Deputetja shqiptare në Itali, Lindita Elezi në një intervistë për Panorama e Mëngjesit, te Panorama TV ka treguar eksperiencën e saj dhe fillimet e saj të karrierës pas largimit nga Lezha.
Elezi ka treguar një episod që e ka tronditur pasi në moshën 20-vjeçare ka humbur njeriun e zëmrës, pas aksidentit tragjik që pësoi ky i fundit, ku theksoi se pas ndarjes nga jeta të të fejuarit familja e tij e ka ndihmuar shumë dhe e ka konsideruar si fëmijën e saj.
Ndër të tjera, deputetja ka treguar se sfida për të jetuar në Itali ka qenë e madhe pasi i është dashur të nisë karrierën nga e para, ku tha se puna e saj e parë ka qenë si trajnere gjimnastike.
Pjesë nga biseda:
“Kam ikur 20-vjeçe në Itali. Unë u fejova me një djalë në vendin ku jetoja, ishte për inxhinieri mekanike. Për fat të keq mbas 8 muajve pësoi aksident me makinë edhe vdiq. Ishte shumë, shumë e rëndë për mua, sepse ai për mua ishte çdo gjë, ai ishte pika ime e referimit. Familja e Luigit më ndihmoi shumë, më mbante afër. Nëna e tij është një njeri i mrekullueshëm edhe sot. Mbajmë akoma lidhje, jemi shumë afër, më konsiderojnë si fëmijën e tyre.
Ishte traumë shumë e madhe, isha 20-vjeçe, ëndrrat u shuan, por jeta vazhdoi. Kisha objektivat e mia, u bëra më e fortë për t’i realizuar. Çdo sfidë të thotë “çohu, nise nga fillimi”.
Ti i more familjarët e tu për të jetuar në Itali. Si ishte për ta sfida për të jetuar aty?
Me thënë të drejtën ne erdhëm me kënaqësi sepse ishte një periudhë që shkonin të gjithë jashtë. E shikonin si një oportunitet edhe duke parë ndoshta se unë fillova shkollën, u hapa edhe më kërkonin ndihmë. Unë nuk flija natën. Isha gjithmonë me mendjen përpara që do merrja të gjithë nipat, mbesat se isha më e vogla dhe kisha nevojë edhe për familjen time, se unë jam e bërë si karakter, jam shumë aprensive, jam shumë sensibël.
Si silleshin ata me ty? Dëshironin të të vendosnin rregulla në jetën tënde?
Ata më kanë parë gjithmonë si motër më të vogël, si kukullën, si princeshën e shtëpisë. Ndërsa unë kisha një barrë të madhe që ato të integroheshin sepse kishte paragjykime ato vitet e para. Vajza si ka mundësi vetëm, jo atje se atje s’kishte paragjykime, sidomos këtu. Ato ishin më të rritura motrat e mia ,vëllai im edhe do të tregonin që bëhet çdo gjë me maksimumin e seriozitetit.
Cila ka qenë puna juaj e parë që keni bërë?
Kam bërë trajnere gjimnastike. Më thirrën në një palestër të madhe të qytetit edhe kishin gjimnaste. Unë kisha një koncept shumë të rreptë të gjimnastikës./m.j