Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Delisufaj të Lushnjës mbrëmjen e sotme (13 gusht), ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Si pasojë e aksidentit raportohet se tragjikisht kanë humbur jetën dy gra, të cilat ndodheshin në automjet.
Viktimat janë identifikuar si Mirela Hasko dhe Florije Xhepa, rreth 50 vjeçe, teksa bëhet me dije se janë motra mes tyre.
Sipas të dhënave të para, automjeti me të cilin udhëtonin dy gratë nuk ka mundur të futet në urë dhe ka përfunduar brenda në kanalin vaditës. Kanali ka qenë i mbushur plot me ujë, ndërsa rrjedha ka marrë mjetin duke e nxjerrë atë nën urë.
Për pasojë, dy motrat nuk kanë mundur të dalin nga mjeti dhe kanë gjetur vdekjen nga mbytja.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e urgjencës. Ekipet e ambulancave kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë dhe i kanë transportuar ata drejt morgut të Lushnjës.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të kësaj tragjedie.











