• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, August 31, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Emigranti i djeshëm, armik i emigrantit të sotëm! Premisat për lindjen e racizmit dhe ekstremit të djathtë

by Ardi Stefa
31/08/2026 12:38
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ardi Stefa

Shumë shpesh, ai që dje kërkonte një vend për të jetuar, sot revoltohet kundër atij që kërkon të njëjtën gjë.

Athina është një nga shembujt më domethënës.

Rreth viteve ’50 të shekullit të kaluar, kryeqyteti grek njohu një valë të madhe migracioni të brendshëm. Mijëra grekë zbritën nga fshatrat dhe zonat rurale drejt Athinës, në kërkim të punës, një jete më të mirë dhe mundësive që fshati dhe provinca nuk ua ofronte.

Popullsia e kryeqytetit u rrit me ritme të shpejta.

Athinjotët e vjetër nuk i pritën gjithmonë krahëhapur.

Të ardhurit akuzoheshin se po u merrnin vendet e punës, pranonin paga më të ulëta dhe ndryshonin karakterin e qytetit. Ishin “të tjerët” për kryeqytetasit.

Kur në dekadat pasuese erdhi një tjetër valë migracioni të brendshëm, ata që kishin qenë vetë emigrantët e viteve ’50, tashmë protestonin kundër emigrantëve të rinj.

Dje ishin të ardhur, tashmë vendas.

Dje kërkonin punë, tashmë ankoheshin se dikush po ua merrte punën.

Pastaj erdhën emigrantët e huaj

Në fillim të viteve ’90, pas rënies së Bllokut Lindor, Greqia u përball me një valë të madhe emigracioni nga jashtë. Mes tyre ishin edhe qindra- mijëra shqiptarë.

U përsërit pothuajse e njëjta retorikë.

“Po na marrin punët. Pranojnë paga më të ulëta. Po rrisin kriminalitetin. Po tjetërsojnë qytetet tona.”

Dhe kush u revoltua më shumë në shumë raste?

Jo domosdoshmërisht athinjotët e vjetër, të cilët prej kohësh jetonin në zona periferike të qytetit.

U revoltuan më shumë ata që kishin qenë emigrantë të brendshëm disa dekada më parë.

Ata që kishin zbritur dikur nga fshatrat dhe periferia në Athinë, tani mbronin Athinën nga të ardhurit e rinj.

Në vitet 2000, kur erdhi një valë tjetër emigracioni, fenomeni u përsërit.

Tashmë edhe një pjesë e emigrantëve të parë të viteve ’90 kishin krijuar një standard jetese. Kishin gjetur punë, kishin krijuar familje, kishin marrë me qira apo blerë një shtëpi, ishin asimiluar apo integruar dhe kishin nisur të ndiheshin pjesë e shoqërisë.

Të ardhurit e rinj u shfaqën si kërcënim.

Pranonin të njëjtën punë me kushte edhe më të këqija. Punonin pa sigurime. Pranonin paga më të ulëta.

Emigranti i djeshëm kishte filluar të kishte frikë nga emigranti i ri.

Në Athinë dhe në qytete të tjera greke, transformimet demografike krijuan zona të tëra të përqendruara me popullsi të varfër, emigrantë, të papunë dhe njerëz të margjinalizuar. Çuditërisht getot u krijuan në qendër të qyteteve.

Varfëria, mungesa e integrimit, ekonomia informale dhe braktisja institucionale krijuan terrenin ku lulëzuan kriminaliteti, prostitucioni, trafiku i drogës dhe kontrabanda.

Ndërkohë shteti dhe politika, në pamundësi për të dhënë zgjidhje gjetën armikun.

Të huajt!

U krijua terreni ku retorika nacionaliste, racizmi dhe ekstremi i djathtë të ushqeheshin me frikën, pasigurinë dhe zemërimin e njerëzve të thjeshtë e të paarsimuar. Politika investoi në këtë terren ekstremisht të frikshëm.

Ekstremizmi rrallëherë lind vetëm nga ideologjia. Shpesh lind nga një pyetje në dukje e pafajshme: “Kush ma prishi jetën që kisha?”

Dhe përgjigjja më e lehtë është gjithmonë: “Ai që erdhi pas meje.”

Edhe në Shqipëri, me dallimet e saj, e njëjta situatë ka ndodhur.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë dekadave të mëvonshme, qytetet shqiptare u zgjeruan vazhdimisht me popullsi të ardhur nga zonat rurale.

