Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Qendrën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, organizoi sot Konferencën “Parandalimi dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çojnë në terrorizëm në institucionet e privimit të lirisë dhe shërbimit të provës në Shqipëri”.
Ambasadori Bernd Borchardt gjatë fjalës së tij u shpreh se punonjësit e burgjeve dhe shërbimit të provës duhet të trajnohen për të identifikuar ekstremistët dhe personat në rrezik.
Fjala e Kryetarit të Prezencës në Konferencën
“Parandalimi dhe Lufta kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit që çojnë në Terrorizëm në Burgje dhe në Shërbimin e Provës në Shqipëri”
Është një kënaqësi e vërtetë që gjendemi këtu së bashku këtë Konferencë për “Parandalimin dhe Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit që çojnë në Terrorizëm në Burgje dhe në Shërbimin e Provës në Shqipëri”. Prezenca e OSBE-së ka kënaqësinë ta organizojë këtë aktivitet së bashku me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, partnerë kyçë të Prezencës në trajtimin e kësaj problematike të rëndësishme.
Gjithashtu, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen qeverisë së Austrisë, qeverisë së Suedisë dhe qeverisë së Gjermanisë që e kanë mbështetur financiarisht këtë projekt.
Prania e ekstremistëve islamikë radikalë në burgje – ky është problem me të cilin po ndeshen shumë prej Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së. Ekspertët e shumë prej këtyre vendeve bien dakord se rreziku i “infektimit” të të burgosurve të zakonshëm prej tyre është i lartë.
Eksperti i njohur francez Oliver Roy konstaton se burgjet janë vendi i parë i radikalizimit, ndërkohë që Kreu i Këshillit Mysliman në vendin tim, pra, në Gjermani, konfirmon se, “Është fakt që në burgje ka radikalizim”.
Për mua është një gjë lehtësisht e kuptueshme: të burgosurit gjenden në një situatë acaruese, në monotoni shumicën e kohës, shpesh në përpjekje për t’ua hedhur fajin të tjerëve. Kështu që disa prej tyre bien lehtësisht pre.
Radikalët i bashkojnë disa gjëra:
– E gjejnë fajin te të tjerët: ata pretendojnë se Perëndimi është në luftë me botën myslimane;
– Përkundër realitetit të fakteve, pretendojnë se myslimanët nuk kanë vend në shoqëritë perëndimore dhe se, për këtë arsye, nuk është për t’u çuditur që ata i hyjnë botës së krimit;
– Sipas tyre pushteti laik nuk mund t’i dënojë, i vetmi që mund ta bëjë këtë është Zoti.
Dhe radikalët ofrojnë edhe alternativa: aventurat e xhihadit apo kënaqësitë e parajsës për martirët apo thjesht ndjesinë i të qenit i pushtetshëm.
Në Shqipëri nuk është problem i madh ekstremizmi radikal, pra numri i personave që do të ishin të gatshëm të zgjidhnin rrugën e dhunës. Megjithatë, problemi ekziston. Edhe në vendin tim, në Gjermani, vlerësohet se numri i të burgosurve tejet të radikalizuar është vetëm 300; po ta shohim këtë shifër në raport me popullsinë, është e njëjta përqindje me Shqipërinë.
Këto shifra dalëngadalë po rriten: të kthyerit nga e ashtuquajtura “luftë e shenjtë” do t’u qëndrojnë kryesisht bindjeve të tyre dhe do të përpiqen të shtojnë radhët.
Si duhet trajtuar ky problem në Shqipëri? Prezenca e OSBE-së dëshiron të ndihmojë në këtë proces. Ne dëshirojmë të sjellim praktikat më të mira ndërkombëtare. Pikësëpari, duam të ndihmojmë punonjësit e burgjeve dhe të Shërbimit të Provës të identifikojnë ekstremistët dhe personat në rrezik.
Më pas, na duhet të shohim se cilat nga praktikat më të mira multidisiplinare të identifikuara dhe zhvilluara në vende të tjera do të rrisnin qëndrueshmërinë personave të privuar nga liria ndaj influencimit ekstremist.
Së fundi, duhet të gjejmë mënyra për të bërë për vete sa më shumë radikalë që të jetë e mundur. Për ta arritur këtë, duhet të testohen disa metoda:
– me salafistët e dënuar dhe mbështetësit e vijës së ashpër
– me personat që ata janë përpjekur t’i bëjnë pjesë të kauzës së tyre.
Punonjësit e burgjeve mund t’u shpjegojnë të dënuarve të rrezikuar se si radikalët i joshin të tjerët, me qëllim shfrytëzimin e tyre më vonë. Përfaqësuesit e njohur zyrtarisht të Islamit mund të ofrojnë përkujdesje baritore dhe drejtim shpirtëror. Madje, ka pasur shumë përkrahës të vijës së ashpër në Evropën perëndimore që janë bindur të heqin dorë nga dhuna, duke e bërë këtë edhe publikisht.
Nga ana tjetër, është thelbësore që çdo përpjekje për trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje të mos çojë në cenim të të drejtave të njeriut, të drejta të cilat u takojnë të gjithëve, përfshirë edhe të dënuarve për ekstremizëm të dhunshëm. Në fakt, shkelja e të drejtave të tyre të njeriut mund të kontribuojë në radikalizim edhe më të madh.
Shumë vende, përfshirë Shqipërinë, kanë hartuar strategji dhe kanë nxjerrë mësime për mënyrën se si duhet luftuar ekstremizmi i dhunshëm. Ne mirëpresim Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për këtë qëllim; Prezenca bashkëpunon ngushtë me Koordinatorin Kombëtar. Ne e përshëndesim krijimin e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhjetorin e kaluar dhe dëshirojmë të shprehim mbështetjen tonë të pakufizuar për vënien në funksionim të plotë të kësaj qendre.
Sa i përket burgjeve, Prezenca ka përgatitur një Raport Paraprak për situatën aktuale të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit në burgje dhe në shërbimin e provës, i cili do të shërbejë si bazë për Raportin e Vlerësimit të Nevojave në lidhje me këtë fenomen. Gjithashtu, në partneritet me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës dhe me Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Prezenca ka hartuar Modulet e Trajnimit Bazë për personelin e burgjeve dhe të shërbimit të provës. Rreth 110 punonjës të vijës së parë të burgjeve si nga sektorët socialë, ashtu edhe nga ata të sigurisë i janë nënshtruar këtij trajnimi deri më sot.
Për ta mbyllur, puna parandaluese duhet të fillojë pikërisht nga njohja e kompleksitetit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, si edhe e faktorëve dhe kushteve bazë që çojnë në këto fenomene. Përveç kësaj, rehabilitimi dhe riintegrimi i të dënuarve për ekstremizëm të dhunshëm është një çështje shumë komplekse që kërkon qasje multidisiplinare dhe angazhim të gjerë nga profesionistët, pushteti vendor, shoqëria civile, akademikët dhe aktorë të tjerë.
Më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve që jeni bashkuar me ne dhe ju uroj një konferencë të frytshme./a.m.










