte proceset shtetërore, aq më shumë zvogëlohej politikisht; sa më shumë siguronte paqen, aq më shumë akuzohej për stagnim; sa më shumë gar synonte Perëndimin, aq më shumë rrezikonte të mbetej pa vend në brendësinë e tij. Historia, në mënyrë ironike, i ndëshkon ata që mbajnë urën, para se të kalojnë mbi të.

Kështu, euro-integrimi, që u shpall si projekt i përbashkët, u shndërrua në projekt me barrë të pabarabartë. Shqiptarët investuan besim, energji dhe durim; elitat maqedonase shpesh investuan taktika vonese, krizash të simuluara dhe premtime që zhdukeshin në mjegullën e tranzicionit. Integrimi u përdor për të shtyrë reformën, jo për ta përshpejtuar; për të mbuluar asimetrinë, jo për ta shëruar atë. U krijua një doktrinë e heshtur: “stabiliteti sot, barazia nesër” por “nesër” u bë formula e përhershme e mosbarazisë.

Shqiptarët nuk e sfiduan asnjëherë orientimin perëndimor; ata sfiduan padrejtësinë brenda tij. Sepse një shtet nuk evropianizohet duke u njohur nga Brukseli, por duke njohur vetveten në frymën e vlerave të Evropës: në respektin për barazinë, në reciprocitetin e të drejtave dhe në dinjitetin qytetar të paprekshëm. Kjo është arsyeja pse euro-integrimi i Maqedonisë sot nuk mund të matet vetëm me nënshkrime marrëveshjesh, por me sinqeritetin e brendshëm për ta bërë shtetin pjesë të Evropës së vlerave, jo vetëm të Evropës së institucioneve.

Dhe sot, kur procesi integrues përplaset me lodhjen politike, me rikthimin e nostalgjive sllave dhe me instrumentalizimin e retorikës evropiane për qëllime të brendshme, bëhet e qartë se rreziku më i madh nuk vjen nga jashtë, por nga brenda: nga mungesa e vullnetit për ta bërë Perëndimin pjesë të ADN-së institucionale të shtetit.

Kjo është koha për ta thënë me zë të lartë: Evropa nuk është më premtim i ardhshëm, është provim i tashëm. Dhe Maqedonia nuk mund të kalojë këtë provim duke ruajtur logjikën e vjetër të dominimit etnik e institucional. Shqiptarët e kanë dhënë provimin e tyre me stabilitetin, me besimin, me përkushtimin ndaj kursit perëndimor. Tani është radha e tjetrit, e shtetit, që ta provojë se nuk kërkon integrim për legjitimitet të jashtëm, por për transformim të brendshëm.

Sepse pyetja nuk është më: “A do të shkojmë drejt Perëndimit?”, por: “A do të guxojmë të bëhemi Perëndim brenda vetes?”

Nëse kjo pyetje mbetet pa përgjigje, atëherë procesi euro-integrues rrezikon të shndërrohet në një referendum moral për të ardhmen e shtetit: midis idealit që frymëzon dhe politikës që devijon; midis Perëndimit si fat dhe instrumentalizimit të tij si alibi. Dhe në këtë referendum të heshtur, shqiptarët për të disatën herë në histori do të jenë përsëri busulla që e mban anijen në drejtim, edhe atëherë kur spiranca e së vjetrës përpiqet ta ndalojë lëvizjen.

Ky është alarmi i kohës: Euro-integrimi nuk është më strategji; është provë ekzistence.
Dhe kush dështon ta kuptojë këtë, rrezikon të mbetet jo vetëm jashtë Evropës, por edhe jashtë historisë.

Shkup, 10 nëntor 2025

 

 

Next Post
Deputetët e PD asnjë fjalë për zgjedhjet, kyçin gojën dhe për vendimet e Grupit

Deputetët e PD asnjë fjalë për zgjedhjet, kyçin gojën dhe për vendimet e Grupit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kriza për punëtorë në Jug, bizneset rrisin pagat me 20%. Një pastruese paguhet deri në 1 mijë e 200 euro

Kriza për punëtorë në Jug, bizneset rrisin pagat me 20%. Një pastruese paguhet deri në 1 mijë e 200 euro

May 8, 2026
“Prite kokën dhe hidhe” / Trump po kryen një eksperiment të ri për ndërrimin e regjimit…

Lufta nuk fitohet me fjalë…

May 8, 2026
Pas anijes franceze, tankeri japonez kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit

Shkëmbim zjarri SHBA-Iran në Hormuz, Trump: Armëpushimi ende në fuqi!

May 8, 2026
Shqipëria dhe Serbia kryesojnë rajonin për gratë shefe

Shqipëria dhe Serbia kryesojnë rajonin për gratë shefe

May 8, 2026
“Nuk janë zgjedhje, janë pafytyrësi”, Zogaj godet vetëzgjedhjen e Berishës në krye të PD-së

“Nuk janë zgjedhje, janë pafytyrësi”, Zogaj godet vetëzgjedhjen e Berishës në krye të PD-së

May 8, 2026
Reshjet e dendura të shiut në Tiranë, Veliaj apel qytetarëve: Të evitojmë lëvizje të panevojshme!

Dita e sotme me vranësira të dendura dhe reshje shiu në të gjithë territorin

May 8, 2026

Sot protesta e opozitës, leja vetëm në Bulevard, policia vendos 1200 efektivë në terren

May 8, 2026
Demokratët e pritën tërë ditën, Rama shkoi pas mesnate në Kuvend. Miratohet akti normativ për uljen e akcizës

Demokratët e pritën tërë ditën, Rama shkoi pas mesnate në Kuvend. Miratohet akti normativ për uljen e akcizës

May 8, 2026
Identifikohet autori i vrasjes së Ismailit. Reagon Policia: Një i plagosur është fshehur

Identifikohet autori i vrasjes së Ismailit. Reagon Policia: Një i plagosur është fshehur

May 8, 2026
Hiqet monitorimi për Sarkozy, Gjykata e Parisit lehtëson masën ndaj ish-presidentit francez

Hiqet monitorimi për Sarkozy, Gjykata e Parisit lehtëson masën ndaj ish-presidentit francez

May 7, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In