Banorët e vjetër të qyteteve shpesh i shikonin me dyshim të ardhurit.

Por shpërthimi i madh ndodhi pas rënies së komunizmit.

Në vitet e para të demokracisë, qytetet shqiptare u përballën me një migracion të jashtëzakonshëm të brendshëm. Njerëzit zbrisnin nga fshatrat dhe zonat e largëta drejt Tiranës, Durrësit, Vlorës dhe qyteteve të tjera.

U ndërtua pa kriter. U zunë hapësira. U pushtuan territore. Në shumë raste nuk pyeste askush nëse toka kishte një pronar të mëparshëm, një histori pronësie apo një plan urbanistik.

Ligji ishte i dobët dhe shteti mungonte. Nevoja për të mbijetuar justifikonte gjithçka.

Pas viteve 2000, në shumë qytete shqiptarët me rrënjë të vjetra urbane u ndjenë pakicë në qytetet e tyre.

Qytetet ndryshuan gjuhë, zakone, ritëm, arkitekturë dhe marrëdhënie shoqërore.

Por bashkë me këtë ndryshim ndodhi edhe diçka tjetër: “Të ardhurit filluan të “bëheshin” qytetarë.”

Blerë shtëpi, hapën biznese, bënë para, krijuan lidhje. Ndërtuan pushtet ekonomik dhe politik. Dhe shumë prej tyre, sot, nuk e konsiderojnë më veten të ardhur. Janë vendas, të paktën aq vendas sa kushdo tjetër që ka ardhur para tyre.

Dhe tani po vijnë “të tjerët”!

Një vend që për dekada ka humbur qindra- mijëra njerëz nga emigracioni, një vend që po përballet me zbrazjen e qyteteve dhe fshatrave, ka filluar të shohë ardhjen e të huajve, që vijnë për të punuar, për të jetuar, për të hapur biznese, për të gjetur një mundësi që nuk e kanë në vendin e tyre.

Tashmë dëgjohen zëra revolte.

“Po na marrin punët. Po ndryshojnë qytetet tona. Po blejnë gjithçka. Po na rrezikojnë identitetin.”

Këto fjalë nuk janë të reja.

Janë thënë në Athinë, Paris, Romë, Berlin, Londër.

Sot edhe në Shqipëri.

Ndërkohë shumë prej atyre që sot kanë frikë nga emigrantët e huaj janë pasardhës, fëmijë apo vetë protagonistë të valëve të mëdha të migracionit të brendshëm.

Njerëz që dikur zbritën në qytet dhe ndërtuan një jetë në një vend ku nuk kishin lindur.

Që pranuan punë dhe kushte më të këqija se vendasit dhe për shumë vite u panë me përçmim.

Dhe që sot, ndoshta pa e kuptuar, përdorin ndaj të tjerëve të njëjtën gjuhë që dikur është përdorur ndaj tyre.

A mund të lindë një ekstrem i djathtë shqiptar?

Po, mund të ndodhë!

Jo sepse shqiptarët janë domosdoshmërisht ekstremistë.

Por sepse ekzistojnë disa nga kushtet që historikisht ushqejnë rritjen e racizmit dhe forcave të tilla.

Një shoqëri e lodhur nga varfëria dhe pabarazia. Një shtet me institucione të dobëta. Një ekonomi informale. Një pasiguri e madhe për të ardhmen. Një emigracion masiv i të rinjve. Një vend që ndihet i zbrazur.

Dhe tani, për herë të parë në përmasa të dukshme, ardhja e emigrantëve të huaj.

Nëse këto probleme nuk adresohen me politika serioze integrimi, kontroll i tregut të punës, luftë kundër shfrytëzimit dhe kriminalitetit, atëherë dikush do të ofrojë një përgjigje shumë më të thjeshtë.

Jo zgjidhjen, por armikun.

Ekstremi i djathtë pikërisht këtë bën.

Merr probleme reale dhe ofron fajtorë të gatshëm.

Në vend të luftojë shpopullimin, pyet pse vijnë më të varfrit. Në vend që të pyesë pse një shqiptar pranon të paguhet keq, pyet pse i huaji pranon një pagë më të ulët. Në vend që të pyesë pse shteti nuk kontrollon tregun e punës, fajëson emigrantin. Në vend që të luftojë krimin e organizuar, e identifikon kriminalitetin me kombësinë. Në vend që të ndërtojë politika integrimi, ndërton mure.

