Elseid Hysaj është lojtari më i shtrenjtë i Shqipërisë pas kualifikimit në Evropian, mes 50 futbollistëve më të mirë kuqezinj. Mbrojtësi i Napolit tani është ylli i kuqezinjve. Vetëm në 5 muaj prej shtatorit vlera e tij është dyfishuar ashtu siç ka ndodhur edhe me Etrit Berishën lojtari i dytë më i shtrenjtë i kuqezinjve. I treti Shkëlzen Gashi me 3.5 milionë euro vlera e kartonit, por që rënia e vlerës së tij ka qenë e madhe. Shkëlzen Gashi vetëm në verë kishte vlerën më të lartë të kartonit prej 9 milionë eurove, pasi kish mbyllur një sezon fantastik te Bazeli në Zvicër, duke e ndihmuar skuadrën të arrij titullin e kampionit, ndërsa vetë, u shpall golashënuesi më i mirë i sezonit. Por këtë sezon gjërat kanë ndryshuar për keq…
Mes 50 lojtarëve më të mirë dhe më të shtrenjtë sipas “transfermarkt”, janë më shumë se 10 futbollistë që vinë nga Kategoria superiore. Futbollisti më i spikatur dhe më i shtrenjtë mbetet Elseid Hysaj i Napolit, vlera aktuale e të cilit përllogaritet në 9 milionë euro, raporton Shekulli.
Në fillim të sezonit, më 1 qershor kur ishte ende lojtar i Empolit dhe pa u transferuar të Napoli, shkodrani kushtonte 4.5 milionë euro. Me kalimin në San Paolo, prej 5 muajve të parë të aventurës, ku u shndërrua në një titullar fiks të skuadrës, vlera e kuqeziut u rrit në shifrën 7,5 milionë euro. Pas gjysmës së parë të edicionit dhe me hapjen e afatit kalimtar të janarit, çmimi i Hysajt është rivlerësuar, duke u dyfishuar dhe tashmë mbrojtësi kuqezi kushton plot 9 milionë euro. Në afatin e transferimeve të dimrit, është rritur edhe vlera e portierit të Lacios, Etrit Berisha, që aktualisht përllogaritet në 4 milionë euro. Në startin e këtij sezoni portieri kuqezi kushtonte 3 milionë euro, por me paraqitjet e zhvilluara në gjysmën e parë të sezonit, mes Serie A dhe Europa League vlera e tij është rritur me një milion Euro.
Talenti kuqezi i Interit, Rey Manaj aktualisht kushton 800 mijë euro. Sulmuesi është përfshirë mes talentëve të rinj më të shtrenjtë të Serisë A. Në qershor 2015, kur u transferua nga Kremonese të Interi, vlera e Manajt në afatin kalimtar ishte 175 mijë euro.
Pak muaj pasi u bashkua me Interin, vlera e Manajt thuajse u 5-fishua dhe lojtari tashmë kushton 800 mijë euro. Portali “transfermarkt.de”, i specializuar në fushën e vlerësimeve dhe transfertave të lojtarëve, ka pasqyruar vlera më të rritura financiare për futbollistët e kombëtares sonë pas kualifikimit për në “Francë 2016”.
Rritjen më të madhe të vlerës e ka pësuar kartoni i mesfushorit Ergys Kaçe, për të cilin, çdo klub që do të ketë nevojë për shërbimet e shtatshkurtit kuqezi, duhet të paguajë minimalisht 3 milionë euro. Taulant Xhaka 3 milionë euro dhe duke vazhduar me futbollistët e tjerë kuqezinj.
I rëndësishëm është fakti, se ka një trend për rritjen e kuotave dhe vlerave të tyre financiare, pasi përpara janë finalet e evropianit, të cilat do të jenë edhe një “vitrinë” e mirë për ta, theksojnë specialistët e marketingut në tregun e futbollit. Rritje kanë patur edhe disa futbollistë të tjerë, mes tyre sulmuesi i Rijeka, Bekim Balaj. Ai u ble për 850 mijë euro, por tani vlen 2 milionë.
Kombëtarja, 1.47 vlera mesatare
Portali i specializuar Transfermarkt.de ka përpiluar renditjen e kombëtareve në bazë të vlerës së tyre në treg menjëherë pas kualifikimit. Kështu është përpiluar një mesatare vlere, në bazë të gjithë lojtarëve të aktivizuar në Evropian.
Kombëtarja më e vlerësuar dhe dukshëm e shkëputur në renditje është Spanja, sepse çdo lojtar i kombëtares së drejtuar nga Vicente del Bosque vlen mesatarisht 24.6 milionë euro. Gjermania është e dyta, ndjekur nga Belgjika, Franca e Anglia, ndërsa më të shkëputura janë Italia e Portugalia. Kombëtaret e tjera janë larg, ndërkohë që bie në sy fakti se skuadra me vlerë më të ulët në treg është Hungaria, lojtarët e së cilës vlejnë mesatarisht një milionë euro në treg. Sipër Hungarisë është Irlanda e Veriut, ndërsa mbi të është Shqipëria jonë: lojtarët tanë vlejnë mesatarisht 1.47 milionë euro në treg, pak a shumë sa lojtarët e Islandës.
Rroga e çuditshme
Është e pabesueshme, por e vërtetë, Rey Manaj ka pranuar një pagë më të ulët se shumica e lojtarëve në Kategorinë Superiore në Shqipëri, vetëm që të kalojë tek Interi. Të luash në Serinë A italiane është një ëndërr për shumë futbollistë, por jo detyrimisht të luajturit aty të bën të pasur.
Rey Manaj, i cili verën e kaluar është transferuar nga Lega Pro në Serinë A, duke firmosur për Interin, për një shumë “të frikshme” prej 20 mijë eurosh në sezon.
Është e pabesueshme, por e vërtetë: sulmuesi 18-vjeçar ka pranuar një pagë më të ulët se shumica e lojtarëve në Kategorinë Superiore në Shqipëri, vetëm që të kalojë tek Interi.
Natyrisht, bëhet fjalë për një talent, që pak nga pak po bëhet i rëndësishëm edhe te skuadra e parë, ndaj ndoshta pas një viti paga e tij do të dhjetëfishohet, por Manaj nuk është i vetmi me pagë të tillë, sepse futbollistë si Karlini e Bertonçini të Frozinones paguhen me të njëjtën shifër, rreth 1500 euro në muaj.
Më i lumtur mund të jetë mbrojtësi shqiptar Kastriot Dermaku, sepse 23-vjeçari i transferuar këtë verë nga Melfi tek Empoli merr 90 mijë euro në vit.
(Marrë nga Koha Ditore)