Ekskluzive JavaNews.al/ Ermonela pas pak ditësh do synojë suksesin e radhës në Operën Nacionale të Parisit. Në këtë ndarje opinionesh të saj për Javanews.al ajo shprehet për artin në Shqiperi, vështirësinë e përgatitjes së rolit, klanet që të lodhin në Shqipëri, por dhe sesi UNESCO dhe organizmat e tjera duhet të jenë më të hapura në vend të izolimit. Kosova e meriton plotësisht, thotë ajo. Një artiste e lidhur sinqerisht me problemet e vendit, por edhe të gjithë diasporës shqiptare, ajo ka treguar veç angazhimeve të saj dhe shumë vëmendje për vendin e vet
Nga Ben Andoni/
Sopranoja më e njohur shqiptare në botë Ermonela Jaho është në orët e fundit para shfaqjes “Madamë Butterfly” në Paris. Pjesa e Puçinit do të vijë me një regji të veçantë, e stilit japonez Kabuki, thotë ajo. E angazhuar dhe e tensionuar në të gjithë pejzat e veta për të marrë më të mirën nga vetja, por edhe publikut, ajo nuk harron të tregojë se është një qenie shumë atdhetare. “Anëtarësimi në UNESCO apo në cilëndo organizatë që promovon bashkëpunimin në vend të konfliktit mendoj se është një hap tepër pozitiv për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe veçanërisht artistët. Mendoj se ka ardhur momenti që Europa dhe bota ta kuptojnë se problemet e shumë vendeve në zhvillim nuk zgjidhen përmes izolimit por bashkëpunimit dhe mbështetjes që gjithkush të qëndrojë mbi këmbët e veta dhe të shpalosë vlerat e veta më të mira”.
Dhe argumenti i këngëtares që ka bërë një ecje të gjatë dhe të vështirë në art është tepër konciz: “Në çdo qenie njerëzore janë të mbyllura kapacitete krijuese dhe prodhuese të pafundme. E vetmja diferencë është që mundësitë të cilat i jepen këtij njeriu për t’u edukuar dhe shprehur talentin e saj/tij. Dhe shembull është sërish prej artit: “Atë që skulptori ka për një bllok mermeri ashtu është edukimi për një shpirt njerëzor”….
Sopranoja më e njohur shqiptare ka folur te Javanews.al edhe sesi kjo pjesë e Puçinit të lë shtrëngues në lirinë e veprimit, anipse një artist i mirë di të mësojë dhe të arrijë gjithmonë rezultate të mira në çfarëdo lloj situate profesionale. “Njeriu e ndjen se ku është i mirëpritur, dhe me kënaqësi mund të them se në Operan e Parisit ndihem si në shtëpinë time, e rrethuar me dashuri dhe vlerësim. Shpresoj qe edhe kualiteti i punës sime këtu të shndërrohet në një energji e cila kuptohet dhe mirëpritet nga publiku”.
Por, artistja ka pasur pak fjalë dhe për kolegët e saj shqiptarë, që ankohen dhe i thonë se ajo është produkt i fatit: “Shumë ish-kolegë bashkatdhetare më janë shprehur se kam pasur fat dhe se atyre nuk u ka buzëqeshur ky i fundit. Fatmirësisht me koshiencë të plotë dhe shumë e bindur nga eksperienca e fituar ndër vite, duke shikuar shenjat që më kanë lënë në ndërgjegje sakrificat e panumërta mund të shprehem sot se i vetmi “fat” që unë kam pasur është që kam lindur me aftësinë dhe vendosmërinë për të kapërcyer atë që shumë njerëz e quajnë shpesh ‘fat i keq’”.