Gjithsesi problemi nuk është emigrantipor politika dhe shoqëria që nuk arrijnë të menaxhojnë ndryshimin.

Sepse çdo brez duket se harron shumë shpejt se ka qenë dikur në vendin e atij që sot e quan «të huaj».

Fshatari që zbriti në qytet u bë qytetar. Qytetari i ri protestoi kundër fshatarit që erdhi pas tij.

Emigranti shqiptar në Greqi protestoi, në disa raste, kundër emigrantit që pranonte kushte edhe më të këqija. Dhe sot, në Shqipëri, një pjesë e atyre që kanë ardhur vetë nga diku tjetër kanë filluar të pyesin: “Çfarë duan këta këtu?”

Pyetje e gabuar. Tregon që nuk kemi mësuar gjë nga historia jonë. Kur nuk mësojmë gjë nga historia, rrezikojmë që të përsëritet me personazhe të ndryshuara dhe ne protagonistë.

Dhe, një ditë, ai që dje ishte emigranti, zgjohet dhe kupton se është bërë pikërisht njeriu që dikur e kishte urryer, por mund të jetë vonë.

Racizmi dhe ekstremizmi do jenë ulur këmbëkryq.

Next Post
Kontrabandonte fishekzjarre drejt Tiranës, 36-vjeçari nga Prishtina arrestohet në Morinë

Kontrabandonte fishekzjarre drejt Tiranës, 36-vjeçari nga Prishtina arrestohet në Morinë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Skandali pas ndeshjes së Superiores, momenti kur presidenti i Vllaznisë godet me grushte gjyqtarin!

Skandali pas ndeshjes së Superiores, momenti kur presidenti i Vllaznisë godet me grushte gjyqtarin!

August 31, 2026
“Nëse evidentohen parregullsi do të merren masa”- 37-vjeçarja shtatzënë ndërroi jetë rrugës për në Tiranë, reagon MSH: Do të hetohet i gjithë procesi!

“Nëse evidentohen parregullsi do të merren masa”- 37-vjeçarja shtatzënë ndërroi jetë rrugës për në Tiranë, reagon MSH: Do të hetohet i gjithë procesi!

August 31, 2026
Zjarret lanë 12 të vdekur, presidenti i Algjerisë shpall tre ditë zie dhe kërkon dënim me vdekje për piromanët!

Zjarret lanë 12 të vdekur, presidenti i Algjerisë shpall tre ditë zie dhe kërkon dënim me vdekje për piromanët!

August 31, 2026
Elisa e Çudirave

Doktor Berberi

August 31, 2026
Detaje nga operacioni antidrogë në Tiranë: 15 të arrestuar, 2 prej tyre iu komunikohet akuza në burg

Përleshje te “Kalaja” e Tiranës, plagoset me thikë 39-vjeçari! Autorët arratisen, Policia vihet në ndjekje, mister shkaku

August 31, 2026
FOTO/ Tragjedi në Itali, gjenden të pajetë në dhomën e gjumit trupat e prindërve dhe vajzës 5-vjeçare! Zbulohet një armë, ja për çfarë dyshohet

FOTO/ Tragjedi në Itali, gjenden të pajetë në dhomën e gjumit trupat e prindërve dhe vajzës 5-vjeçare! Zbulohet një armë, ja për çfarë dyshohet

August 31, 2026
Bllofi i bllokimit, pse aleatët e PD votuan pro anëtarësisë së Shqipërisë në BE

Shtatori erdhi Doktor!

August 31, 2026
Konflikti SHBA-Kanada në ekstrem, Trump kërcënon të ndryshojë emrin e Liqenit Ontario në Liqeni Amerika -

“Irani ka vdekur”- Trump sulmon Teheranin: Një shtet zyrtarisht i dështuar, të gjykohen për krime kundër njerëzimit! Promovojnë gënjeshtra

August 31, 2026
Zgjedhja e Presidentit të Kosovës/ Haxhiu: Uroj që të mos vijë situata që të shpall datën e zgjedhjeve

Albulena Haxhiu reagon për marrëveshjen Kurti-Abdixhiku për Presidentin: Hap i rëndësishëm për tejkalimin e ngërçit!

August 31, 2026
Ministri i Jashtëm i Iranit akuza të forta Netanyahut: Ai është gjarpri që manipuloi SHBA-të kundër nesh!

Ministri i Jashtëm i Iranit akuza të forta Netanyahut: Ai është gjarpri që manipuloi SHBA-të kundër nesh!

August 31, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com