Sabah Nuzi, i arrestuar më 26 shtator 2025 për vrasjen e Klevis Lleshit është personi që ka porositur vendosjen e një sasie lënde plasëse në automjetin e shtetasit Oltion Klosi.
Ngjarja ka ndodhur më 10 mars 2026, ndërsa policia ka arritur që ta zbardhë krimin pas disa ditësh, duke vënë në pranga 7 persona.
Jurgen Gjonaj, 32 vjeç, Renato Balla, 25 vjeç, Kristjan Ahmerama, 24 vjeç dhe Eklips Leti, 27 vjeç, akuzohen për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim.
Glentjan Kojtari, 29 vjeç, Dorjan Hamolli, 34 vjeç dhe Geris Molla, 19 vjeç akuzohen për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim..
Ndërsa Sabah Nuzi, aktualisht në IEVP akuzohet për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Jurgen Gjonaj është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive, i cili është ndihmuar nga shtetasit Kristjan Ahmerama, Renato Balla dhe Eklips Leti, duke i siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar si dhe sasinë e lëndës eksplozive të vendosur. Ndërkohë, Shtetasi Sabah Nuzi, aktualisht në IEVP Fushë-Krujë, i akuzuar për vepra të rënda kriminale, dyshohet se është personi që ka porositur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e shtetasit Oltion Klosi.
Kush është Sabah Nuzi
Sabah Nuzi akuzohet se ekzekutoi 32-vjeçarin Klevis Lleshi kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh.
Vrasja u urdhërua nga Aurel Hoxha, ndërsa ndërmjetësi akuzohet se është Saimir Kolaveri, i arrestuar në Itali.
Krimi i rëndë dyshohet se ka ndodhur për gjakmarrje.
Aurel Hoxha, i njohur ndryshe me emrin Aurelinjo Kalaveri, urdhëroi vrasjen e 32-vjeçarit për tu hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2012, nga Arben Lleshi, kushëriri i 22-vjeçarit.
Dy fiset janë përfshirë në një sagë hakmarrjesh, të nisur në vitin 2012, kur Arben Lleshi vrau Agim Hoxhën, vëllain e Aurel Hoxhës, dhe më pas ia dogji trupin në makinë. Një vit më pas, më 30 tetor 2013, u vra Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit. Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i tij, Hajredin Lleshi.
Më pas, në vitin 2020 fisi Hoxha dyshohet se porositi vrasjen e Klevis Lleshit. Pas vrasjes, trupin e tij e zhdukën në fshatit Shpërdhet të Kurbinit, ndërsa eshtrat u gjetën pas rreth 2 vite e gjysmë nga banorë të zonës.
Arben Lleshi po vuante dënimin me burg përjetë në burgun e Peqinit, kur në vitin 2023 u vra nga Sokol Mjacaj. Ai u qëllua me armë brenda në qeli, dhe dyshohet se vrasja ka qenë vazhdë e kësaj hakmarrjeje.











