Operacioni i përbashkët shqiptaro-italian, “Enigma”, dyshohet se është dekonspiruar nga një punonjës i policisë së Durrësit. Ndërkohë që burimet konfirmojnë për gazetën “Panorama’ se tashmë shërbimi i çështjeve të brendshme dhe ankesave ka nisur një hetim.
Dyshimet janë ngritur pas dështimit të arrestimit të 5 emrave të dërguar antidrogës së Durrësit, mes tyre dhe dy vëllezërve Hajria që drejtonin grupin kriminal. Mësohet se nga 7 emrat që pala italiane i kishte dorëzuar Policisë së Shtetit, vetëm dy prej tyre u arrestuan, konkretisht Gentian Mecollari dhe Klevis Sena, të cilët u kapën nga policia e Tiranës.
Ndërkohë që 5 të tjerë nuk u arrestuan me arsyetimin se nuk u gjetën në adresat e caktuara, teksa zyrtarisht nga kontrollet e sistemit TIMS rezulton se një prej vëllezërve Altin Hajria nuk ka dalë nga territori shqiptar, fakt i cili mbështetet edhe nga të dhënat e policisë italiane, sipas së cilës, ai së bashku me të vëllain drejtonin trafikun nga Shqipëria.
BalkanWeb