Përshtypja e përgjithshme është që ishujt janë vetëm për miliarderët. Por në shumë raste, ata kushtojnë sa një apartament. Vetëm se blerja dhe përdorimi i tyre mbetet një punë plot telashe. Ekspertët tregojnë si e pse
Gjetja e një dhëmbi balene për t’ia dhënë kryetarit të ishullit si dhuratë rituale ishte një nga pengesat me të cilat u përball çifti australian Tresi (Tracey) dhe Xhim Xhonston (Jim Johnston) kur ata blenë ishullin e tyre në arkipelagun Fixhi Mamanuka më 2003.
Duke kërkuar një jetë më të qetë – por gjithashtu edhe të ardhura – çifti u dha fund punëve të veta dhe shiti shtëpinë në Brisbane për të blerë ishullin Vadigi për 2 milionë dollarë. Tashmë ata kanë nën pronësi dhe drejtojnë një resort me pesë yje në këtë ishull.
Pavarësisht pengesave të tjera, të cilat përfshijnë pagesën e deri 21 dollarëve për një kilogram groshë të bardhë (diçka që do t’i kushtonte vetëm pak dollarë në shtëpi) si dhe ciklonet e herëpashershme, çifti thotë se ata janë të lumtur me vendimin për të blerë ishullin me sipërfaqe 1,200 metra katrorë. Ata japin me qira një pronë luksi me tre dhoma për klientët (mes emrave të mëdhenj është edhe trashëgimtarja e hoteleve Paris Hilton, e cila paguan 2,459 dollarë për natë për ta pasur eksperiencën e ishullit privat pa pasur nevojë ta ketë nën pronësi).
“Tranzicioni ishte me të vërtetë i ndërlikuar, por ne dëshironim të kishim një biznes që siguronte të ardhura lehtësisht dhe që bashkëshorti im të largohej nga jeta e korporatës”, thotë Tresi Xhohnston.
Të pasurit nën pronësi të një ishulli nuk është një punë thjesht për miliarderë si Riçard (Richard) Branson, i cili aktualisht pagoi vetëm 180 mijë dollarë për ishullin Neker. Çmimet e ishujve variojnë nga 80 mijë në 600 milionë. Përballimi i kostos së blerjeve është vetëm pengesa e parë në shumë probleme.
Por pse duhet të blesh një ishull? Për disa njerëz, kjo është çështje prestigji. Për të tjerët, është thjesht një mundësi për biznes – zhvillimi dhe drejtimi i resorteve të luksit apo hoteleve ekskluzive. Megjithatë të tjerë e blejnë tokën si një investim në prona të patundshme, për të ndërtuar një shtëpi të dytë apo për zhvillim korporativ.
Gjetja e parajsës
Më pak se një mijë prona të tilla mund të gjenden në treg në të gjithë botën çdo vit, sipas një kompanie të specializuar në shitjen e ishujve privatë. Për ata që dëshirojnë të blejnë një ishull, hapi i parë është të vizitojnë faqet e internetit ku këta ishuj janë nxjerrë në shitje.
Azia është një nga rajonet më të shtrenjta për blerje, për shkak se ka konkurrencë të ashpër për pak prona në këtë rajon. Disa nga ishujt me çmimet më të mira mund të gjenden në vendet e Amerikës Qendrore si Belizeja.
Si ta vësh në punë
Ka disa mënyra të zakonshme se si ishujt shiten apo jepen me qira afatgjatë. Mes këtyre mënyrave, lizingu frihold (freehold leases) japin 100 për qind të pronësisë së tokës dhe ndërtesave në të. Kontrata të tilla janë të zakonshme në Europë, Amerikë dhe Karaibe. Kjo është mënyra se si Tinan (Tynan), i cili mban vetëm një emër dhe që është bashkëthemeluesi amerikan i platformës së blogimit SETT, bleu pjesërisht një ishull me 2 mijë metra katrorë një orë larg me varkë nga Halifaksi, Kanada.
Pasi e gjeti tokën në shitje, ai dhe nëntë shokë të tij ndanë koston e blerjes prej 100 mijë dollarësh. Grupi krijoi një korporatë në Shtetet e Bashkuara dhe bashkuan asetet në mënyrë që të paguanin kesh. Një avokati kanadez iu kërkua të regjistrojë titujt e pronësisë.
