Krijimi i grupeve kriminale filloi të marrë një hov pas viteve ’90 dhe sidomos pas trazirave të vitit 1997.
Por sot mund të themi me plot gojën se grupet kriminale shqiptare kanë pushtuar dhe territore të rrezikshme në shpërndarjen e drogës siç është Ekuadori.
Më poshtë po paraqesim disa nga krerët e klaneve mafioze më të rrezikshëm ndër vite.
Lideri i familjes Gambino, Arnold Squitieri, e kërcënoi me vdekje Rudajn, dhe takimi mes tyre për pak sa nuk përfundoi në një masakër. Në vitin 2006 të dyja grupet ranë në pranga. 38 vjeçari Rudaj u dënua me 27 vjet burg. Rivali i tij italo-amerikan Arnold, vetëm 7 vjet. Ndryshimi mes Rudajt dhe familjeve tradicionale të Cosa Nostra-s Arnold Squitieri e caktoi që nga burgu pasardhësin e familjes, Rudaj jo. Kësisoj familja Gambino vazhdon ende aktivitetin kriminal, ndërsa Rudaj jo.
Princ Dobroshi –Princ Dobroshi, në Norvegji dhe Ceki njihet si bosi i mafia shqiptare të drogës. Mediat në këto dy vendi i referoheshin me nofkën “Peshkaqeni”.
Dobroshi ishte dënuar për përfshirje në trafikun e drogës, saktësisht heroinës. Për këtë dhe vepra të tjera Dobroshit i ishte ndaluar hyrja në vendet e Bashkimit Evropian.
Ai ishte larguar nga Kosova në vitin 1988. Fillimisht kishte shkuar në Gjermani, ku ishte marrë me biznesin e kazinove. Pas Gjermanisë ai kaloi në Norvegji.
Në vitin 1993, Princ Dobroshi, u arrestua nga policia norvegjeze nën dyshimin për trafik droge.
Gjykata në Norvegji në vitin 1994 e kishte dënuar atë me 14 vite burgim.
Dobroshi,arriti të largohej nga burgu në vitin 1997, pasi kishte korruptuar rojën e burgut.
Pas arratisjes, sipas shefit të antidrogës, ishte fshehur në Kroaci ku kishte bërë një operacion plastik në fytyrë.
Në aksionin e koduar “Kafaz”, operacioni i cili zgjati dy vjet, e që ishte mbështetur nga policia suedeze, daneze e veçanërisht ajo norvegjeze, rezultoi me kapjen e Dobroshit, me 23 shkurt të vitit 1999.
Në vitin 2005 kur mbaroi dënimin Princ Dobroshi u përcjell nga autoritetet norvegjeze nën masa të rrepta sigurie për në Kosovë.
Ai u rikthye për të jetuar në vendlindjen e tij në Pejë, ku u hapi biznesin e lojërave të fatit.
Në dhjetor 2023 ai u arrestua në Tiranë, por policia nuk dha asnjë njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e tij.
Aldo Bare – Kapobanda e bandës së Lushnjës. I akuzuar për shumë ngjarje të rënda në vitin 1997 dhe më pas Bare u ekstradua nga Turqia dhe tashmë vuan dënimin e përjetshëm në burgun e Drenovës.
Bruno dhe Saimir Krasniqi janë dy vëllezër shqiptarë. Ata njihen si liderë të një grupi të dhunshëm shqiptar të krimit të organizuar, që operonte në New York dhe Michigan.
Dy vëllezërit Krasniqi janë dënuar për krime të shumta, duke përfshirë shantazhe, vrasje, konspiracion, rrëmbim, trafikimit të narkotikëve, zjarrvënie, grabitje, zhvatje, pengim të drejtësisë, transport ndërshtetëror të narkotikëve të vjedhur, posedim dhe përdorim të armëve të zjarrit.
Mes krimeve të tjera, ata u shpallën fajtorë për vrasjen në vitin 2005 të Erion Shehut, një anëtar i një bande rivale në Queens të Nju Jorkut, si edhe ekzekutimin e Erenik Grezdës një anëtar i organizatës së tyre, pasi dyshonin se kishte bashkëpunuar me një bandë tjetër kundër tyre.
Bruno dhe Saimir Krasniqi përballen me dy burgime të përjetsshme, si edhe dënime me 60 vjet burg për akuza lidhur me narkotikë dhe armë zjarri.
Xhoni Eduart Aliti – John Edëard Alite, në vitet ’80- ’90 ishte pjesë e familjes mafioze Gambino. Ai ishte krahu i djathtë i mafiozit italian John Gotti. Në vitet 2000, ish mafiozi me origjinë shqiptare mori arratinë, kur mësoi se ata që i kishte konsideruar pjesë të familjes, kishin vënë një çmim për kokën e tij. Zgjodhi të ishte mafioz për para. Ai donte të forconte pozitën e tij në grupin Gambino, dhe më të shumtën e krimeve, i kreu me udhër të John Angelo Gotti-t, të riut, e ndonjëherë me urdhër të babait të Junior-it, John Joseph Gottit.
