Ekzekutimi me një armë MP5 me silenciator i Hekuran Billës alias Herland Bilali ka sjellë nxjerrjen në dritë të një rasti të dënuar me burgim të përjetshëm, por që çuditërisht shëtiste i lirë dhe me BMWX6, në Shqipëri, pasi gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha i fali 5 vite duke e liruar me kusht.
Një skandal i radhës i drejtësisë shqiptare, ku edhe pse kemi një person të dënuar me burgim të përjetshëm askush nga policia nuk merr asnjë përpjekje për arrestimin e tij. Të paktën në dokumentacionin që kemi arritur të zbulojmë deri në këtë momente, rezulton se Billa ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj 22 vjeçarit Prel Marku dhe plagosjen e rëndë të Musa Rrahmanit dhe një personi tjetër.
Ngjarja ka ndodhur në “Park Royal” të Londrës më 14 tetor 2006 dhe në vitin 2008, Hekuran Billa është dënuar nga gjykata e Kurorës Snaresbook, Angli me burgim të përjetshëm. Dënimi i tij është dhënë në mungesë, ndërsa në nëntor të 2007 Billa ishte arrestuar në Shqipëri, por mbeten të paqarta shkaqet e lirimit të tij nga qelia. Kjo mbase lirimi ka ardhur edhe si pasojë e mospasjes së një marrëveshje ekstradimi mes shtetit Shqiptar dhe Anglisë, për të ekstraduar personat në kërkim.
Por ky dënim anglez ka mbërritur në Shqipëri, ku gjyqtari Altin Abdiu në 13 maj 2014 ka vendosur të njohë dënimin me burgim të përjetshëm që Hekuran Billa kishte marrë në Angli. Ndërsa në 20 korrik 2016 gjyqtari Lefter Jahaj, ka vendosur të ndryshojë vendimin e gjykatës së Tiranës për njohjen e burgut përjetshëm dhe dënimin e tij përfundimisht me 25 vite burgim. Në vendimin e tij gjykata thotë se Hekuran Billa duhet të vuajë dënimin nga dita e arrestimit në Shqipëri 15 nëntor 2007.
Mirëpo nga kjo periudhë e deri më sot, Billa edhe sikur të ketë qëndruar në qeli ka vuajtur gati 15 vite burgim, duke bërë që atij i kishin ngelur dhe 10 vite burgim për të vuajtur. Por mesa duket uljet e dënimit të dhëna nga gjykata e Krujës, kanë ndikuar që ai të lirohet para kohe. Hekuran Billa është liruar në muajin shkurt 2019 nga gjykata e Krujës dhe gjyqtarja është Enkelejda Hoxha. Gjyqtarja Hoxha i ka ulur disa herë dënimin dhe si përfundim e nxori në lirim me kusht duke i falur 5 vjet burgim. Por lirimi nga qelia, ka çuar drejt ekzekutimit Hekuran Billën, i cili mbeti i vrarë me disa plumba në zonën e “komunës së Parisit” në Tiranë./ shqiptarja.com
g.kosovari