Nga Lorenc Vangjeli
Në Shqipëri, si kudo në Ballkan, ka shumë pasion. Edhe kur bëhet fjalë për punë që duhet të bëhen me qetësi, pasioni bëhet sërish daulle e parë. Njëlloj si një zviceran që monton orë dhe dëgjon muzikë hard rock, si një hebre hollandez që pret diamant dhe kërcën nën ritmin e të njëjtës muzikë apo si një kirurg amerikan që ndërhyn në tru dhe edhe këndon, edhe kërcën në të njëjtën kohë nën ritmin e të njëjtës lloj muzike. Sepse ekstremet janë si dashnorët e rinj, puthen gjithmonë!
Njëra nga këto punë të imta, që janë pothuaj në krye të zejeve që ka shpikur njëriu dhe kërkon qetësi është politika. Ajo që bëhet në tryeza bisedimi apo në shtrate meditimi, që bëhet me njerëz apo në vetmi, ajo që komunikohet nga individi në individ apo në shoqëri, që bëhet në parlament apo dhe në sheshe mitingjesh, demonstratash e protestash. Stilet natyrisht janë të ndryshme për të njëjtën gjë. Në Shqipëri jo! Në Shqipëri ka vetëm një të tillë dhe ajo është teknologjia e rrugës edhe në sallë të mbyllur, e bërtitjes edhe në rastin e monologut, e zërit të lartë edhe në rastin kur nuk i jepet arsye dialogut të jetë dialog.
Debati për rikthimin e ligjit të vjetër të lejimit të importit të mbetjeve nga maxhoranca që e shfuqizoi tre vjet më parë është gjithashtu i përfshirë nga pasioni. Me zë të lartë. Në thelb ai do të përmblidhej në pak rreshta, të cilat shohin të kthyer kokëpërmbys qëndrimet e palëve. Kush e lejoi dje ishte kundër sot dhe kush e kundërshtonte dje, e avokatonte sot. Me rreshtim politik. Debati, sipas stilit të zakonshëm, nuk tentonte të gjente arsye teknike, por ta përdorte atë për politikë. Duke shkuar aq në ekstrem nga njëri-tjetri sa rrezikonte të bënte të ngjashëm edhe tërësisht të ndryshmit. Për shembull, si mund të rezonojë Shalsi me Mediun dhe si mund të vishte Rama xhaketën e Berishës? Këto janë ekstreme jo vetëm ideologjike me njëri-tjetrin, por natyrisht janë edhe skaje natyrash të ndryshme njerëzore.
E njëjta histori është dhe për kultivimin e drogës në Shqipëri. Me shumë zhurmë, me të njëjtin argument që përdoret sipas rastit edhe pro, edhe kundër, palët tentojnë kontrastin: ne po bëjmë atë që nuk bëtë ju dhe ne do të bëjmë atë që ju nuk po bëni! Sherri shkon aq larg në rreshtimin politik sa njëri quan tjetrin kryebaronin e drogës së gjithë Evropës, tjetri i përgjigjet me titullin guvernator i bankës së Lazaratit.
Në këto dy skaje akuzash, e vërteta bëhet edhe më e padukshme, edhe kur ka më shumë se një të vërtetë në qarkullim. Njëlloj si lavjerësi që shkon nga e majta në të djathtë dhe ndalet për t’u rikthyer pas vetëm kur shkon sërish në skaj.
Muaji që po kapërcehet dhe ai që do të vijë, priten të jenë edhe më të nxehtë pikërisht me temën e ditës: kultivimin e hashashit. Ujë për të ka qenë edhe “pasioni” i nxehtë dhe i pashuar i politikës vendase që do të marrin për argument edhe thënie në anglisht, të cilat me gjasë do të tregojnë në të njëjtën kohë të njëjtën gotë: edhe gjysëm plot, edhe gjysëm të zbrazur. Eshtë rritur edhe kultivimi i drogës, është rritur edhe vendosmëria e qeverisë për ta korrur.
Po e njëjta histori me shëndetësinë, që një vit më pas pozita do të dëshmojë si suksesin më të dukshëm të reformave të saj dhe opozita në tentim që të bëhet pozitë, do ta quajë si dështimin më të madh. Fakt i prekshëm është ulja e çmimit të ilaçeve, dyshimet notojnë në ujrat e koncesioneve.
Deri vitin tjetër, në orën e ndjeshes së madhe, edhe pse duket se do të ndodhë hataja, gjithçka do të jetë njëlloj si më parë; edhe kur zviceranët montojnë orë, edhe kur hebrenjtë hollandezë presin diamante, edhe kur kirurgët amerikanë ndërhyjnë në tru, edhe kur në Tiranë bëhet politikë sipas traditës. Opozitat në Shqipëri, pavarësisht ngjyrës, janë gjithmonë në esktrem, shkojnë gjithmonë aty edhe kur nuk ja vlen. Edhe kur mungesa e kërkesës së faljes për një gabim të mundshëm, gjykohet si më e vështirë se ngjitja në Everest. Si refleks i opozitave, dhe edhe si shkak, edhe si pasojë, edhe qeverisjet shkojnë në të njëjtin drejtim. Kështu ka ndodhur – për të mos u shtyrë më tej – në vitin 2004, në vitin 2008, në vitin 2012. Secili nga to një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, kur “pasioni” shkon në kulm dhe kur ethet e pushtetit shkojnë në ekstrem.
Dhe ekstremet janë si dashnorët e rinj: puthen gjithmonë!
Politika është një art edhe më i vjetër se dashuria.
Politika mund të dëshmojë se të provosh përsëri e përsëri të njëjtën gjë dhe të presësh çdo herë rezultate të ndryshme, nuk është gjithmonë dashuri.