Dy shtetas shqiptarë të arrestuar nga policia franceze janë ekstraduar këtë të mërkurë në Shqipëri, falë bashkëpunimit mes zyrave të Interpolit në Tiranë dhe Lion.
Njëri prej tyre është ish-drejtori i Kadastrës së Kurbinit, i dënuar me 5 vjet burg për shpërdorim detyre.
“Kastriot Piroli, 52 vjeç, banues në Kurbin, ish-drejtor i Zyrës së Kadastrës Kurbin. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Lezhë kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, e cila e ka dënuar këtë shtetas, me 5 vjet burgim, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.”
I dyti është një ish-polic i komisariatit të Himarës që akuzohet për favorizim të grupeve kriminale në kultivimin dhe shitjen e narkotikëve.
“I. J., 42 vjeç, banues në Vlorë, ish-punonjës policie. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Vlorë ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Vlorës, me vendimin e datës 13.12.2020, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Ky shtetas akuzohet se gjatë kohës që ka qenë SPZ në njësinë administrative Horë, bashkia Himarë, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka favorizuar shtetas të ndryshëm që ushtronin veprimtarinë kriminale të kultivimit të narkotikëve.”
/f.s