Çdo ditë e më shumë PD vijon të zhytet në një spirale mashtrimesh e përbaltje, sidomos të disa prej figurave qendrore të komunitetit ndërkombëtarë në Tiranë, duke dëshmuar qartësisht se ajo ka humbur funksionet si parti politike, dhe është kthyer thjeshtë një klan që po bën gjithëshka për të mbrojtur kastën e kriminale në sistemin e drejtësis në vend. Pas sulmeve pa fre ndaj ambasadorëve të SHBA, BE-së, OSBE-së, rradhën në listën e gjatë antiperëndim të PD-së e ka pasur kreu i misionit EURALIUS në Tiranë, Rainer Deville. Pasi e baltosi me akuza banale, aq sa detyroi edhe vetë Brukselin të hidhte poshtë me neveri baltën e PD-së mbi Rainer Deville, zyrtarët e lartë të PD-së dhe mediat pranë saj dirigjuan sulmin rradhës ndaj tij duke shpallur se ai ka dhënë dorëheqje. Kjo ka detyruar EURALIUS-in të përgënjeshtrojë Partinë Demokratike dhe mediat pranë saj, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet për ndërprerjen në mes të shefit të misionit Rainer Deville dhe komandimin e austriakes, Agnez Gergard, në vend të tij.
Rainer Deville, jo vetëm që do të qëndrojë në Shqipëri deri në fund të mandatit, pra deri në dhjetor të vitit 2017, por ditët e fundit ka intensifikuar takimet dhe konsultat në kuadër të asistencës teknike për hartimin e paketës së plotë të ligjeve, për zbatimin e reformës në drejtësi. Burime zyrtare nga misioni i EURALIUS thanë për Shqiptarja.com se, Rainer Deville vijon punën në përmbushje të misionit dhe në zbatim të projektit “EURALIUS IV”, duke i konsideruar sajime të gjithë lajmet e prodhuara nga linja anti-Veting për largimin e tij.
Madje, burimet zyrtare shtuan se, shefi i misioni EURALIUS, Rainer Deville, do të largohet nga Shqipëria vetëm gjatë Krishtlindjeve, për t’u kthyer sërish në Tiranë, kohë e cila do të përkojë me shqyrtimin dhe miratimin e rreth 40 projektligjeve nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve ose komisioni për reformën në drejtësi.
Gjatë ditëve të fundit, misioni EURALIUS, përpos asistencës në hartimin e projektligjeve të parashikuara në strategjinë për reformën në sistemin e drejtësisë, ka organizuar një sërë seminaresh dhe trajnimesh për forcimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, ku prokurorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe prokurori të tjera janë trajnuar dhe njohur me praktikën e BE në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ky është përgënjeshtrimi i katërt për Partinë Demokratike, e cila sulmoi shefin e misionit të EURALIUS, Rainer Deville, duke e akuzuar për përkthim të gabuar të ligjit të Vetingut, me qëllim për të ndikuar në opinionin e Komisionit të Venecias. Por, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dënuan akuzat e opozitës shqiptare, duke i quajtur mashtrime të atyre që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi. Fillimisht ishte zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë, ajo e cila përgënjeshtroi pretendimet e Partisë Demokratike për Vetingun, ndërsa shtoi se edhe pretendimet se, drejtuesi i ekipit EURALIUS IV është larguar nga posti i tij, janë krejtësisht të pasakta.
Më pas erdhi një reagim i fortë nga zëdhënësja për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së dhe për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit, Maja Kocijançiç. “BE dënon përhapjen publike të akuzave të rreme që pretendonin se EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin anglisht të legjislacionit shqiptar”, tha ajo. Një reagim edhe më pezmatuese erdhi nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili tha se PD po e vonon Vetingut nga frika e Reformës në Drejtësi.
Me. Ar











