Anëtarët e një grupi kriminal shqiptar në Manchester të Anglisë, janë dënuar me 50 vite burg pasi policia zbuloi mënyrën sesi ata drejtonin trafikun e kokainës në qytet me anë të ngritjes së qendrave telefonike nga ku klientët porosinin lëndën narkotike dhe korrierët shqiptarë e shpërndanin.
Në prangat e policisë kanë rënë pesë anëtarët kryesorë të grupit që vepronte prej kohësh në Manchester dhe vlera e tregut të kokainës që kontrollonin e kalonte shifrën e 2 milionë paundëve.
Dënimet për secilin prej të arrestuarve:
Albi Hoxhaj, 25 vjeç, banues në Lowfield Road, Stockport, i cili punonte në qendrën e thirrjeve telfonike, u dënua me pesë vjet e 10 muaj burgim.
Klevis Prenci, 33 vjeç, me banim në Horwich, u burgos me katër vjet e dy muaj. Më herët ai ishte dënuar me tre vite burg sërish për konsum dhe trafik të lëndëve narkotike. Prenci ishte përgjegjës për ndarjen e drogës në terren, mbledhjen e parave dhe furnizimin e korrierëve.
Altin Niklaj, 37 vjeç, me banim në Horwich, u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burg. Ai ishte i përfshirë në stafin e qendrës së thirrjeve dhe kujdesej për strehimin e korrierëve të rinj.
Aurel Hila, 39 vjeç, nga Austin Street, Leigh, luante një rol më të vogël për bandën. Ai u largua nga Britania e Madhe së fundmi dhe u dënua në mungesë për pesë vite burg.
Në total dënimi total për anëtarët e bandës ishte 48 vite dhe dy muaj burg.
/s.f