John Alite do të mbahet mend gjithmonë si mafiozi me origjinë shqiptare që rrëzoi familjen shumë të famshme Gambino. Dhe sot, ai ka zgjedhur që të japë mesazhe pozitive tek të rinjtë, duke rrëfyer historinë e tij, si arriti t’i shpëtonte plumbave, përndjekjes, shpifjeve dhe vdekjes!
Basri Bajrami – I lindur në Kosovë më 1955, Basri Bajrami, emigroi herët nga vendlindja për të shkuar në SHBA. Ai qëndroi në Belgjikë, ndërsa jetoi aty për gati 30 vitet e ardhshme.
Bajrami u bë ortak në një kazino në Bruksel, pasi u mor me disa aktivitete të paligjshme. Mirëpo, ai dhe miqtë e tij ishin të pakënaqur me taksat e larta, të vendosura nga qeveria belge mbi lojërat e fatit.
Për këtë arsye, bashkë me shqiptarin tjetër Murat Kapllani dhe 2 belgë, planifikojnë rrëmbimin e kryeministrit të Belgjikës, Pol Vanden Bojnants në fillim të vitit 1989. Bojants u rrëmbye në momentin kur po shkonte të takonte të dashurën. Bajrami dhe të tjerët, e mbajtën peng për 32 ditë, gjatë të cilave arritën t’i marrin përmes të birit 5 milionë marka gjermane (1.5 milionë euro).
Pa kësaj historie, Bajrami u arrestua i pari nga banda në shkurt 1989. Pasi u arrestuan të tjerët, gjyqi kundër Bandës Haemers nisi më 1993. Basriu u arratis sërish nga burgu i Sen Zhill, së bashku me Filip Lakrua dhe Murat Kapllanin. Lakrua, dhe Kapllani u kapën sërish, Haemers kreu vetëvrasje në qeli, ndërsa ai vetë u kap pas 2 vitesh në Maqedoni. Në vitin 1996, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa u ekstradua në Kosovë në vitin 2004. Pas disa viteve në burg, sot ai është i lirë.
Lul Berisha – Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda në vend.
Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun. Në dhjetor 2023 u arrestua në Spanjë pas shkëmbimit të informacioneve me Shqipërinë. 52-vjeçari ishte në kërkim pasi Gjykata e Lartë anuloi lirimin me kusht për krimet e bandës së Durrësit si dhe për akuzën e re për vrasjen e rivalit Klodian Saliu, në vitin 2005.
Myrteza Çaushi- Myrteza Çaushi që njihet ndryshe edhe si Zani Çaushi ka qenë një nga krerët e bandave më të rrezikshme të Vlorës, e njohur si banda e Çoles.
Kjo bandë mori emrin e një lagjeje në qytetin e Vlorës. Anëtarët e bandës “Çole” akuzohen për një sërë vrasjesh mes bandash rivale, për përdhunime, pengmarrje, djegie njerëzish dhe krime të tjera. Kjo bandë ishte mbështetëse e të ashtuquajturit “Komitet i Shpëtimit të Vlorës” dhe mbështetësja kryesore e Partisë Socialiste gjatë trazirave të vitit 1997. Kapoja i bandës Zani Çaushi ishte shoqëruesi kryesor i Skënder Gjinushit në Vlorë.
Zani Çaushi ishte i dënuar nga drejtësia e Greqisë me 101 vjet burg për vrasje
Gjatë vitit 1997, Çaushi gjendej i burgosur në shtëpinë e rehabilitimit me sigurim të cilësisë së lartë, nga ku arriti të arratisej gjatë një revolte që kishte shpërthyer në burg. Sot vuan dënimin me burgim të përjetshëm, në burgun e Burrelit.
Gaxhai i Vlorës
Banda e Gaxhait të Vlorës drejtohej nga Gazmir Braka. Anëtarët e kësaj bande jetonin së bashku në mënyrë të organizuar në fshatin Cerkovinë.
Kjo bandë u krijua në mars 1997, por krimet nisën t’i kryenin më vonë. Banda e Gaxhait njihet si nëj nga bandat rivale me bandën e Çoles.
Më 9 maj 1997, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait, ky i fundit dëshironte të hakmerrej. Ai tentoi të merrte autoblindat e policisë për të luftuar me Zani Çaushin po nuk ia arriti.
Banda e Gaxhait kishte një gjë të veçantë. Ata kurrë nuk kryenin krime në fshatin e tyre, madje kushdo që kishte një problem për të mbyllur, shkonte dhe ‘qante hallin’ tek ‘Gaxhai.
Me përfundimin e trazirave dhe arrestimin e pjesëtarëve të dy bandave, lufta midis tyre mbaroi.
Gazmend Brakaj, ka dy dënime me burg të përjetshëm dhe aktualisht ndodhet në burgun e Peqinit./Alfapress.al/m.j