Neptun Bajko, legjenda e Partizanit si dhe ish-trajner i Kombëtares shqiptare, ishte i ftuari special ditën e sotme në emisionin “Euromania” të moderatores Enxhi Biba, në “News 24”.
Një mjeshtër i vërtetë që ka shkruar historinë në futbollin shqiptar, Bajko, bëri një analizë speciale për ecurinë e deritanishme të Europianit, si dhe foli me nostalgji për eksperiencën në stolin e Kombëtares si dhe për situatën aktuale në kampin kuqezi, duke u shprehur:
ANALIZA PËR EURO 2020 – Rëndësi ka që vlerat e një lojtari apo një ekipi të dalin në pah sa më mirë. Duhet që përgatitja e tyre të jenë në nivele të larta. Disa ekipe kanë pasur mangësira. Vlerat shpeshherë i shikojmë në aspektet sulmues, por sulmi më i mirë është mbrojtja. Në këtë Europian më kanë rënë në sy që ekipet që kanë pasur vëmendjen të sulmuesat, kanë dështuar, si Belgjika, Anglia dhe Polonia.
Mbrojtësit kanë marrë masat, duke ditur pluset dhe minuset e çdo lojtari. Italia nuk ka një bomber të mirfilltë dhe e kryejnë shumë më mirë rolin e goditjes së portës. Futbolli po pëson ndryshime. Ka shumë rëndësi mënyra e lojës në grup. Dëshira për fitore dhe sakrifica gjithashtu ndikojë.
Në ekipin francez kam parë lojtarë që luanin me cilësitë e tyre, bënin sikur komandonin lojën. Nuk shkriheshin në lojën e ekipit, pa vënë shpirtin. Ky Europian tregon që shpirti fiton gjithmonë. Në futboll asnjëherë nuk duhen nënvlerësuar forcat e kundërshtarit.
FUTBOLLI SHQIPTAR – Futbolli jonë ndër vite ka dhënë gjëra me vlera të mëdha. Që të ndeshesh me ekipet e mëdha, në nivelin që kishim ne në përgjithësi. Pa të kaluar nuk ka të tashme dhe pa të tashme nuk ka të ardhme. Ato vlera i kanë shërbyer këtij vendi, mbi to janë ngritur bazat e të tashmes.
NDESHJET E MËDHA – Me gjithëmend kanë qenë të mëdha. Ka qenë minuta e fundit kur Ledio Pano do të bënte goditjen e dënimit nga 25 metra, gishtat e Këpkes e dërguan në traversë. Në qoftë se do ishte bërë ai gol, 75 milionë gjermaneve do t’iu binte të fiktë. Goli i Rrakllit në Gjermani ishte i veçantë.
Kemi luajtur edhe për dinjitet edhe për krenari kombëtare. Në këtë 10-vjeçar të fundit, nuk duhet t’i mohohen vlerat një trajneri shqiptar. Presionet, ngacmimet, ndërhyrjet e ndryshme, janë të papërballueshme në ambientin shqiptar. Nuk jam dakord që në këto 15 vite, mos t’i jepet mundësi një trajneri shqiptar në Kombëtare.
TRAJNERI REJA – Nuk jam dakord me Rejën, nuk po arrin dot të stabilizojë formacionin. Akoma nuk e kemi të qartë si do të luajmë. Në qoftë se nuk vihen objektiva të qarta, eksperimentet mund t’i bëjë edhe një tjetër, akoma më mirë. Ekipi Kombëtar, duhet të luajë mirë, të pasqyrojë vlera kombëtare dhe të marrë rezultate.
KOMBËTARJA AKTUALE – Unë nuk i di objektivat e ardhshme të kombëtares. Unë nuk i di, as i kam lexuar, mund t’i kenë në mendje ata, por futbolli është i hapur, nuk surprizohesh dot kollaj. I bie të ngelemi aty ku jemi.
Çdo skemë është e mirë, por në varësi të lojtarëve që ke në dispozicion. Nuk mund të përballohen dot me një grumbullim 1 javor, ekipet e tjera, për të marrë maksimumin. Në qendër të mbrojtjes në këtë Europian, janë lojtarët me eksperiencë. Nuk jam tifoz me Italinë, nuk më ka pëlqyer futbolli italian, por kam mësuar nga futbolli italian, se si duhet t’i përballojë kundërshtarët”, u shpreh Bajko.
(BalkanWeb)