Një 38-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi akuzohet për një seri vjedhjesh në urgjencën e QSUT-së.
Arion Gjergo shtirej si pacient dhe duke përfituar nga urgjencat mjekësore, kryente vjedhje të sendeve personale të pacientëve, që shkonin për të marrë mjekim dhe për të kryer vizita mjekësore.
Arrestimi i 38-vjeçarit u bë teksa ishte duke vjedhur një shumë parash në automjetin në pronësi të shtetasit R. Rr., në ambientet e spitalit QSUT, i cili kishte shkuar për vizitë mjekësore.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 milion lekë të rinj, një orë dore dhe një çakmak.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se shtetasi A. Gj. është autor i disa rasteve të vjedhjeve të ndryshme, të ndodhura kohët e fundit, në ambientet e QSUT-së dhe në rrugën e Dibrës.
/a.r