Opsioni tjetër i përdorur gjerësisht është liz-hold (leasehold) dhe është më pak pronësi dhe më shumë qiramarrje tradicionale. Me këtë metodë, blerësi nënshkruan kontratë për qiramarrje afatgjatë, zakonisht 30 deri në 39 vjet, kontratë që i jep posedim të përkohshëm nga një ent qeveritar, korporatë apo individ që e ka nën pronësi tokën.
Kris Krolou (Chris Krolow), shefi ekzekutiv i një faqeje interneti për ishuj privatë, thotë se blerja apo shitja e një ishulli është një biznes i dyshimtë. Sezonet e shitjes janë të shkurtra, nuk ka shumë precedentë për përcaktimin e çmimeve ndërsa ka pengesa të konsiderueshme në marrjen e lejeve të ndërtimit.
Mund të nevojiten dy deri në tri vjet punë për të shitur një pronë të tillë në tregun ndërkombëtar dhe gjashtë muaj deri në një vit në tregun vendës.
“Nuk është e mundur që thjesht të nxjerrësh një shenjë ‘Shitet’ në ishull, – thotë ai. – Ka shumë gjëra të tjera në këtë biznes për të cilat njerëzit shpesh nuk mendojnë”.
Komplikimet
Në Fixhi, familja Xhohnston ka një qiramarrje 99-vjeçare nga një klan familjar vendës i quajtur Mataqali. Pasi mbërritën në ishull, ata ia dhuruan dhëmbin e balenës kreut vendës si shenjë respekti. Kjo u pasua nga një dhuratë e ngjashme për shefin e krahinës Ratu Seva.
Sapo u pranuan në bashkësi, ata morën kredi për të kryer 1 milion dollarë restaurime, ku përfshihej edhe impianti i përpunimit të ujërave të zeza.
Fillimisht, Tresi pati vështirësi në porositjen e furnizimeve dhe krijimin e llogarimbajtjes thjesht sepse ajo ishte grua. Në Fixhi zakonisht janë burrat ata që bëjnë blerjet.
“Ata nuk donin të bënin biznes me mua, ata donin të flisnin me bosin – thotë Tresi. Në disa raste, vendosa djalin tim 21 vjeç në telefon për të dhënë, ‘thuajuni atyre burrave se unë jam bosi’. Por ata filluan të mësohen me mua”.
Për fatin e mirë të familjes Xhohnston, afërsia e Vadikit me pjesën tjetër të vendit siguron transport të lehtë, udhëtim të shpejtë me anije dhe evakuim të disponueshëm nëse del nevoja gjatë stuhive. Varka, tragete e taksi uji kalojnë shpesh pranë ishullit, një lehtësi e çmuar për shkak se shumë pronarë të tjerë ishujsh privatë detyrohen të marrin avionë deti për të shkuar dhe për t’u kthyer nga pronat e veta.
Aksesueshmëria është një faktor i rëndësishëm për këdo që mendon të blejë një ishull. Shpesh, ishujt më të lirë janë në vende të largëta që kërkojnë shumë orë udhëtim për të mbërritur.
Sfida të tjera në pronësinë e ishujve tropikalë përfshijnë stuhitë, rregullat e ashpra mjedisore, plazhe që janë përcaktuar për përdorim publik apo infeksione tropikale e gjarpërinj uji helmues.
Pavarësisht cikloneve të herëpashershme, familja Xhohnstons mendon se transferimi në ishull është një ngjarje që i ka sjellë ndryshimin për mirë që patën shpresuar.
Kur shefi i krahinës Ratu Seva trashëgoi postin e tij, familja Xhohnston u ftua në ceremoni. Ata u shoqëruan nga udhëheqësi i ri dhe luftëtarët e tij me varkë me motor për të kryer një notim zakonor te pishinat natyrore përreth shkëmbinjve kryesorë. Ndërsa çdo person në hierarkinë e shefit vendës hyri me radhë për të kryer zhytjen, ata e lejuan edhe Tresin për të kryer notimin që zakonisht bëhet vetëm nga meshkujt.
“Kjo tregoi se unë isha pranuar, u bëra pjesë e familjes së tyre”, tha ajo. /shprehja.com