Nga Pëllumb Kulla
Një miku im pat qëndruar disa ditë në Tiranë. Më tregoi se shoferi i taksisë që e pat marrë ta shpinte në varreza, rrugës i kish bërë një pyetje, për të cilën miku, që mban këtu, në Amerikë një servis makinash nuk kishte dot përgjigje
Taksisti kish pyetur: “O vëlla, si mendon ti, a duhet shëmbur teatri, apo duhet mbajtur?”
“Nuk e di përse është fjala dhe kujt mund t’i hyjë në punë mendim im!” i qe përgjigjur ky.
Shoferi qe habitur se si ky lloj pasagjeri paskej pesë ditë ardhur dhe nuk paskej marrë vesh se aty, në Shqipëri, i madh e i vogël, politikanë dhe paparti, mëndje të ndritura dhe njerëz që s’kanë lexuar një libër, lypësa dhe milionerë, pa përjashtim në të gjithë kanalet televizivë, Fevziu, Rakipi, Eni Vasili, Zheji, Lubonja, që të gjitha gazetat, ato që në krye të vendit kanë Bashën, ato të tjerat që kanë Ramën, apo ato që nuk shënojnë një ditë pa Mehmet Shehun, po ngrysen e gdhihen me shoshat e problemit të Teatrit Kombëtar!
Dhe deri te varri i nënës së pasagjerit, që gatitej të kthehej ku e prisnin fëmijët, shoferi kish tjerrë atë që kish bërë me qindra pasagjerë të tjerë dhe ngulte këmbë se duhej një teatër i ri.
Më treguan bile se një plak në shtratin e vdekjes me fjalët e fundit paska thënë se “po iki i lumtur që binanë e theatrit e lashë në këmbë.”
Unë vetë, i nënshkruari, si më afër këtyre punëve, jam shprehur dy tri herë mbi këtë çështje para tre muajsh dhe heshta në një pushim të gjatë që le të merret dhe si moskokëçarje.
Por më duket se zhurma u stërtepërua. Më duket se duhet të kthjellohemi dhe të arrijmë në një shkoqitje përfundimtare të temave, ku teatri, o miq, është vrima e fundit e kavallit.
Në diskutimet e zjarrta shquhen dyshime për interesa fitimprurëse, interesa të publicitetit, të karrierës dhe kontraste të politikës.
Është e natyrshme që aty të shfaqen dhe preokupime kulturore, arqitekturale apo urbanistike, por drithërimet dhe oshëtimat vijnë nga shpellat e politikës.
Edhe pse premtojnë mërzi, më lejoni për të fundit herë të ndalem në këto tema, duke lënë të fundit pikërisht teatrin.
Interesat politike
Dihet ajo që në universin e shqiptarëve, politika është nëna e gjithë të këqijave. Ajo është nëna e përçarjes, e trazirave, shkaktarja e ndotjeve që duken dhe atyre që nuk shfaqen, edhepse nuk arrijnë të fshihen dot.
Ca grupime politike nuk merakosen as për nevojat e Shqipërisë e jo më të artistëve dhe të ndërtesave ku shfaqet arti i tyre.
Në rast se opinionet ndahen më dysh dhe si arbitër marrim organizma teknike të specializuara, ne i hedhim poshtë në rast se ato nuk janë me kauzën tonë.
Në rast se për ndërtesën në fjalë edhe shoqata e ndërtuesve mendon se teknikisht, ajo ngrehinë, nuk i qëndron dot më dhëmbëve të kohës, ne që jemi të asaj ane që është për ruajtjen e ngrehinës, nuk e kemi për gjë të themi që ndërtuesit janë të paguar.
Ndërtesa shënon 70 vjet dhe ky është i vetmi argument logjik që kemi ne se ajo do të jetë e pavdekshme. Në rast se edhe zjarrfiksat paralajmërojnë rreziqe të dukshme zjarri, do të themi se ata janë rrogëtarë të qeverisë.
Ata të organeve të shëndetësisë dhe të Monumenteve të Kulturës janë të paguar, specialistët e huaj janë të blerë, dhe kështu, të shitur e të blerë janë të gjithë ata që nuk flasin si ne. Çfarë do të humbim?
