Opozita ende nuk ka zyrtarizuar emrin e kandidatit të saj, ndërsa vijojnë negociatat brenda forcave opozitare. Kapri theksoi rëndësinë e zgjedhjes së një figure të fortë dhe jo të lidhur drejtpërdrejt me parti:
“E djathta në të gjitha garat ka tentuar të ketë një figurë të plotë politike ose një figurë të rëndë politike. Cili është rezultati? S’ka fituar. Tani, të bësh të njëjtin gabim nuk do të thotë të presësh rezultate ndryshe. Pra, kur themi një kandidat jopartiak, do të thotë jo një anëtar apo një person që identifikon një parti të caktuar. Po flasim për një person publik, me integritet të lartë, një njeri të pakorruptuar që të bëjë kontrast me palën tjetër.”
Ai shtoi se kjo nuk do të thotë se nuk ka kandidatë partiakë të fortë brenda opozitës, duke përmendur edhe kreun e partisë Mundësia, Agron Shehajn si një nga potencialet për të garuar për kryetar bashkie në Tiranë: “po qe për kandidat të fortë unë ua them që zoti Shehaj është një potencial për të garuar për kryetar në Bashkinë e Tiranës.”
“Unë nuk po them që nuk kemi kandidat partiak ose nuk ka kandidat të mirë brenda partisë, PD-ja apo forcat e tjera. Por ne po flasim për një figurë që të unifikojë gjithë opozitën, të bashkojë gjithë votën opozitare dhe të shkojë përtej.”
Komentet e Kaprit nënvizojnë përpjekjet e opozitës për të gjetur një kandidat të përbashkët dhe të besueshëm, që mund të rivalizojë me kandidatin e mazhorancës në zgjedhjet e ardhshme në kryeqytet.