Në krye të organizatës ndërkombëtare të prodhimit dhe trafikut të drogës, që çoi në pranga 99 persona mbrëmjen e së hënës nga Guardia di Finanza italiane, ishin vëllezërit shqiptarë Dhimitër dhe Xhevahir Poti, të njohur gjerësisht në media si, “Eskobarët e Ballkanit”, të arrestuar më 13 Maj në Belgjikë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Mediat në Itali raportojnë se operacioni “Ring New”, që çoi në shkatërrimin e grupit të sofistikuar kriminal, kishte nisur që në vitin 2011. Në hetime u përfshinë 196 persona. Nën lupën e Prokurorisë përfunduan me imtësi të gjitha filialet e organizatës ndërkombëtare, nga shpërndarësit e rëndomtë në rrugë deri tek maja e piramidës, që ishin dy vëllezërit shqiptarë.
Në total rrjetit të narkotrafikut i’u sekuestrua mbi 5 tonë drogë, rreth 4.7 tonë marijuanë, 117 kg kokainë, që i kalonin 4 milionë eurot. Gjithashtu u sekuestruan edhe 550 mijë euro kesh, 7 autovetura, 5 mjete të tonazhit të rëndë, 2 karroceri dhe një kamper, të gjitha këto mjete në shfrytëzim të transportit ndërkombëtar të drogës.
Siç shkruajnë mediat në vendin fqinj, shoqata kriminale e themeluar nga Dhimitër dhe Xhevahir Poti, bashkëpunonte ngushtë me organizatat mafioze italiane, veçanërisht me mafian napoletane Camorra, atë kalabreze, Ndragheta, dhe me Sacra Corona Unita-n.
Sipas të njëjtave burime, vëllezërit Poti dyshohet se bashkë me ish-Drejtorin e Transporteve të Sarandës, Klemend Balili, themeluan rrjetin ndërkombëtar të drogës që kryente transport të lëndëve narkotike në Europën Perëndimore përmes kamionëve të mëdhenj të transportit.
Marijuana prodhohej në Shqipëri, ndërsa kokaina dhe hashashi vinin nga Spanja dhe Holanda. Droga futej në Itali përmes kamionëve të transportit ndërkombëtar, në pronësi të firmës së transportit me bazë në Belgjikë, Greqi dhe Bullgari, e themeluar nga vëllezërit Poti. Trafikantët e fshihnin drogën në arkat e peshkut apo frutave dhe perimeve. Hetimet për rrjetin e mirëstrukturuar kriminal vijojnë, ndërsa janë firmosur urdhër-arreste në disa nga qytetet italiane, si edhe në Shqipëri, Greqi, Belgjikë.
ma.me