Ne për një anullim marrëveshje ndërshtetërore deklaruam se të nëntë gjyqtarët e lartë të Gjykatës Kushtetuese ishin të ngallosur me ryshfete dhe nuk na gjeti gjë.
Tek ne pushteti blihet, votat që na sjellin në qeverisje ne i blejmë. Tek ne shiten edhe vëzhguesit, kombëtarë edhe të huajt.
Edhe unë që shfaq këto mendime, nuk e vërtetoj dot që nuk jam i blerë.
Si mund të vazhdohet kështu me këtë atmosferë të ndohtur fund e krye?!
Interes politik apo elektoral të drejtë për drejtë, në këtë rast, ka patjetër edhe kryetari i Bashkisë, ministrja e Kulturës dhe vetë Kryeministri. Në rast se ata ofrojnë zgjidhje, unë besoj se nuk ka nevojë t’ju a zbuloj se cfarë do të themi ne:
“Ata nuk mund të kenë qëllime të pastra. Ata nuk mund të kenë qëllim që Tirana të jetë e bukur, nuk u plasi për një ndërtesë dinjitoze, të bukur, me kushte teknike optimale.
Po e arritën ta ngrejnë një ndërtesë të tillë, edhe kjo do t’i ndihmojë ata të rrinë në pushtet vite të tjera.”
E tillë është platforma e politikës që kundërshton përpjekjet e çdo zgjidhjeje.
Unë nuk e dij nëse autoritetet qeveritare dhe bashkiake kanë interesa korruptive. Dëshira ime e sinqertë është që të mos kenë dhe besoj palëkundshmërisht në ta, si njerëz qëllimmirë dhe idealistë.
Unë edhe Rrugën e Kombit kam dëshirë ta shpjegoj që ajo të ketë kushtuar aq llahtarisht shumë, vetëm si rezultat i gabimeve dhe paaftësisë së zgjedhjes së një firme ndërtuese më të mirë. Më mjafton lumturia që ato dy-tri herë që kam udhëtuar mbi atë autostradë, nga Tirana, pas tre orësh jam gjendur në Prishtinë!
Është abuzuar dhe njerëz malinjë kanë përfituar nga financimi i saj? Sa keq! Po përse vononi të na e vërtetoni?
Po, dreqi e mori, nuk mund të shihet prapa çdo nisme të bukur njerëzore, dyshimi se sa fiton qeveria, bashkia apo komuna, se kështu vendi nuk do të përparojë kurrë!
Të mos kemi më shpresë?! Pra nuk do të ketë më asnjëherë në këtë vend kryebashkiakë të ndershëm, deputetë të devotshëm ndaj atdheut dhe ministra të papërlyer?!
Mjerë ne, atëherë!
Rruga që po ndiqet
Pashë mbrëmë një tryezë të gjerë organizuar nga zoti kryetar i Bashkisë së kryeqytetit me të ftuar nga fushat e ndërtimeve, të arqitekturës, zjarrfikësave, përveçse, siç ish dhe e natyrshme, edhe artistë, pedagogë dhe të tjerë individë të interesuar për zgjidhjen e problemit.
Më habiti dhe më lumturoi atmosfera që ka arritur të krijojë me durim shëmbullor Erion Veliaj, ky politikan i mënçur që bashkon në vetvete ambicjen dhe papërtueshmërinë e të riut me pjekurinë dhe urtësinë e një të moshuari
Ujdia që po kërkon dhe duket se po e arrin zoti Veliaj për t’i puqur e për t’i sjellë në një hulli të tërë kundërshtimet, i shkon për shtat natyrës së tij.
Më pëlqen që ai projektligjin e përgatitur për parlamentin e konsideron si një ftesë për pleqësim e për zgjidhje të nyjes gordiane që ka mbetur para nesh. Është e natyrshme që ai nuk do t’i mbushë të gjitha mendjet dhe le të mbeten po deshën të gjitha llojet e dyshimeve, por le të ulen gjakrat!
Nga ana tjetër edhe kundërshtimet e artistëve arritën jo pak, – le t’i quajmë, – fitore.
U kërkua që teatri të mos jetë pjesë e një ndërtese shumëkatëshe, u arrit! U kundërshtua zhvendosja nga ai territor, cungimi i sipërfaqes ku teatri ka jetuar deri tani. Këto u arritën falë kundërvënieve të të gjithë atyre që atë vend e kanë pasur shtëpinë e tyre të përbashkët.
Është meritë e kryeministrit gjetja e qëlluar e një njeriu të përshtatshëm, si Erion Veliaj, që duket se po ia del mbanë sheshimit të kundërshtimeve dhe shpjegimit me durim të të gjithë detajeve të kësaj zgjidhjeje.
Teatri dhe hallet e tij.
Për më shumë se 70 vjet ne nuk kemi patur një ndërtesë të përshtatshme për teatrin qëndror. Mjafton të them se ajo ishte shumë larg me shoqet e saj të Europës, po se po, por ajo ishte edhe më e papërshtatshme edhe se disa teatro të vendit.
Në atë kompleks të ngritur nga italianët, u bë jetëgjatë një dramaturgji, pjesa më e madhe e të cilës meriton të mos kujtohet më. Aty bëhej një jetë e vështirë, e helmuar me plot rrezikime gjithëfarëllojësh.
Por, nga ana tjetër duhet thënë me gojën plot se ky teatri ynë i dashur, ka pasur artistë të mrekullueshëm, të denjë për t’u krahasuar me yje të skenës dhe ekranit botëror. Nuk po përmend emra, se ju e kuptoni që lista do të më dilte tepër e gjatë.
Ata artistë edukuan breza e lanë pas artistë të rinj dhe sot ne përsëri lumturisht kemi artistë kalibri, të ndërgjegjshëm për detyrimin shpirtëror që kanë ndaj udhërrëfyesve të tyre. Nga kjo bazë vinte këto ditë fryma nostalgjike, dëshira e zjarrtë e ruajtjes së atij që e quanin tempull të çmuar.
Mendoj dhe shpresoj se edhe kjo, në korpusin e ri do të realizohet nëpërmjet veçimit të një pavijoni memorialistik, ku mund të ruhej edhe një maket i madh i godinës së teatrit të deritanishëm, ku mund të ekspozoheshin kostumet e paharruara, që nga ai i Hamletit të Shekspirit, Mirandolinës të Goldonit dhe deri tek ato të Halilit dhe Hajries të Kol Jakovës.
Në atë ambient muzeal mund të gjenden shfaqje të filmuara apo radiofonike, këndi i dramaturgëve, ai i regjisorëve dhe i skenografëve, makete dekoresh të qëlluara dhe plot elementë që do të plotësonin nevojat shpirtërore të atyre artistëve, që me ashk kërkuan muaj me radhë restaurimin e plotë të ndërtesës. Meraku i tyre dhe lufta që bënë është vërtet për t’u admiruar.
Dua të besoj se jo që të gjithë ata miq e kolegë e bënin kundërshtimin me porosira partie.
Dhe ajo që vlen të nënvizohet e të rikujtohet është se pjesa dërmuese e artistëve që iu bashkuan që në orët e para lëvizjes për demokraci, i vajtën paspartisë së re që jepte aq shpresë, dhe disa syresh u bënë deputetë të atij grupimi politik. Kushtrimit të progresit shoqëror do t’i përgjigjen gjithmonë artistët më të mirë.
Por përgjithësisht edhe në ato kohë të ethëshme ndryshimesh, ata nuk e braktisën kurrë veprimtarinë bazë, teatrin.
Përshëndes atmosferën optimiste që po krijohet dhe ëndërroj ditën kur problemet e teatrit do të fokusohen jo më tek ndërtimi historik i korpusit teatror, që ndodh njëherë në mijëra vjet, por tek problemet e vërteta e të përditshme të teatrit kombëtar dhe të dramaturgjisë kombëtare.
Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve dhe ëndërroj ditën kur të sakrifikohen ngrehinat e dy teatrove “ndërkombëtarë”, që t’i bëjnë vend ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë!